“Shifrat e investimeve të huaja janë rekord”- Ministri Mete: Rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për atë privat

Mar 28, 2024 | 13:55
SHPËRNDAJE

Ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik, është shprehur se shifrat e investimeve të huaja në vend kanë arritur nivele rekord.

ervin mete

Ministri Mete theksoi se ky moment i mirë për ekonominë e vendit duhet të përkthehet në mbështetje për sektorë dhe shtresa të caktuara.

Gjithashtu ministri i Ekonomisë shtoi se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për sektorin privat.

“Rritja e pagave që synojmë të bëjmë në qershor shkon pikërisht në këtë logjikë që theksova të pasjes së mundësisë që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejmë në më tepër mirëqenie dhe mbështetje dhe besojmë se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për sektorin privat, siç rezulton se ka qenë dhe përtej kësaj, siç e kemi përmendur këto ditë të kaluara, besoj se do të kemi hapësirë të bëjmë edhe disa lehtësime fiskale”, u shpreh ministri.

 

Fjala e plotë e ministrit Ervin Mete:

Po e nis duke rivënë në dukje atë që përmendi Kryeministri, që është lajmi i shumëpritur i rritjes së vlerësimit të vendit nga Standard&Poor’s, i cili përveçse certifikon momentin e mirë ekonomik që ne po kalojmë, ndikon në reputacionin e vendit në arenën ndërkombëtare, në aksesin që ne si vend kemi në tregjet ndërkombëtare dhe në koston kreditimit. Ashtu sikurse ndikon, besoj Guvernatori do të flasë më tej, edhe për aksesin në financë, si edhe në tregun tonë të brendshëm sa i përket kreditimit dhe është certifikim i një trendi dhe ecurie afatgjatë që, duke parë tani edhe shifrat e fundit të investimeve të huaja, që praktikisht janë shifra rekord, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit, japin besimin që ky trend pozitiv dhe ky konsolidim i financave publike, më tej qëndrueshmëria e këtij trendi, do të vazhdojë.

Kyçe këtu është që këtë moment të mirë ekonomik ne ta përkthejmë në një mbështetje të shtuar për sektorët nga njëra anë dhe nga ana tjetër edhe në një mbështetje për shtresa të caktuara, me logjikën e një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse.

Po veçoj instrumentin e Garancisë Sovrane që kaluam së fundmi me aktin normativ për sektorin e industrisë përpunuese që lindi nga një kërkesë në një takim të ngjashëm dhe u procesua në një kohë të shpejtë. Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, detaje që do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë që, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese. Ashtu siç ka nevojë që të njëjtat mekanizma të ndarjes së riskut ne t’i zgjerojmë në sektorin e kreditimit dhe financimit, dhe siç ka nevojë të bëjmë dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera qofshin dhe në diversifikimin e kolateralit apo marrjen e masave rregullative me qëllim nxitjen e kreditimit, pasur parasysh edhe momentin në të cilin jemi.

Kemi pasur një diskutim të thelluar me Guvernatorin dhe Bankën e Shqipërisë, me të cilët së shpejti pritet të dalim me një plan të përbashkët për nxitjen e kreditimit,  me qëllim që bashkërisht qeveri dhe Banka e Shqipërisë, bashkë me sektorin bankar, të mundet të marrim masa për nxitjen e kreditimit.

Ashtu siç për sektorë të veçantë, po i referohem përsëri fasonit meqenëse ka qenë në vëmendje, kemi pasur diskutim të frytshëm besoj për ndërveprimin që ata kanë me fiskun, qoftë me Tatimet, qoftë me Doganat, duke marrë angazhimin që të lehtësohen dhe thjeshtohen procedurat kur vjen puna te rimbursimi i TVSH-së apo në rastet e ndërveprimit për llogaritë e tyre. Duhet theksuar që ne ndodhemi në një moment kur psh, vitin e kaluar kemi zero rimbursime TVSH-je të prapambetura në të gjithë sektorët e veçanërisht në këta që janë sektorë prioritarë kur vjen puna në trajtimin fiskal të tyre, ashtu siç kemi një shifër minimale krahasimisht me vitet e kaluara sa i përket detyrimeve të prapambetura.

Rritja e pagave që synojmë të bëjmë në qershor shkon pikërisht në këtë logjikë që theksova të pasjes së mundësisë që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejmë në më tepër mirëqenie dhe mbështetje dhe besojmë se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për sektorin privat, siç rezulton se ka qenë dhe përtej kësaj, siç e kemi përmendur këto ditë të kaluara, besoj se do të kemi hapësirë të bëjmë edhe disa lehtësime fiskale.

Nëse marrim parasysh së paku këtë 5 vjeçar, kur kemi kaluar sfida të pazakonta ose situata të jashtëzakonshme, që nga tërmeti, pandemia, inflacioni, efektet e luftës Rusi-Ukrainë dhe tani gjendemi në një moment kur kemi mundësi të diskutojmë lehtësime taksash dhe rritjes pagash, ashtu sikurse po diskutojmë me Bankën Botërore, të cilën e falënderoj dhe drejtuesin për analizën që po i bëjmë mbrojtjes sociale dhe sistemit të pensioneve në përgjithësi për të pasur mundësi edhe atje për të bërë një ndërhyrje reformuese, besojmë që shkon drejt këtij qëllimi të përgjithshëm që të kemi një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse dhe shpërndarje të mirëqenies.

Kur këto propozime të detajuara do të jenë gati, besoj që do të jetë një forum i mirë që t’i diskutojmë edhe në Këshillin Ekonomik Kombëtar, pasi për rëndësinë dhe nivelin e përfaqësimit që ka, besoj që është një platformë shumë e vlefshme për të ndarë qëndrime dhe mendime me synim të një rezultati sa më të mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura