Sejko: Buxheti i realizueshëm, por duhet plan rezervë

Nov 23, 2016 | 12:16
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbështeti buxhetin e vitit të ardhshëm, duke e cilësuar atë të realizueshëm, por i sugjeroi qeverisë të ketë skenarin rezervë, nëse të ardhurat e parashikuara nuk realizohen. Dje, në prezantimin e opinionit për buxhetin 2017, në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Sejko mbështeti edhe rritjen e pagave dhe pensioneve, pasi shtesa nxit konsumin.

Guvernatori Sejko
Guvernatori Sejko

Me buxhetin e ri qeveria do të shpenzojë 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Për kreditë me probleme, guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se po zbatohet plani i masave, por paralelisht kërkoi edhe rritje të kreditimit për të ulur nivelin e kredive të këqija.

BUXHETI

Guvernatori Sejko tha në Komisionin e Ekonomisë se, duke përjashtuar efektet që mund të vijnë nga viti elektoral, buxheti është i realizueshëm. Guvernatori Sejko i sugjeroi qeverisë mbajtjen e skenarit rezervë, nëse të ardhurat do të jenë poshtë nivelit të planifikuar dhe marrjen e masave për respektimin e deficitit buxhetor. “Në rast se të ardhurat buxhetore do të jenë poshtë nivelit të planifikuar dhe në rast se kjo diferencë është më e madhe se kontingjencat e parashikuara në buxhet, Qeveria duhet të marrë masa shtesë për respektimin e deficitit buxhetor. Kjo nënkupton reduktimin e shpenzimeve në masë të njëjtë me nivelin e mosrealizimit të të ardhurave”, tha guvernatori Sejko.

PAGAT E PENSIONET

Për deputetin e Partisë Demokratike, Florion Mima, rritja e pensioneve llogaritet të jetë në masën 380 lekë në muaj, ndërkohë që detyrimi ligjor është për indeksim të paktën 450 lekë në muaj, për të kompensuar rritjen e çmimeve. Por, për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, nga këndvështrimi monetar rritja e pagave dhe pensioneve do të rrisë konsumin.

“Çdo rritje në drejtim të pagave dhe pensioneve do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe rritjen ekonomike. Kemi bërë një analizë për ndikimin e pagave dhe pensioneve në rritjen ekonomike, që është 0,2 deri 0,3 %, sipas analizës sonë. Kjo është pozitive, sepse rritja e pagave dhe pensioneve do të sjellë rritje të konsumit, si rrjedhojë rritje të investimeve, rritje të masës monetare në qarkullim, që do të reflektonte në rritjen ekonomike. Por, nga ana tjetër, ne kemi thënë që këto rritje duhet të jenë të kujdesshme në raport me borxhin publik”, tha Sejko.

Ndërsa i pyetur nga deputeti i opozitës Mima për minimumin jetik të publikuar nga Avokati i Popullit në masën 16,800 lekë për person, guvernatori Sejko, edhe pse u shpreh se Banka e Shqipërisë nuk mund të përcaktojë minimumin jetik, theksoi se niveli është i ulët.

KREDITË E KËQIJA

Niveli i kredive me probleme është rritur sipas guvernatorit të Bankës të Shqipërisë, Gent Sejko. I pyetur nga deputetët për masat e marra për uljen e kredive të këqija, Sejko tha se përveç zbatimit të planit të masave, duhet të ketë edhe rritje të kreditimit.

“Kredia me probleme është raport, është përqindje, që vjen në raport me rritjen e kreditimit. Në rast se rritja e kreditimit nuk është shumë e madhe, ky raport mbetet i lartë. Pra, nga njëra anë duhet të kemi vazhdueshmëri të menaxhimit të portofolit të kredive, nga ana tjetër duhet të kemi rritje të kreditimit dhe të rritjes ekonomike. Për sa kohë që ne do të kemi rritje të kreditimit dhe rritje ekonomike, do të vijë duke u zvogëluar edhe pjesa e portofolit të kredive me probleme”, u shpreh Sejko.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura