Rrëfimi i Canës: Ishim nën presion para Armenisë, në Francë jo si turistë

Oct 15, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

Kapiteni i Sh qipërisë, Lorik Cana, verën e ardhshme për herë të parë do të marrë pjesë në fazën finale të një ngjarjeje të madhe. Për këtë të arritur, kualifikimin në “Euro 2016”, Cana ka dhënë një intervistë për sajtin e skuadrës së tij, asaj franceze Nantes. Cana u është kthyer obligimeve në skuadër, pasi udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit historik, fitores ndaj Armenisë. Shqipëria është kualifikuar në Europian si e dyta e Grupit I, pas Portugalisë dhe para Danimarkës që biletën për këtë garë do ta kërkojë përmes garave shtesë “play off”-it.

Lorik Cana
Lorik Cana

Cana ka folur për kënaqësinë që kjo ngjarje do të mbahet në Francë, ku ai luan dhe ka luajtur më parë për Marseillen dhe PSG-në. Ka shprehur dëshirën që gjatë Europianit të luajë në dy stadiumet e dy ish-skuadrave të tij, në “Velodrome” dhe “Parc des Princes”. Ka folur për ecurinë e Kombëtares, për ndeshjet me Serbinë dhe Armeninë, për tifozët dhe pritjet që ka ekipi në “Euro 2016”.

Nuk është shumë e vështirë të kthehesh në klub pas një suksesi të tillë me kombëtaren?
Më shumë se festë, pas kualifikimit, kishte lodhje mendore. Ne kishim një presion të madh për t’u kualifikuar, sepse ishim fare afër këtij objektivi. Dhe, kur të keni arritur këtë ëndërr, mund të duket se ka mbaruar gjithçka në futboll. Jo vetëm pasojat fizike të ndeshjeve, por mendërisht kemi shpenzuar shumë energji. Por, hej, kur të mbërrish në vendin tënd, të pritesh si hero, të të përshëndesin mijëra njerëz, gjithçka harrohet. Pritja që na u bë në kryeqytet ishte me të vërtetë e mahnitshme. Ishte nga ato pritje që të mbeten në mend gjithë jetën. Je i lumtur sa nuk ka, sepse ke bërë diçka të mirë për ta.

A është kjo, një krenari e veçantë, sepse jeni edhe kapiten i kësaj kombëtareje?
Po, veçanërisht jam më i vjetri lojtar i kësaj kombëtareje. Ka që 13 vjet që luaj dhe evoluoj në kombëtare. Dhe jam shumë i lumtur që do të luaj një konkurrencë të madhe me vendin tim, para se ta lë futbollin. Kjo ishte ëndrra ime, kam luftuar për ta realizuar atë, jam munduar të bind edhe lojtarë të tjerë shqiptarë, të cilët luajnë jashtë vendit, për t’u bashkuar me kombëtaren tonë.

A ka një “paradhomë” ky kualifikim?
Tashmë, sikurse dihet, në Kupën e Botës 2014 kemi pasur një edicion të bukur. Kjo pati një luhatje në fazën e dytë të kualifikueseve, kur nisën ndeshjet e kthimit, falë lëndimeve, mungesës së përvojës, ritmit. Ne e pamë që nuk kishim potencial atë kohë, por kësaj here besuam deri në fund dhe ia dolëm. E filluam me një fitore në Portugali, e cila nuk ishte rastësi. Ndeshja në Serbi ka treguar se kemi pasur një kohezion të bukur brenda dhe jashtë fushës. Dhe pastaj na ka shoqëruar entuziazmi i publikut, i cili simbolizon vullnetin e popullit tonë për t’u bashkuar.

Kombëtarja përfaqëson një ndjenjë të unitetit kombëtar. Kjo është më e rëndësishmja. Ne, gjithashtu, kemi një trajner, që solli mentalitetin e tij. Eshtë italian dhe ka punuar me federatën për të bindur një numër lojtarësh që ishin lindur e rritur në vende të tjera, por iu bashkuan Shqipërisë. Besoj e dini që shumë lojtarë në kombëtaret e vendeve të tjera janë shqiptarë. Po ashtu, gjysma e ekipit tonë është “zviceran”, fjala vjen! Me këto afrime kemi bërë një ekip shumë të fortë. Kjo është e jashtëzakonshme.

Ky kualifikim shkon përtej futbollit …
Shqipëria ka 3 milionë banorë, por shqiptarët, si një e tërë, janë 7 milionë njerëz. Ne përfaqësojmë këto 7 milionë njerëz, pra kombin. Kur kemi luajtur në Danimarkë kemi pasur 10.000 mbështetës shqiptarë. Kjo është e jashtëzakonshme. Nuk ka qenë kurrë problem përkrahja e tifozëve, e bashkombasve tanë. Ne jemi me të vërtetë të lumtur që do të mund të vijmë në Francë.

A jeni tashmë heronj në Shqipëri?
Ka dy kontekste: nuk është vetëm imazhi që i japim jashtë Shqipërisë, por aty është dhe mesazhi i të kaluarës për popullin tonë. Kur ne jemi së bashku, vërtet mund të arrijmë diçka të mirë. Me këtë kualifikim i dhamë popullit tonë gëzim dhe krenari në jetën e tyre të trazuar. Shqipëria është ende një vend në tranzicion. Ne jemi me të vërtetë të lumtur për këtë sukses.

Keni qenë i frikësuar për kualifikimin?
Po, sepse humbën dy ndeshje në fushën tonë, në kohën shtesë. Koha e rregullt kundër Serbisë ishte 0-0, ne po e kontrollonim lojën. Sapo mësuam se Portugalia shënoi ndaj Danimarkës, menduam të fitojmë dhe ta mbyllnim para tifozëve tanë çështjen e kualifikimit. Por, në kohën shtesë, djemtë shkuan të gjithë përpara. Serbia na kundërsulmoi dhe na shënoi dy gola të shpejtë. Sidoqoftë, ende e kishim fatin në duart tona. Për këtë ishte e nevojshme të fitonim në Armeni, diçka që nuk kishte qenë e lehtë për ekipet e tjera. Ndeshja ishte e madhe për ne.

Dhe tani jeni finalistë në Europianin e Francës…
Kjo është arsyeja pse kam kërkuar të bëj diçka të jashtëzakonshme me kombëtaren! Para se të “pensionohem” nga ekipi kombëtar kam kërkuar të luaj në një konkurrencë të madhe. Dhe nëse kjo ndodhi në Europianin e Francës, është edhe më bukur. Tani do të presim verdiktin e shortit, që hidhet në dhjetor, por do të doja një ndeshje në “Velodrome” dhe “Parc des Princes”. Përpara kemi një sezon për t’u përgatitur për Europianin, ndërsa tani mendoj vetëm për FC Nantes. Besoj se jam në kushte ideale për të mbërritur sa më i fortë në finalet e “Euro 2016”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura