Shënime mbi ligjin e vetingut

Sep 26, 2016 | 10:55
SHPËRNDAJE

florjan-kalajaFLORJAN KALAJA

Fillimisht sjell në vëmend je se apriori nuk jam dakord me të ashtuquajturin “vetting process”, pasi mendoj që vinte në kundërshtim me Kushtetutën që lamë pas. Megjithatë, tashmë Kushtetuta në fuqi i ka dhënë legjitimitet të pakundërshtueshëm dhe nga java apo çështje muaji Shqipëria pritet të përjetojë zhvillimet e parashikuara në këtë kuadër normativ Pasi hulumtoj me vëmendje tekstin kushtetues dhe të ligjit, kuptoj se organet lider që do të rivlerësojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do të jenë dy, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, thënë ndryshe shkalla e parë dhe e dytë e gjykimit.

Ndërkohë paralelisht me këto do të krijohen edhe gjyqtarët natyralë të karrierës dhe disiplinës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, respektivisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndërkohë që organi i parë lider do të ketë një mandat pesëvjeçar, organi i dytë do të ketë mandat nëntëvjeçar. Të dyja këto organe të jashtëzakonshme kanë detyrë të ndëshkojnë disiplinarisht gjyqtarët dhe prokurorët për pasurinë e pajustifikuar, për lidhjet me botën e krimit dhe për pamjaftueshmërinë profesionale.

Në Kushtetutën që lamë pas dhe në këtë të ndryshuar, për të njëjtat arsye gjyqtarët dhe prokurorët ndëshkohen nga këshillat respektivë. Pyetja është se përse u deshën të krijohen organe kushtetuese nga e para, kur organet kushtetuese të reformuara tërësisht mundet që të ngarkoheshin dita ditës, në kohë të jashtëzakonshme dhe normale, për të kryer të njëjtin funksion kushtetues dhe mbi të gjitha natyral? Megjithatë, çdo përgjigje e mekët apo krejt e heshtur do të jetë aq e vonuar sa nuk do të zgjojë vë- mendje, për shkak se kjo çështje është mbyllur tashmë.

Në ligj është parashikuar se furnitorët kryesorë me prova për ndëshkimin disiplinor të gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të jenë inspektoriati i pasurive, zyra e çështjeve të brendshme pranë Ministrisë së Brendshme, shërbimet informative, zyrat e pastrimit të parave, apo edhe letrat e marra nga publiku i gjerë. Në shumicën e rasteve raportet e organeve operative, aq më tepër ato me karakter policor, janë riprodhime informacionesh gati thashethem, për të cilat afërmendsh siguria dhe vërtetësia e informacionit është çështje tepër delikate. Për më tepër duhet pasur parasysh se në ligjin procedural civil dhe administrativ këto shkresa mundet të përdoren si prova dhe, duke qenë se kanë dalë nga organet që ligji i ka bërë kompetente dhe sipas formës së parashikuar, konsiderohen shkresa me fuqi të plotë provuese, të cilat mundet të kundërshtohen vetëm për falsitet.

Në këtë mënyrë dilema e parë serioze dhe kushtetuese e standardit të provueshmërisë në këto gjykime do të jetë mundësia e madhe e cenimit të natyralitetit dhe vërtetësisë së provave shkresore. Në ligj parashikohet se dy organet kushtetuese lider të “vetting process” do të zbatojnë gjatë gjykimit Kodin e Procedurës Administrative dhe ligjin procedural të gjykimit administrativ, e për rrjedhojë edhe Kodin e Procedurës Civile. Projektligji rast pas rasti thërret në ndihmë për një procedurë të caktuar njërin rit procedural e herë të tjera ritin tjetër dhe gjithnjë u mbivendos atyre edhe procedura të parashikuara rishtazi nga vetë ai.

Kështu, nga hulumtimi në projektligj përshtypja që merret është se organet ligjzbatuese dhe palët në procedim do të kenë të bëjnë me një miksim të tillë ligjesh procedurale, aq sa ngjan të jetë e habitshme se si mundet që një gjykim të zhvillohet edhe sipas mënyrës se si procedon një drejtori, edhe sipas mënyrës se si gjykon gjykata administrative. Mendoj se kjo mënyrë e miksimit të procedurave do ta ndërlikojë procesin e vetting-ut dhe do të shkaktojë pasiguri juridike edhe tek organet proceduese dhe akoma më shumë te të gjykuarit.

Në ligj parashikohet se gjyqtarët dhe prokurorët mundet të heshtin përgjatë seancave, kur ndaj tyre komisionerët, ndërkombëtarët apo edhe anëtarët e organit procedues duan të bëjnë pyetje. Mendoj se kjo e drejtë nuk duhet të njihet. Gjyqtari dhe prokurori duhet të jenë ligjërisht të detyruar të përgjigjen për çdo rrethanë që ka të bëjë me rivlerësimin e tyre. Akoma më shumë, ata duhet të kenë detyrim ligjor për të treguar të vërtetën dhe për të mos fshehur asgjë, qoftë edhe me heshtje. E nëse ndodh që një gjyqtar apo prokuror të japë të dhëna të rreme apo të heshtë, ai duhet patjetër të mbajë përgjegjë- si ligjore, pse jo edhe penale.

Duket sikur kjo e drejtë e njohur nga ligji pa një arsye përligjëse të jetë marrë si model nga ligji procedural penal, si për t’i dhënë natyrë gjithëpërfshirëse miksimit të procedurave ligjore. Në ligj është njohur mundësia për të përjashtuar nga dënimi autorët e veprave penale të korrupsionit aktiv, pra ata që blejnë drejtësinë, nën kushtet kur ata pranojnë të bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe të çojnë para përgjegjësisë penale gjyqtarin apo prokurorin shitës të drejtësisë.

Është parashikuar gjithashtu që blerësi i drejtësisë ka të drejtë t’i kthehet çdo vlerë çmimi e paguar për drejtësinë. Deri këtu nuk ka asgjë që të bëjë përshtypje, përkundrazi kjo formulë ligjore duhej të ishte parashikuar që me hyrjen në fuqi të Kodit Penal. Ajo që zgjon vëmendje dhe habi njëkohësisht është e drejta e gjyqtarit apo prokurorit shitës për të ngritur padi regresi ndaj kujtdo të treti që i ka dhënë shumat e çmimit të shitjes së drejtësisë. Thënë thjesht dhe kuptueshëm, ligji ka ndihmuar gjyqtarin e prokurorin shitës dhe të afërmit e tyre të mbledhin paratë e krimit për t’ia kthyer mbrapsht blerësit.

Kjo nuk ka kuptim dhe nuk mundet të gjejë mbështetje në asnjë ligj që frymëzohet nga parimet e drejtësisë. Kjo e drejtë, që në të vërtetë është e padrejtë, nuk duhet të njihet, pasi shitësit e drejtësisë nuk meritojnë mbrojtje, por vetëm ndëshkim pasuror. Në të njëjtën kohë edhe të tretët që kanë marrë shumat në mirëbesim nuk meritojnë ndëshkim, por mbrojtje ligjore. Nga ana tjetër, ata që i kanë marrë në keqbesim, duhet të ndëshkohen dhe pasuria t’i kalojë shtetit.

Në ligj parashikohet se Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të funksionojë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe statusi i anëtarëve do të jetë po ai i gjyqtarëve të kësaj gjykate. Më tej parashikohet se ligji procedural i procedimit do të jetë ai që rregullon ritin e gjykimit administrativ në Gjykatën Administrative të Apelit. Sjell në vëmendje se kjo gjykatë si rregull gjykon në dhomën e këshillimit dhe pa seanca publike.

Nga ana tjetër, duke i krijuar paralelisht dhe njëkohësisht ritit administrativ një procedurë ex novo, projektligji parashikon se, kur ankimi bëhet nga Komisioneri Publik ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e gjykon gjithmonë çështjen në seancë publike, që do të thotë se palët dëgjohen në një seancë të hapur. Ndërkohë të gjitha ankimet nga gjyqtarët dhe prokurorët e ndëshkuar në shkallë të parë gjykohen në dhomë këshillimi, që do të thotë pa seancë publike dhe pa iu dhënë mundë- sia palëve për t’u dëgjuar para se të gjykohen.

Në këtë mënyrë projektligji, një ndër aspektet më të rëndësishme të së drejtës për proces të rregullt ligjor, të drejtën për t’u dëgjuar e ka lidhur jo me karakteristikat e çështjes që shtrohet për gjykim, por me llojin e subjektit ankimues, duke defavorizuar sakaq ankimet e të gjykuarve gjyqtarë dhe prokurorë e duke favorizuar ankimet e shtetit. Sigurisht që ky parashikim ligjor neglizhon nenin 16, 18 dhe 42 të Kushtetutës, apo thënë ndryshe parimin e barazisë në të drejtën për proces të rregullt ligjor ndërmjet subjekteve të së drejtës.

Sigurisht që ligji në sy të tjerë mundet të ketë nxjerrë nevojën për shënime të tjera, ashtu sikurse në sy akoma më shumë të tjerë të mos jetë ndjerë asnjë nevojë për shënime, por vetëm për zbatim. Gjithsesi këto janë shënimet e mia. Ndoshta është vonë, pasi tashmë pritet dekretimi dhe kalimi i ditëve të hyrjes në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Megjithatë disa gjëra janë më mirë të paktën të thuhen.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura