Sekuestrohet pasuria me vlerë 1 milionë euro e bosit shqiptar të kokainës, njihej si sozia e Messi-t (FOTO)

Apr 1, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Brescia-s në Itali ka konfiskuar pasurinë me vlerë 1 milionë euro të Bledar Pajanës, shqiptarit të njohur me nofkën ‘Messi i Shqipërisë’ për ngjashmërinë e tij me lojtarin e ekipit të Barcelonës, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane Pajanës i janë konfiskuar dy makina luksoze, një kompani ndërtimi, një pronë banimi, përveç llogarive të ndryshme bankare.

Bledar Pajana

Pajana akuzohet se ishte kreu i një grupi që kryente trafik ndërkombëtar kokaine. Shqiptari, i njohur edhe si ‘bosi i kokainës’ ka arritur të fuste në Itali 200 kg drogë në muaj. Sipas prokurorëve të çështjes lënda narkotike ishte e destinuar kryesisht për tregun e brendshëm.

Për të zhvilluar aktivitetin e tij kriminal Pajana fshihej pas një ndërmarrje ndërtimi.

Pak javë më parë Pajana u ekstradua nga Holanda, pas një urdhër-arresti europian të lëshuar nga gjykata e Brescia-s. Ai aktualisht ndodhet në burgun Rebibbia në Romë, shkruajnë mediat italiane. Sipas tyre Pajana drogën që merrte nga Amerika e Jugut e fuste në Itali, nëpërmjet kufirit Lisbonë-Madrid. 

Lajmi në mediat italiane

Pas disa operacione ku u sekuestruan sasi të konsiderueshme droge që qarkullohej nga grupi i Pajanës, ky i fundit kishte humbur gjurmët dhe ishte strehuar në Evropën veriore.

“Messi i Shqipërisë” u arrestua dhjetorin e shkuar në aeroportin e Holandës, Eindovhen teksa po shoqëronte një mik.

Mediat italiane shkruajnë se shitja e lëndës narkotike nga “Messi i Shqipërisë” kapte një xhiro vjetore që shkonte në 100 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura