Shifrat e çmendura/ Depozitat, 45% të parave në duart e milionerëve

Mar 7, 2017 | 10:30
SHPËRNDAJE

Deri në fund të dhjetorit 2016, nga skema e sigurimit të depozitave individët kanë përfituar në vlerën 611.4 miliardë lekë, duke përbërë 55% të totalit të depozitave, ose 67% të vlerës së depozitave të sigurueshme, raporton “Panorama”.

auto_depozitat1484292378

Numri i qytetarëve që kanë depozita me vlerë deri në 2,5 milionë lekë përfaqësojnë 96 për qind të depozituesve, që përfituan nga skema. Ndërsa 4 për qind e depozituesve zotërojnë 45 për qind të totalit të depozitave që janë në bankë. Të dhënat jepen në raportin vjetor të agjencisë së sigurimit të depozitave.

Sipas agjencisë së depozitave, deri në fund të vitit 2016 totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,114 miliardë lekë, krahasuar me 1,066 miliardë lekë që ishte një vit më parë. Sipas shifrave, depozitat kanë shënuar një rritje prej 4.6 %. “Vlera e depozitave të individëve që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 913 miliardë lekë, 2.6% më shumë se një vit më parë.

Depozitat e siguruara ishin në vlerën 611.4 miliardë lekë, duke përbërë 55% të totalit të depozitave, ose 67% të vlerës së depozitave të sigurueshme të individëve. Vlera e depozitave të siguruara u rrit me 18.1 miliardë lekë ose 3%, krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raport.

Në rritjen vjetore të depozitave të sigurueshme të individëve, ndikim më të madh kanë pasur depozitat në monedhë të huaj, të cilat janë rritur më shpejt se depozitat në lekë. Depozitat në monedhë të huaj për 2016-n u rritën 4,4 për qind, kundrejt depozitave në lekë që pësuan rritje 1 për qind.

Raporti i mbulimit mbi 5% të depozitave të siguruara u arrit për herë të parë që nga krijimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Realizimi i këtij objektivi, si një tregues i përfshirë në ligjin për sigurimin e depozitave, është i rëndësishëm sepse dëshmon për efikasitetin e skemës për t’iu përgjigjur detyrimeve ndaj depozituesve, si dhe ecurinë pozitive të fondit të sigurimit të depozitave në banka ndër vite.

Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin në raportim ishin 2.99 miliardë lekë, ose 3.2% më të larta se një vit më parë, në harmoni me rritjen e depozitave të siguruara në sistem. Të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2016 ishin 782.2 milionë lekë.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura