Sezoni i ri artistik 2017-2018, 14 premiera në teatër

Oct 4, 2017 | 10:46
SHPËRNDAJE

Teatri Kombëtar e ka nisur tashmë sezonin artistik 2017- 2018 me dy prodhime jo të vetë këtij institucioni, por mbështetur prej tij.

Një vepër dramatike greke dhe një komedi misterioze franceze. Dje, i sapokthyer nga një pjesëmarrje në dy festivale në Kinë me komedinë “Zbutja e kryeneçes”, drejtori i TK, Hervin Çuli, mbajti një konferencë për shtyp, për të prezantuar kalendarin e ri artistik.

Regjisori Arben Kumbaro
Regjisori Arben Kumbaro

Një sezon, që sipas tij, i tejkalon të gjithë për nga premierat. Janë plot 14, por jo të gjitha të TK. Një pjesë e mirë e tyre, ndoshta gjysma, janë projekte private, të mbështetura nga Ministria e Kulturës, por edhe nga TK, që u vë në dispozicion infrastrukturën. Është një kalendar i larmishëm si në emra dramaturgësh, ashtu edhe regjisorësh.

Do të ketë vepra nga Shekspir, Dyma, por edhe dramaturgë bashkëkohorë; regjisorë të rinj dhe me eksperiencë, jo vetëm nga Tirana, por edhe Kosova.

Do të ketë vepra të forta, provokative, madje do të ketë edhe nga ato që janë censuruar në vendet e origjinës; vepra të guximshme sa i takon mënyrës së realizimit në skenë, siç është “Frankeshtajn” me regji të Ilir Bokshit, apo kontroverse mbi pushtetin, politikën, homoseksualitetin, etj., siç është vepra “Engjëjt e Amerikës” me regji të Arben Kumbaros. “Është një vepër që është censuruar në Amerikë, e emblemës dramaturgjike amerikane, Tony Kushner.

Është një vepër që sjell risi në skenën shqiptare dhe mbart një lloj ‘frike’ në përballjen me spektatorit shqiptar, për shkak të temës që trajton, asaj të marrëdhënies së politikës dhe homoseksualitetit”, tha Çuli. Nuk do të mungojnë edhe veprat shqiptare, madje dy syresh, edhe pse janë ndërmarrje private, janë produkt i “Netëve të leximit të dramës shqipe”. Do të jetë po ashtu një vepër e Ferdinand Hysit dhe një tjetër e Bashkim Hoxhës. Sipas drejtorit të TK, me këtë rast po i jepet më shumë hapësirë dramës shqipe në skenën e Kombëtarit.

Sa u përket regjisorëve, përveç Ilir Bokshit, që vjen nga Kosova, dhe Arben Kumbaros, që rikthehet pas “Vrasjes së Maratit”, një rast që s’duhet humbur është ai i rikthimit si regjisor i Artan Imamit, për të vijuar me Andia Xhungën, Inis Gjonin, Kledi Kapexhiun, etj. Për realizimin e produksioneve të veta, Çuli thotë se ka një rritje të vogël buxheti. “Këtë vit kemi rreth 20 milion lekë të vjetra më tepër. Për vitin 2018 bëhet fjalë për 6-7 projekte të mëdha. Fondet s’janë asnjëherë të mjaftueshme”, tha ai, duke shtuar se buxheti për projektet është 140 milion lekë.

Ai u shpreh i hapur për t’u krijuar hapësira projekteve të mbështetura nga Ministria e Kulturës, si tekste që qëndrojnë mirë në TK. Për këtë ai solli si shembuj dy vepra të mbështetura nga MK, “Vanja, Sonja dhe Masha” dhe “Familja Tot”, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Për këtë sezon artistik, Çuli bëri me dije edhe ndryshimin e motos së TK, që nuk do të jetë më “Eja në teatër”, por “Teatri Kombëtar, teatri i gjithë shqiptarëve”, që parashikon nxitjen e bashkëpunimeve me teatrot e rretheve dhe më konkretisht me Durrësin, Korçën dhe Shkodrën, por edhe afrimin e artistëve të rinj.

Përpos veprave të sezonit 2017-2018, Çuli tha se bordi ka miratuar edhe tri vepra të tjera për sezonin e ardhshëm, për të respektuar vitin kalendarik në buxhet. “Meqenëse viti është kalendarik në buxhet, edhe për ndarje buxheti më racional, bordi i TK-së ka aprovuar edhe tri vepra, që i përkasin periudhës shtator-dhjetor 2018 të sezonit, të cilat janë: “Xhelatët” me regji të Qëndrim Rijanit, “Skena nga një ekzekutim” dhe “Gusht, portret familjar”, që do të vihet në skenë nga Spiro Duni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura