Rrëfimi i fundit i Vito Kapos/ Jeta e saj pas vdekjes së Hysniut, goditjet e Nexhmijes dhe Ramizit: S’i vinte mirë që u ngrita në…

| 20:11
SHPËRNDAJE

Vito Kapo, numri dy i Partisë Komuniste, e veja e Hysni Kapos, bashkepunetore e ngushte e Enverit nderroi jete sot në moshën 97-vjeçare.

Vetem pak kohe më parë, në përgjigje të librit të Nexhmije Hoxhës, qe fliste mes te tjerash edhe per vdekjen e Hysni Kapos në Paris, Vito Kapo, dha një interviste ekskluzive për gazeten “Panorama”, ku tregoi te verteten e saj, jeten pas vdekjes se bashkeshortit, dyshimet e forta per vdekjen e tij, debatet me Enver Hoxhen dhe Nexhmije Hoxhen.

Lexoni me poshte intervisten e plote te publikuar ne “Panorama”:

ARISTIR LUMEZI / Vito Kapo, bashkëshortja e Hysni Kapos, numri dy i kupolës komuniste, këmbëngul se ai u eliminua nga Ramiz Alia në një klinikë mjekësore në Paris, ku kishte shkuar për ekzaminime dhe mjekime.

NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA (MAJTAS) HYSNI KAPO E VITO KAPO
NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA (MAJTAS) HYSNI KAPO E VITO KAPO

Në moshën 98 vjeçe, me një kujtesë të admirueshme, zonja Kapo tregon peripecitë dhe rraskapitjet e të shoqit në klinikën franceze, ku asnjëherë nuk u dha përgjigjja se nga se vuan, ndërsa pas vajtjes së Ramiz Alisë atje, Hysni Kapo u sfilit nga analizat dhe një moment i shkëputën ilaçet dhe oksigjenin.

Në intervistën ekskluzive për Gazetën “Panorama”, Vito Kapo risjell fjalët e fundit të Hysni Kapos para Ramiz Alisë dhe ndarjen misterioze të tij nga jeta. Zonja Kapo tregon dhe jetën e saj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, një nga figurat më të rëndësishme të PPSHsë, marrëdhëniet me Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë.

Vito Kapo
Vito Kapo

Znj. Kapo, Nexhmije Hoxha ka dëshmuar në librin e saj të fundit se ka qenë porosi e Enver Hoxhës që mos të mos ju vinin ju në dijeni për sëmundjen e Hysni Kapos, me qëllim moslëndimin tuaj. Si ka qenë e vërteta?

VITO KAPO: Hysniu ka qenë sëmurë që kur ishte në Shqipëri. Ai e hiqte veten sikur ishte krejtësisht i shëndoshë, e mbante veten dhe mua nuk më binte në sy. Ne vajtëm në Pogradec dhe për dy javë unë kisha marrë përsipër që të bëja raportin e Kongresit të Bashkimit të Grave. Ai qëndroi aty për dy muaj, saç e kishte me rregull qëndrimin në Pogradec dhe mua nuk më ra në sy fare edhe pse nuk ndihej mirë. Kur më përcolli në rrugë, më tha: “Shiko çfarë kanë bërë, e kanë mbushur me makina. Ç’më duhen mua gjithë këto makina, gjithë kjo përkujdesje”. Ndonjëherë më kërkonte t’i fërkoja mesin se ndihej i lodhur dhe unë me shaka i thosha: U plake Hysni. Mua nuk m’u ankua asnjëherë dhe kam qenë “budallaqe” që nuk e kuptova që ai vuante. Unë duhej të shkoja në Shkodër për të paraqitur një raport dhe Hysniu më tha shko, mos e lër punën se unë jam mirë. Unë nuk kisha kuptuar asgjë.

Edhe në Pogradec ku qëndruat, nuk pati shenja lodhjeje, ankesash shëndetësore?

VITO KAPO: Hysniu qëndroi dy javë me shokun Enver në Pogradec dhe bënin çdo ditë shëtitje. Një ditë shoku Enver i tha: Hysni, unë lodhem sepse dhe flas shumë, prandaj ndalojmë të mos ecim kaq. Një ditë ai më tha se ndihej i lodhur dhe donte të shtrihej. Unë doja ta lija vetëm, ai nuk donte, do qëndrosh me mua, më tha. Nuk donte të ndahesha prej tij.hysni-kapo-me-viton-c1200x600-640x320

Si u zhvilluan vizitat dhe kontrollet në Paris?

VITO KAPO: Që herën e parë që shkuam, mjekët e kontrolluan për një dhimbje që kishte. Pasi bëri analizat dhe kontrollet, mjekët i thanë që nuk ke gjë, ke kaluar një infarkt, por ka kaluar dhe tani nuk ka probleme. Por grupi i punës që u mor me shëndetin e Hysniut e trajtoi sikur nuk kishte asnjë problem me shëndetin e tij. Nuk vunë re asgjë.

Mjekët e spitalit francez konkluduan në këtë përfundim?

VITO KAPO: Jo, po flas për grupin e punës nga Komiteti Qendror dhe grupi i mjekëve. Ne fillimisht na çuan në një shtëpi pushimi, jo spital. Qëndruam disa ditë në këtë shtëpi pushimi dhe na çonin në një spital për analiza dhe kontrolle. Qëndruam të dy në një dhomë. Hysniu këmbëngulte që të dilte, mjeku thoshte jo, se kemi dhe analiza të tjera për të bërë. Ata që na shoqëronin na thoshin hajdeni t’ju çojmë te hoteli, por në fakt ajo ishte shtëpi pushimi, ndërsa ne kishim shkuar për vizita dhe kontrolle në spital. Ne e morëm vesh vonë se ajo ku rrinim ne ishte shtëpi pushimi dhe jo spital. Aty qëndronte dhe shefi i misionit francez në Tiranë, që ne e njihnim dhe ishte me turbekuloz e që më pas vdiq. Hysniu kërkoi që të iknim dhe u kthyem në Tiranë. Pasi u kthyem, unë shikoja që ai donte më shumë të pushonte, ndihej më i lodhur, por mua nuk më binte në sy. Unë bridhja nëpër Shqipëri me Bashkimin e Grave të Shqipërisë, ndërsa ai vuante pa më thënë asgjë. Nuk dinte të ankohej asnjëherë. Kur unë kthehesha, bënte shaka me punonjësit e shërbimit, duke thënë se do t’i krijojmë kushte Vitos se është lodhur, ka marrë përsipër shumë gjëra.

Si vijoi gjendja e tij shëndetësore?

VITO KAPO: Ne qëndruam në Shqipëri nga muaji mars e deri në korrik 1979. Pasi ikëm nga Pogradeci, shkuam përsëri për herë të dytë në Paris. U vijua për një kohë të gjatë me analizat. Madje, unë u shqetësova shumë sepse thosha, e kanë sjellë në spitalin më të mirë, i bëjnë analiza dhe nuk po i gjejnë se çfarë ka, nga i vjen kjo lodhje.

Nuk ju informonin se çfarë po ndodhte, se cila ishte gjendja?

VITO KAPO: Jo, vetëm se më thoshin që do t’i bëjmë edhe këtë, edhe atë analizë. Hysniun vinin dhe e takonin grupe të ndryshme të huaja. Ai fliste me ata, qëndronte, por dhe lodhej shpejt. U fliste për Shqipërinë dhe më pas u thoshte që tani do vazhdojë Vitua. Ata vinin të shikonin se deri ku shkonte gjendja e tij. Pjesa më e madhe e tyre ishin mjekë francezë. Ata e bënë si shok. Vinin dhe thoshin: Ku është shoku ynë, tani do na flasësh për këtë temë.

Nexhmije Hoxha ka thënë në libër se Vito Kapo, me porosi të Enver Hoxhës, të mos informohej deri sa të jemi të bindur për diagnozën dhe të shohim nëse ka shërim apo jo, që të mos e rëndojmë.

VITO KAPO: Hysniut i kanë bërë disa herë analiza, por asnjëherë nuk më thanë se çfarë rezultati kishin analizat e tij, edhe sot nuk e di se si kanë dalë ato analiza. Gjithmonë më thoshin do bëjmë grafi, do bëjmë grafi dhe në fund asgjë. Mjekët shqiptarë ishin totalisht të pakujdesshëm për të marrë dokumentet e spitalit atje. Sepse kur vajti doktor Ylli Popa, më tha mua: Vito, nuk gjeta asnjë dokument të rregullt të pacientit Hysni Kapo! Kjo thotë shumë, apo jo?! U bë një lëmsh i qëllimshëm që të mos gjendej asnjë gjurmë për sëmundjen e tij dhe se çfarë kishin bërë mjekët me të.

Po grupi i mjekëve që e shoqëroi, duke filluar që nga zv.ministri i Shëndetësisë e deri te Ramiz Alia, si silleshin?

VITO KAPO: Ramizi dha urdhrin e goditjes me armë. Hysniu ka pasur vdekje me armë. E dini ju këtë?!

Ku ndodhi kjo? Në spital?!

VITO KAPO: Në spital. Hysniun e vranë me armë. Që nga momenti që erdhi Ramizi në Paris, Hysniut nuk i bënë asgjë tjetër, veçse analiza dhe analiza pa marrë vesh se çfarë nxirrnin ato analiza. E lodhën dhe e rraskapitën me analiza. Një ditë, Hysniu më tha: E ç’po bën dhe ky?! Unë i thashë se mbase do dalin në ndonjë konkluzion. Rri o Vito, se mua më këputën fare me këto analiza, më tha Hysniu. Të shikoje t’i bënin ditë për ditë analiza të tilla, ishte çnjerëzore. E çonin nga një laborator në tjetrin, sa u lodh. Hysniu ishte aq i këputur nga analizat, sa më thoshte: Vito, mbarova tani. Një fjalë që Hysniu nuk e thoshte kurrë nga goja e tij.

Çfarë ju tha ditën e fundit në spital?

VITO KAPO: Atë ditë vjen në mëngjes doktori francez dhe i heq tubat e oksigjenit. Unë i bërtita, i thashë çfarë bëni, ai është gjallë, ka nevojë për to, po komunikon me mua. Sapo iku ai, erdhi një mjek tjetër francez, i cili i hoqi ca tuba të tjerë, me të cilët merrte ilaçe. Moos, i thashë, mos ia hiq, unë po komunikoj me të. Unë bërtisja si e marrë në spital. Unë po flisja me Ramizin për mjekët francezë që i hoqën aparatet Hysniut. Hysniu më tha mua: “Vito, largohu!”. Atëherë, Hysniu iu drejtua Ramizit, i cili ishte aty në dhomë: “Bëjini të fala Enverit! Të rrojë Partia, të rrojë shoku Enver, të rrojë Shqipëria! Unë e di punën time, ju vazhdoni punën tuaj!”. Më pa mua që bërtisja, dhe më tha: Po fëmijët janë? Po, i thashë, janë. Pas këtyre fjalëve, Hysniu mbeti, ata i kishin dhënë plumbin. Unë shpërtheva në lot. Aty mbaroi Hysniu, para syve të mi. Se çfarë i dhanë, këtë nuk e di, por ai vdiq në moment. Hysniu mbaroi me qetësi, pa zhurmë, se si nuk e di, por ai ishte duke folur, duke pyetur për fëmijët dhe unë isha aty, prezente.

Ju e akuzoni Ramiz Alinë për vdekjen e Hysni Kapos. Edhe Mehmet Shehu ka dashur eliminimin e Hysni Kapos?

VITO KAPO: Jo, Mehmeti në fillim këmbënguli për ta çuar Hysniun jashtë shtetit për kurim. Ishte entuziast për këtë. Ai e donte Hysniun.

Çfarë ndodhi me ju pas vdekjes së Hysni Kapos?

VITO KAPO: Pas vdekjes së Hysniut, mua më vunë spiunë. Më vinin një herë në javë, më pyesnin si ia bën me këtë, si e bën këtë, për çështje pune, më provokonin me emra të përveçëm, ky nuk është i mirë, ky ka këtë defekt, që unë të shprehesha dhe të mbaja qëndrim. Donin të më vinin kundër shokëve dhe partisë, donin të dinin nëse unë isha kundër Mehmet Shehut pas ikjes së Hysniut. Dhe kuptohet se kërkohej një kundërvënie imja ndaj Mehmet Shehut. Unë jam shprehur se Mehmet Shehu ishte ushtarak edhe më i zoti se Hysniu për vetë shkollimin e tij ushtarak që ka pasur. Mehmeti e donte shumë Hysniun, kanë shkuar bashkë në shumë udhëtime të gjata.

Kush i dërgonte këta spiunët te ju?

VITO KAPO: Komiteti Qendror i Partisë.

Ramiz Alia?

VITO KAPO: Sigurisht, Ramizi, por dhe të tjerë, por ama nga Komiteti Qendror, jo nga qeveria.

Nexhmije Hoxha shprehet se ka pasur miqësi të madhe me ju, por sqaron se ju keni dyshime se Hysni Kapo është eliminuar, se ju nuk jeni njohur me sëmundjen e tij etj. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?

VITO KAPO: Mua, shoku Enver më ka mbrojtur shumë, në të gjitha drejtimet. Ai i tha Kryeministrit se Vito Kapo do të trajtohet si kandidate e Byrosë Politike. Nexhmija kishte punën e saj, nuk ishte dashamirëse, unë isha superiore në shumë detyra. Enveri më lavdëronte sa herë binte rasti. Unë di të them një gjë, që Nexhmija nuk e çau kokën për Hysniun, ndërsa Enveri u kujdes vazhdimisht. Sa herë Enveri vinte në shtëpinë tonë, shkonte te fotografia dhe gjithmonë thoshte: Sa më mungon, more Hysni!

Po me Ramiz Alinë, çfarë raportesh keni pasur pas vdekjes së Hysni Kapos?

VITO KAPO: I kam shkuar një herë për punën e bagëtisë, të tufëzimit, sepse filluan njerëzit të vinin dhe më ankoheshin. Unë i thashë se kisha ankesa nga fshatarët e Tërbaçit në Vlorë, që ishte lënë pa një pikë qumësht dhe zbrisnin në fushë për të marrë qumësht. Tërbaçi ishte fshat malor dhe duhet t’i lihej lopa në çdo shtëpi. Vendimi kërkonte që të mbahej bagëtia në zonat malore. Ramizi më tha: “Vito, për një gjë që është vendosur unë dhe ti nuk kemi çfarë i bëjmë më, vetëm do ta zbatojmë”.

Ju ka sulmuar Ramiz Alia gjatë viteve që nuk ka jetuar Hysni Kapo?

VITO KAPO: Ramizi më ka goditur kur ka qenë me Nexhmijen, por ajo që më ka goditur më shumë është Nexhmija. Hysniu, duke ndjerë fundin e tij, kishte bërë gati një libër për jetën e tij, ku një pjesë të tij e zinte familja, por edhe unë si bashkëshortja e tij. Ai i kishte këto të gjitha në dorëshkrime, por unë nuk i kisha parë asnjëherë. Por fëmijët, si gjithmonë, që nuk lenë gjë pa kërkuar, i kishin parë dhe lexuar. Këto dorëshkrime iu dërguan dhe shokut Enver. I kishte parë dhe Nexhmija.

Shoku Enver kishte shënuar që t’i kthehen materialet Hysniut. Më thërriti shoku Enver në zyrë, thërriti sekretarin e tij, Haxhi Kroin, dhe e pyeti: Shoku Haxhi, kush i ka marrë letrat e Hysniut? I kanë marrë?! Po, tha Haxhiu, i kanë marrë. Kush i ka marrë, pyeti shoku Enver? Haxhi Kroi uli kokën. Haxhiu i kishte marrë me urdhër të Nexhmijes.

Shoku Enver i tha: Ik, Haxhi, ik! Letrat e Hysniut as i kam parë dhe as m’i ka dhënë njeri që t’i shoh dhe as i kam lexuar. Nexhmija mua më ka pasur shoqe në shkollë, por më pas asaj nuk i vinte mirë që unë u ngrita në disa detyra. Unë isha në të gjitha organet e partisë, edhe pse ishte i tepruar ky angazhim. Hysniu këmbëngulte që unë të mos isha në shumë organe partiake dhe jam larguar me dëshirën time nga disa detyra. Hysniu më thoshte: Mos. moj Vito, çfarë bën, t’i do t’i mbulosh të gjitha?!

“Dyshimet e Vito Kapos për helmimin e Hysniut”

nexhi-enveri

Hysni Kapo vdiq në 23 shtator 1979, në Paris. As doktorët francezë nuk arritën t’ia zgjasnin jetën udhëheqësit komunist. Ishte Ramiz Alia ai që i dha lajmin e kobshëm Enver Hoxhës, përmes një radiogrami. Ky i fundit e kishte nisur vetë Ramiz Alinë në Paris, që të mund të ndiqte nga afër gjithë ecurinë e operacionit dhe kurimit të Hysni Kapos, ta mbante atë të informuar dhe t’i qëndronte pranë bashkëshortes së tij, Vitos. Këto tregon Nexhmije Hoxha në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, ku një kapitull më vete ia kushton raportit të të shoqit me Hysni Kapon. “Mbas përcaktimit të diagnozës së rëndë, Enveri ishte i preokupuar se si do ta priste Vitoja atë lajm të kobshëm. Duke njohur dhe temperamentin alarmant të Vitos, ai ishte i mendimit që ajo nuk duhej të vihej menjëherë në dijeni, pasi gjendja e saj emocionale mund të krijonte dyshime te Hysniu, i cili duhej të mbahej në gjendje sa më të qetë për ta përballuar situatën e rëndë”, shkruan Nexhmije Hoxha në librin e saj. Me këtë mendim të Enverit ishin edhe mjekët tanë, të cilët i jepnin një rëndësi të madhe qetësisë shpirtërore të pacientit. Në letrën që i dërgon M. Shehut, Ll. Ziçishti shkruan: “Bëmë çmos për të bindur profesor Aleksandrin që të mos i tregojë shoqes Vito diagnozën e vërtetë, siç veprohet në këto raste në Francë. Shoqes Vito iu shpjegua se u hoq fshikëza e tëmthit dhe u ndërhy në pankreas për heqjen e kistit, biopsia e të cilit paraprakisht tregoi për një proces me natyrë beninje. Për patologjinë e vërtetë janë në dijeni vetëm profesor Hoxha, doktor Gaçe, doktor Dinia dhe unë, kurse në Tiranë e di vetëm shoku Kadri, me të cilin jemi marrë vesh me anën e fjalëve konvencionale, që kishin përcaktuar më parë… Sot, gjendja e pacientit është e kënaqshme, ajo është më e qartë…por do të vazhdojë akoma të mbahet në repartin e reanimacionit… Kemi përshtypjen se pacienti nuk dyshon në gjë të keqe”. Në fakt, pas kësaj letre, gjendja e Hysniut u komplikua dhe radiogramet që vinin për të ishin të shumta, derisa mbërriti radiogrami i fundit, më darë 23 shtator, nga Ramiz Alia, ku thuhej: “Me pikëllim ju njoftoj se sonte, në orën 21:30, vdiq shoku ynë i dashur, Hysni Kapo”. Enveri e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen e Hysniut. “Nuk e shpëtuam dot, nuk ia zgjatëm dot jetën”, thoshte ai me hidhërim./ PANORAMA.al.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.