Sektori i ndërtimit kapërcen krizën, 101 leje ndërtimi në 3-mujorin e parë të 2017

Jun 30, 2017 | 13:22
SHPËRNDAJE

Sektori i ndërtimit duket se e ka lënë pas krahëve krizën. Shifrat e INSTAT-it për tremujorin e parë të 2017- s e tregojnë këtë. Gjithsej 101 leje ndërtimi të lëshuara përgjatë kësaj periudhe dhe 4-fish më shumë të ardhura në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndertime-pallate

“Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2. Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2 % të numrit total të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jorezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8 %”, thuhet në raportin e Institutit të Statistikave.

Ndërkohë, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë qarku i Tiranës me 42,6 për qind dhe i Vlorës me 15,8 për qind. Pas mbeten qarku i Lezhës dhe Kukësit, ku janë regjistruar zero leje ndërtimi. Përmirësimi i situatës është reflektuar edhe në nivelin e të ardhurave, ku vlera pothuajse është 4- fishuar. Nëse në tremujorin e parë të 2016-s arritën që të gjeneroheshin vetëm 3.8 milionë lekë, në 2017 kjo shifër është katërfishuar duke kapur vlerën e rreth 11 milionë lekëve.

Pas moratoriumit, Qeveria vendosi të heqë të gjitha barrierat duke i lejuar bashkitë në lëshimin e lejeve të ndërtimit. Kështu, pavarësisht nëse e kanë apo jo një plan rregullues të gjitha bashkitë janë të autorizuara për të dhënë leje për qëllim strehimi apo biznesi. Ndryshimi i vetëm është që për objektet mbi 6 kate kërkesat do të shqyrtohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Por kjo nuk do të zbehë kompetencat e kryebashkiakëve, pasi fjala e fundit do t’u takojë atyre. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe për lejet e ndërtimit përgjatë vijës bregdetare. Prej më shumë se një viti të gjitha aplikimet për leje ndërtimi bëhen online, përmes portalit “e-Albania”.

Pas dërgimit të kërkesës, qytetari do të informohet mbi ecurinë e saj. Në sajë të këtij sistemi të ri që është ngritur, bëhet e mundur edhe shkurtimi i kohës për marrjen e lejes, nga 60 ditë që ka qenë, në 45 ditë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura