“S’është pronë e Ramës nga Vunoi”, artistët hapin llogari bankare për të mos shembur godinën e Teatrit

Mar 9, 2018 | 11:44
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Artistët e skenës dhe ekranit duan t’i dalin vet për zot ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Këtë do e bëjnë duke siguruar vetë paratë. Dje, gjatë një takimi të organizuar nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) u hodh propozimi i hapjes së një llogarie bankare, ku çdo shqiptar që e ka për zemër godinën e TK, të kontribuojë në të.

tk

“Shumë shpejt do të krijohet një numër llogarie për të kontribuar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për ta bërë këtë godinë pjesë të historisë së këtij kombi”, tha aktori Arben Derhemi nguli këmbë që ndërtesa të rikonstruktohet. Ndërsa kryetari i SASE, Alert Çeloaliaj, u shpreh se për këtë çështje ka mendime të ndryshme, por edhe kjo duhet diskutuar dhe duhet dalë në një konkluzion.

KOMISIONI PARLAMENTAR

Organizatorët e mbledhjes kishin thërritur, për të qenë pjesë e saj edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Informimin Publik, por prej tyre ishin të pranishëm vetëm tre: Dy deputete të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim: Nora Malaj dhe Kejdi Mehmeti dhe deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.

Pasi dëgjuan gjithë të pranishmit, deputetët e pranishëm morën fjalën, për të shprehur mbështetjen kundrejt artistëve, duke premtuar përçimin e zërit të tyre deri në Parlament.

Sipas Boçit, qëndresa për të ruajtur godinën e teatrit duhet të shtrihet përtej trupës së TK, pasi, sipas tij, interesat e biznesit do të prevalojnë.

“Para jush duhet të ishin paraqitur disa projekte dhe mes tyre mund të ishte një klasik që t’u përshtatej dhe të mund ta zgjidhnit. Kjo duhet të ishte gjëja më normale që duhej të ndodhte. Të gjitha hapat e ndjekur janë absurde. Unë këmbëngul që ta mbajmë gjallë çështjen. Ju, bashkë me mbështetjen tonë, me mekanizma parlamentarë, politikë, mediatike, të sensibilizojmë opinionin publik”, tha Boçi.

Teatri-Kombëtar11

Ai premtoi se nuk do të përdorej kjo çështje nga ana e tyre për politikë, ndonëse politika është e paevitueshme. “Nuk do ta bëjmë kauzë politike. Kjo është kauzë publike. Nuk do ta kontaminojmë këtë me politikën. Mos na paragjykoni në deklaratat politike, janë pjesë e presioneve që ne bëjmë. Politika e njeh më mirë gjuhën e politikës. Gjuha e artit i gudulis ata”, tha ai.

Deputetja Nora Malaj shprehu kënaqësinë, që tashmë sindikatat funksionojnë dhe demokracia është ende gjallë. Ajo e konsideroi çështjen e Teatrit Kombëtar, mbarëkombëtare. “Nëse një qeveri do t’i heqë një shoqë- rie teatrin, ta trajtojë atë si pronë private, do t’i heqë shpirtin. Edukimi shpirtëror kërkon investim dhe partneritet shumë të madh”, tha ajo.

Ndërsa deputetja Mehmeti u shpreh se janë mundësitë për të ndërtuar të tjera salla teatri dhe ajo ekzistuese të ruhet, qoftë për të vënë edhe një apo dy shfaqje në skenë, për të ruajtur historinë e këtij institucioni.

TAULANTA JUPI: GODOJA, NË FORMËN E ARROGANCËS

Aktorja, regjisorja dhe pedagogia Taulanta Jupi do të përshkruante situatën absurde që po kalojnë artistët, duke sjellë si shembull një dramë të përkthyer nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, “Në pritje të Godosë”. “Zonjat që kanë zgjedhur të jenë të pranishme me ne, edhe të mos festojnë 8-marsin i uroj për festën. Por fatkeqësisht për të disatën herë ne nuk festojmë për të drejtat dhe pozicionimet e grave, por jemi në pozitën që vazhdojmë protestën tonë kundër Projektligjit për Artin dhe projekteve për të shkatërruar atë pjesë të historisë, të Teatrit Kombëtar shqiptar.

Ideja për të pasur një llogari bankare dhe për të ngritur një fondacion, që secili shqiptar që mendon se TK nuk duhet të prishet, jam e bindur që edhe me nga një lek do t’i kundërvihet babëzisë së atyre njerëzve që nuk pyesin para asgjëje. Do të flas me simbolikën e një drame të absurdit shumë të njohur, e përkthyer fatkeqësisht apo fatmirësisht nga zonja ministre, “Në pritje të Godosë”.

Godoja, për hir të vërtetës, është një personazh që nuk vjen kurrë, por unë mendoj se Godoja ka ardhur në formën më të tmerrshme të tij, në formën e arrogancës. Godoja ka ardhur në formën e mashtrimit, të maskarallëkut. Kemi arritur në një pikë që ky komunitet është i varfër dhe po varfërohet çdo ditë edhe po i shtypet edhe fjala edhe liria. Si mundet që t’i shtypet fjala një artisti? A e mendoni dot këtë? U përpoqëm në të gjitha mënyrat që këtë çështje ta mbajmë larg politikës, por kështu janë përzier gjërat në këtë vend. Duhet që të marrim qëndrime konkrete se çfarë do të bëjmë, ata janë një hap para nesh, i kanë ndarë gjërat në dysh.

Në fillim, nxorën vetëm ministren, tani na kanë nxjerrë edhe kryetarin e Bashkisë. Na kanë vënë përballë dy vetëve. Ne nuk mundet që të luftojmë dot kundër dy njerëzve njëkohësisht. Më vjen shumë keq, që këtu nuk janë kandidatët për drejtorë. Kanë nisur të mbjellin pemë dhe të lexojnë poezi. Na kanë quajtur interesantë, sepse jemi irracionalë. Por ne nuk jemi të tillë. Nëse nuk jam irracionale, atëherë le të mos jem artiste”, tha Jupi.

ADRIANA TOLKA: PO JETOJMË KOHË TERRORI

Shumë e tronditur iu qas tryezës së debatit, aktorja e Teatrit Eksperimental, Adriana Tolka. Ajo u shpreh se artistët në këtë teatër po jetojnë në një gjendje terrori dhe se vetë ministrja nuk e begenis këtë institucion. “Do them dy fjalë për situatën e frikshme, në të cilën ndodhemi. Unë jam një aktore e TKES, prej katër vitesh, që nga themelimi I tij. Jam dëshmitare e shndërrimeve që kanë ndodhur aty, por edhe e ndryshimeve strukturore dhe artistike. Paralelisht me këtë kam qenë dëshmitare sesi Ministria e Kulturës ka mbajtur një qëndrim denigrues ndaj institucionit tonë.

Së pari, duke akorduar një buxhet çdo vit edhe më ultë. Edhe në aspekt personal, nuk ka denjuar asnjëherë, vetë ministrja që të jetë prezent në teatër. Kur je një drejtues që mbahesh me taksat tona, je i detyruar dhe nuk përfaqëson më veten. Mendoj se jetojmë në një situatë terrori. Unë e di që politika s’i ka marrëdhëniet mirë me artin, sidomos me teatrin, ku përmblidhen të gjithë format e artit. Që historikisht ka qenë një altar i të vërtetave të mëdha, po në Shqipëri ndiej një mosrespekt ndaj artistëve. Njerëzit nuk vijnë më në teatër. Dhe ata janë intelektualë.

Që prej 20 vjetësh që kur kam mbaruar shkollën, dëgjoj të thuhet se s’ka më teatër dhe s’ka më artistë. Dhe ne ndaj jemi në këtë situatë. Nëse nuk arrijmë dot me peticione, jam e mendimit edhe për një referendum mbarëkombëtar. Teatri nuk mund të lihet në dorë të një dore, që sot është edhe nesër nuk është. Edhe, së dyti, dua që të them se na trajtojnë si nxënës të klasës së parë. Na kërkojnë librezën e ujit edhe të dritave, çfarë është ky kërcënim, që na tregojnë se sot të mbaj në punë dhe nesër të heq. Jam shumë e prekur, edhe e pambrojtur nga shteti”, u shpreh aktorja.

Josif Gjipali: Të ruajmë sipërfaqen e teatrit, s’kanë rëndësi katet

Tenori Josif Gjipali i ishte bashkuar mbledhjes së djeshme të organizuar nga SASE. Duke sjellë edhe përvojën e tij ndërkombëtare në skena të mëdha botërore, Gjipali u shpreh se është mirë që një teatër të drejtohet nga një njeri i vetëm. Ndërsa, sa i takon godinës së TK, duhet që artistët të jenë shumë të kujdesshëm dhe të interesohen për kushtet e tyre, ndërsa arkitektura i takon tjetërkujt.

“Ne duhet të japim mendimin tonë për atë që dimë të bëjmë më mirë, për artistllëkun që kemi. Nuk jemi as arkitektë dhe as ekonomistë, prandaj për çështjen e teatrit propozoj që të jemi më të kujdesshëm, edhe t’i zgjedhim pikat që mund të ndërhymë edhe mund të jemi më të fortë. Pika e parë është ruajtja e sipërfaqes. Përse të mos bëhet një peticion apo një dokument që të firmoset nga i gjithë komuniteti artistik, që nesër ta tregojmë këtë dokument, pavarësisht se si mund që të veprohet. Ne duhet që të jemi në rregull.

Ndërsa, për sa i përket godinës së TK nëse e bëjnë me tri apo katër kate, unë mendoj se e rëndësishme është që ato tri apo katër kate të jenë të gjitha teatër. Pikat që mund të ndërhyjnë artistët janë kushtet, akustika, ndriçimi, skena etj., arkitekturën le ta zgjedhin profesionistët. Për sa i përket ligjit të ri, unë nuk jam dakord për marrjen e shembujve shabllonë. Mund të jenë shembuj që funksionojnë, por funksionojnë në Francë, ne këtu jemi në Shqipëri. Parimi im është që ne t’i shfrytëzojmë këto eksperienca, por që duhet të përshtaten për komunitetin tonë.

Ne e dimë si funksionojnë bordet në Shqipëri, prandaj për mendimin tim duhet që ai që zgjidhet drejtor, që do të fitojë konkursin me një platformë, të ketë dorë që të bëjë atë që mund të bëjë më mirë. Sa më shumë veta, aq më shumë bëhet mishmash. Këto gjëra duhet që të dërgohen në një letër atje, por për këtë duhet që të bëhen bashkë”, tha Gjipali.

Regjisorja Anxhela Çikopano: Do t’i fusim thonjtë njëri-tjetrit

Regjisorja dhe përkthyesja Anxhela Çikopano u ndal te një pikë e projektligjit “për Artin dhe Kulturën”, për të cilën nuk është se flitet shumë. Bëhet fjalë për financimin e institucioneve private dhe atyre shtetërore. “Një pikë kyçe e projektligjit të ri, që është mbajtur fshehur edhe është mjegulluar në debatet televizive është fakti, që në projektligjin e ri, parashikohet që institucionet publike dhe private të financohen njësoj nga shteti.

Jemi në të njëjtat kushte, siç ndodhi në arsimin privat: që institucionet private do të mbahen nga taksapaguesit shqiptarë, njësoj si institucionet artistike kombëtare. Kjo do të thotë që mund të gjendemi shumë shpejtë para një rasti, që pas një viti të na vijë ndonjë ankim i çuditshëm “nga lart” dhe të na thotë: që një teatër privat ka produkt më të mirë se Teatri Kombëtar dhe shumë shpejt buxheti do t’u shkojë teatrove privatë edhe kjo do të jetë e ligjshme.

Kësaj nuk kemi se çfarë i bëjmë. Nëse politika na ka ndarë për çështje drejtorësh e bordesh, shumë shpejt do t’i vëmë duart në fyt njëri-tjetrit, se do të gjendemi për rrethana buke. Për këtë gjë duhet që të jemi të gjithë të qartë, kjo pikë duhet goditur para se të ndodhemi para faktit të kryer”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura