Dhuna digjitale me bazë gjinore, Balla: Sapo të rregullohet aspekti ligjor, do ta bëjmë të pamundur për përdoruesit e platformave sociale të shantazhojnë viktimat

Apr 30, 2024 | 10:44
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një konference te Kuvendi me temë ‘Dhuna digjitale me bazë gjinore’, është shprehur se ngacmimi kibernetik ndodh në interent dhe arrin deri në shantazhim.

Balla tha se “sapo të rregullohet dhe aspekti ligji, në mënyrë që të bëjmë të pamundur për dike që përdor platformat sociale për të turpëruar, frikësuar, kërcënuar, një viktimë.

Ky do të jetë thelbi i një ligji për parandalimin e dhunës kibernetike, shtoi ai.

Ne bëhemi të gjithë bashkë dhe reagojmë fort sa herë ndodh një ngjarje kriminale, burimi i së cilës është dhuna kibernetike. Dhe pastaj, sa kohë media heq vëmendjen nga ajo çështje, hyjmë në normalitet dhe duhet të presim një ngjarje për t’iu rikthyer.

Unë mendoj se ky takim i sotëm në Kuvend duhet të jetë si milestone përfundimtar, për të shkuar me një iniciativë deputetësh, dhe mbi të gjitha të jetë bipartizan. Të jetë një gjë për të cilën të jemi të gjithë bashkë.

E para gjë që na duhet është ta definojmë cyberbulling dhe dua t’u garantoj që mua nga dita e parë në këtë detyre, çështjet që lidhen me dhunën me bazë gjinore, për mua janë primare dhe është një angazhim që kërkon vazhdueshmëri.

Ngacmimi kibernetik është ajo që ndodh në internet që arrin deri në shantazhim. Kemi pasur një rast tragjik para disa muajsh në Durrës, është rasti tipik, dhe ky shantazhim bëhet për të sulmuar në formë të hapur një person ose një grup personash.

Ne i kemi të gjithë mekanizmat për të ndërhyrë sapo të rregullohet dhe aspekti ligji, në mënyrë që të bëjmë të pamundur për dike që përdor platformat sociale për të turpëruar, frikësuar, kërcënuar, një viktimë. Ky do të jetë thelbi i një ligji për parandalimin e dhunës kibernetike.

Duhet të kthehem te shifrat për të kuptuar domodoshmërinë e reagimit të menjëhershëm. Shifrat e dy muajve të parë të 2024, të cilat na tregojnë se kemi pasur 890 persona të dëmtuar nga dhuna dhe krime të tjera në familje, ndër to 629 janë gra dhe vajza. Pra tre herë më shumë sesa gjinia tjetër.

Një e dhënë tjetër është e lëshimit të urdhërmbrojtjes. Nga 405 të dëmtuar që kanë marrë urdhër mbrojtje, 350 janë vajzat.

Gjatë 2023 janë regjistruar 125 viktima të dhunës seksuale, 103 janë vetëm gra dhe vajza. Mos harroni se kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse ka shumë që nuk e tregojnë dhunën për shkak të paragjykimeve të shoqërisë. Duhet të flitet me shumë për këtë çështje dhe të kemi sa më shumë denoncime”, tha ministri Balla.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura