Rritja e numrit të viktimave dhe infeksioneve, apeli i Presidentit Meta: Kërkohet urgjentisht reflektim serioz. Qeveria, opozita dhe…

Jul 6, 2020 | 13:20
SHPËRNDAJE

Rritja e numrit të viktimave dhe infeksioneve të COVID-19 në vend, ka bërë që Presidenti i Republikës, Ilir Meta të dalë sërish me një apel të fortë.

 

Në një komunikim për mediat, Kreu i Shtetit i kërkon Qeverisë, opozitës dhe sipërmarrjeve hartimin e një strategjie, për të vënë në kontroll përhapjen në rritje të koronavirusit.

“Duhet të mos humbim përqendrimin, në përballimin më efikas të pandemisë, pasi shtimi i rasteve dhe viktimave kërkojnë urgjentisht reflektim serioz e të përgjegjshëm nga të gjithë.
Qeveria, opozita, sipërmarrjet dhe çdo qytetar, duhet të kenë një strategji të re me protokolle të përcaktuara për të vënë në kontroll përhapjen në rritje të pandemisë, edhe komunikim edhe më efikas me vendet fqinje, të rajonit, OBSH dhe vendet e BE për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale, që kjo strategji e re të na mundësojë daljen e sigurt dhe sa më të shpejt nga kjo situatë.

Janë zhvilluar disa mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare dhe padyshim dhe në të ardhmen nëse do të duhet. Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e shëndetësisë dhe besoj sa më shpejt do e realizojmë në mënyrë që të gjykojmë së bashku se cila do jetë mbështetja më e madhe që mund të japë presidenti. Por çdo qytetar duhet të sillet vetë në mënyrë më të përgjegjshme, të kujdesshme për jetën e tij, të familjarëve, miqve kudo që jeton e punon pasi duket që ka një shkujdesje që ka sjellë një përkeqësim të treguesve dhe kjo nuk na ndihmon të hapemi as me vendet e BE.

Nëse do jetë e nevojshme një mbledhje e tillë patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë një gjë të tillë. Duhet më shumë transparencë, profesionalizëm dhe masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor i cili është në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi””, tha Presidenti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura