“Rreziku nga Shkolla e Bashkuar pas rrëzimit të bustit të Enverit”, Ceka: Sampistët sot janë bërë biznesmenë

Feb 22, 2018 | 22:06
SHPËRNDAJE

Ish-themeluesi i PD-së, Neritan Ceka, tregon rolin që ka luajtur Partia Demokratike gjatë ngjarjeve të tensionuara të 20 shkurtit, kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës dhe më pas me ngjarjet e Shkollës së Bashkuar.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceka shprehet se ishte kërcënimi që i bënë përfaqësuesit e PD-së oficerëve të Shkollës së Bashkuar Ushtarake për të mos dalë në Tiranë për rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës.

Neritan Ceka
Neritan Ceka

Sipas tij: “10 ditët pas rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës kanë qenë ditët më të tensionuara duke qenë në prag të luftës civile. Rrezik i madh ishte reagimi në Shkollën e Bashkuar ku u mblodhën mbi 1 mijë vetë të armatosur, Brigada e Parë, Shkolla e Bashkuar, “Skënderbegasit” dhe shkolla e nënoficerëve të Zall Herrit, që ishin edhe më të dogmatizuar, të cilët kërkonin të çonin bustin e Enver Hoxhës që kishin në shkollë ta çonin aty ku kishte qenë statuja në sheshin “Skënderbej”.

Këtu pastaj do të ishte e sigurt përplasja. Në atë ngjarje përsëri PD ka ndikuar, më ka çuar mua me porosinë e qartë që t’i thosha se ky është një grusht shteti që po bëni, sepse kishin shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqin dhe kishin kërkuar dorëheqjen e Presidentit Alia.

Donin të merrnin kontrollin e TVSH-së, të stacionit të trenit dhe të ndërtesave qeveritare. Ishin tiparet e vërteta të grushtit të shtetit. Unë u thashë se kjo që po bëni është grusht shteti. Atje ishte një fole e vërtetë grerëzash, oborri i shkollës nga prapa ishte mbushur plot, mbaheshin fjalime dhe këndoheshin këngë për Enver Hoxhën, mbi tarraca ishin vendosur mitralozë të lehtë dhe të rëndë. Reparti 326, sampistët që quheshin ishin aty, sot janë bërë të gjithë biznesmenë të suksesshëm ndërsa në atë kohë ishin të gjithë të dogmatizuar.

Isha me Agron Çikën dhe rrugës morën me Abdi Baletën, si jurist. Unë i transmetova fjalët që më kishte thënë Berisha dhe besoj se ndikoi ajo që unë u thashë, se nëse bëjnë këtë grusht shteti i pret gjyqi ushtarak.

Ata e kishin provuar gjyqin ushtarak në kohën e Beqir Ballukut dhe Mehmet Shehut dhe ia kishin frikën. Edhe Baleta si jurist i shpjegoi se ku po shkelnin ligjin. Të nesërmen, ata i rrethoi populli, ndërsa nga brenda shkollës u qëllua me armë, u vra një person, një vajzë u dëmtua nga plumbi në shtyllë kurrizore.

Pas kësaj situate nga Shkolla e Bashkuar kërkuan ndihmën e PD-së, për të qetësuar popullin që i kishte rrethuar nga jashtë. Shkoi Leka Meksi, Arben Imami që i kërkuan popullit të tërhiqej, por dhe Shkollës së Bashkuar që të largonte repartet e Policisë. PD ka luajtur rol zbutës të tensioneve.

Pati tensione në Vlorë, Kavajë dhe në fund të muajit u qetësua disi situata. Kjo ndikoi në klimën në vend dhe frikësoi fshatin, ia bëri të ardhmen të pasigurt, duke i detyruar të mos ndaheshin nga Partia e Punës, të cilën e votuan në zgjedhjet e 31 marsit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura