Shembja e Teatrit/ “Artistët po jargaviten pas pushtetit, si s’kanë turp e i thonë vetes intelektualë”

Jul 8, 2018 | 19:50
SHPËRNDAJE

Kineasti dhe publicisti Ilir Demalia, në një intervistë të dhënë për “Albania Free Press”, është shprehur se “tani po i vënë rruspën me nxitim, me forcën e kartonëve në Kuvend dhe me shpejtësinë e dritës vandalizmit të radhës me kryevandalin dhe pseudoartistin, kryeministrin Edi Rama, Teatrit Kombëtar”.

“Nuk më vjen keq fare për artistët, se i patë vetë se çfarë jargavitësish janë pas pushtetit të vandalizmit, injorancës dhe banditizmit të pushtetit, të hajdutëve, ku presin edhe këta lugën e çorbës nga Rama-Veliaj! O Zot, si s’kanë turp e i thonë vetes artistë dhe intelektualë….këta! Ku janë ata “asnjanësit” që nuk duan të përzihen, ata që na këndojnë gjithë ditën e gjithë natën si kukuvajka: Ne intelektualët! Ne artistët! Ne shkrimtarët! Ne që dje u shpëlamë trurin njerëzve me artin e soc-realizmit në shërbim të diktaturës, duke anatemuar e denigruar, zhvarrosur e groposur vlerat intelektuale, atdhetare, historike, artistike, letrare të Shqipërisë se kështu donte Nëna Parti, për të krijuar humnerën e e ngritjes se llumit e krimit si moral i kohës së shërbimit…”, është shprehur Demalia.

35659884_10216677091820719_3690006631073972224_n

Pjesa e plotë nga intervista:

“Teatri Kombëtar, artistët po jargaviten pas pushtetit”

“Fillimisht, unë kam qenë kundër prishjes së stadiumit, si bukuri e arkitekturës në harmoni dhe funksion urban me gjithë kompleksin e Universitetit, Akademisë së Arteve dhe Institutit Arkeologjik, në vazhdimësinë e gjithë bulevardit me kompleksin e kryeministrisë dhe ministrive. Kam qenë kundër prishjes së sheshit për t’u ngritur një mostër, shesh që përmbyti edhe Bibliotekën Kombëtare për shkak të shkatërrimit të kanalizimeve dhe vendosjes së depove të ujit në themelet e Pallatit të Kulturës.

Po të kishte shtet, të gjithë përgjegjësit e kësaj katrahure duhet të ishin nën akuzë. Edhe teatri është në harmoni dhe funksion me të gjithë këtë kompleks të qendrës së Tiranës, si pjesa më e bukur që ishte, sepse tani nuk është më.

Nuk është më, se edhe diktatori Enver Hoxha nuk e bëri këtë vandalizëm me bulevardin e Tiranës. Ai ruajti kuotat e lartësisë dhe iu përshtat arkitekturës. Vandalët e pas ‘90-ës ngritën dy kullat që prishën gjithë kuotat e kompleksit të bulevardit. Kanë lënë në rrënim një nga hotelet më të bukur të Ballkanit, por edhe në Evropë në vitet ‘30, Hotel “Dajti”-n. E bëjnë me qëllim që t’i vënë rruspën e të ngrejnë kullë.

Tani po i vënë rruspën me nxitim, me forcën e kartonëve në Kuvend dhe me shpejtësinë e dritës vandalizmit të radhës me kryevandalin dhe pseudoartistin, kryeministrin Edi Rama, Teatrit Kombëtar. Pas saj do ta kenë radhën Sarajet e Toptanëve, Pallati i Pionierëve, e… nuk e di çfarë i ka shpëtuar akoma pa i vënë rruspën historisë dhe trashëgimisë kulturorë të kryeqytetit. Nuk më vjen keq fare për artistët, se i patë vetë se çfarë jargavitësish janë pas pushtetit të vandalizmit, injorancës dhe banditizmit të pushtetit, të hajdutëve, ku presin edhe këta lugën e çorbës nga Rama-Veliaj!

O Zot, si s’kanë turp e i thonë vetes artistë dhe intelektualë….këta! Ku janë ata “asnjanësit” që nuk duan të përzihen, ata që na këndojnë gjithë ditën e gjithë natën si kukuvajka: Ne intelektualët! Ne artistët! Ne shkrimtarët!

Ne që dje u shpëlamë trurin njerëzve me artin e soc-realizmit në shërbim të diktaturës, duke anatemuar e denigruar, zhvarrosur e groposur vlerat intelektuale, atdhetare, historike, artistike, letrare të Shqipërisë se kështu donte Nëna Parti, për të krijuar humnerën e e ngritjes se llumit e krimit si moral i kohës së shërbimit.

Mirë dje se ishte diktaturë, po sot? Sot shiteni si dje për një lugë çorbë, në çorbën që kanë kontribuar dhe kontribuojnë “intelektualët”, “artistët”, “shkrimtarët” si shërbëtorë të zellshëm të regjimeve politike, se kështu janë formuar, mësuar dhe kështu do vdesin.

Judët makabre të shitur për një qese monedhash nuk mund të bëhen kurrë Krisht. Judë kanë lindur e si Judë do mbyten në turpin tyre, në jargët e kazanit të çorbës që kanë përgatitur vetë. Do të ngelen në historinë e artit si shërbëtorët e pushtetit anti-art dhe anti-kulturë së kombit të vet”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura