Rrëfehet ish-anëtari i Byrosë Politike: Ja pse Enver Hoxha shumë drejtues të shtetit i mori drejtpërdrejt nga prodhimi

Jul 28, 2018 | 22:10
SHPËRNDAJE

“Enver Hoxha ushqente respekt tepër të sinqertë për punëtorët dhe kooperativistët e ishte kjo arsyeja që ai tek ata shikonte kuadrot e deri edhe udhëheqësit e partisë”. 

Këtë argument jep në dorëshkrimet e tij të radhës, Rita Marko, ish-anëtari i Byrosë Politike, që “Albanian Free Press” i sjell  lexuesit për të 12-tin numër radhazi. Sipas tij, Enveri shumë drejtues i mori direkt nga puna dhe prodhimi, “sepse këta njerëz kishin jo vetëm ngritjen e verifikuar personale, por edhe moralin e konsoliduar të klasës nga vinin”. 

“Udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha, bënte kujdes të  madh për ruajtjen e thjeshtësisë tek kuadrot, duke i parë kuadrot jo si të privilegjuar, por si të ngarkuar vetëm me punë  të rëndësishme”, shkruan më tej ai…

Përgatiti: Albert Zholi

Kritikat e Enverit ishin kurdoherë parimore

Rita Marko rrëfen një episod mes tij dhe ish-udhëheqësit socialist, teksa ai i e kritikoi për diçka të gabuar ndaj tij dhe si reagoi ai

Ndodhte që ishin edhe tepër të rrepta, por kurrsesi nuk të ligështonin. Ato të shtinin në mendime, të bënin të analizoje në vetvete veprimin për të cilin kritikoheshe dhe t’i viheshe punës më i mobilizuar. Më ka bërë mjaft përshtypje një rast në vitin 1978, kur shoku Enver më kritikoi, se përse unë nuk kisha marrë pjesë në një studim të ndërmarrë nga Komiteti Qendror i Partisë lidhur me organizatat e masave, në radhë të parë me Bashkimet Profesionale, por kisha ndjekur disa çështje të tjera! Ashtu e kishin informuar.

Kjo për mua ishte një kritikë e rëndë. Veprimi im, po të ishte e vërtetë, tregonte se nuk vlerësoja detyrat e rëndësishme, gjë që nuk mund t’ia lejoja vetes kurrë. Gjeta rastin dhe e sqarova shokun Enver. I shpjegova se e vërteta qëndronte ndryshe dhe për këtë ishte në dijeni edhe shoku Ramiz Alia. Ai më dëgjoi. U dëshpërua që isha kritikuar padrejtësisht dhe u mundua të më qetësojë. Ndaj atyre që e kishin shtrembëruar të vërtetën, u revoltua. E kisha parë kaq herë, por e vura re edhe në rastin tim, sesi ai nuk ndihej i qetë sa ta vinte në vend padrejtësinë.

Pra, kur ishte fjala për të kritikuar shokët kur bënin ndonjë gabim, nuk ta përtonte, por gjithnjë me takt dhe në kohën e duhur. Më ka qëlluar të jem i pranishëm në mjaft raste kur shoku Enver thërriste në zyrë dhe i kritikonte rreptë disa, që në atë kohë ishin në funksione të larta në parti dhe në shtet, por megjithë ndihmën e madhe që u qe dhënë, ata u zhytën thellë e më thellë në rrugë të gabuar. Parimësinë dhe drejtësinë e kritikave e të këshillave të shokut Enver ndaj tyre, nuk kam ndër mend  ta shtjelloj, se ato i ka provuar koha.

Enveri ishte novator, sistematik e këmbëngulës i madh në çdo punë

Të tjera karakteristika të ish-udhëheqësit komunist, në lidhje me punën dhe mënyrën sesi operonte ai

Shoku Enver ishte novator, sistematik e këmbëngulës i madh në çdo punë. I niste punët pas konsultimesh dhe këshillimesh me shokë të udhëheqjes, me specialistë e punonjës të thjeshtë. I rrihte mendimet me shumë  njerëz, i mblidhte ato me kujdes si pikën e mjaltit dhe, kur bindej, kërkonte të merreshin vendime, fatin e të cilave e ndiqte  deri në fund.

Unë nuk do të flas për këtë tipar të veçantë të metodës së tij të punës në përgjithësi, por do të sjell ndonjë shembull, që tregon sesi ndikonte te të tjerët t’u hynin punëve të vështira, të  merrnin përsipër e të zgjidhnin probleme kyçe. Ai nxiste shokët dhe bashkëpunëtorët të diskutonin , të jepnin mendime e kudo që shkonte, idetë e veta për çështje të caktuara në biseda të ndryshme, herë njërën dhe herë tjetrën, i hidhte për diskutim. Në raste të volitshme mbante shënime aty për aty, por ndodhte që mendimet që  dëgjonte i hidhte në bllok më pas. I respektonte mendimet e të tjerëve.

Atyre që u drejtohej për gjithçka, sidomos kur fliste për  probleme të specialitetit dhe të fushës së tyre të veprimtarisë, u vinte veshin me vëmendje, u kërkonte të shpreheshin lirshëm për gjithçka dinin. Në të gjitha rastet ai vetë kishte një mendim të tij, sepse për ato që u drejtohej të tjerëve, gjithnjë mendohej gjatë, por nuk shprehej qysh në  fillim. “Të dëgjojmë më parë shokët se ç’do të na thonë. Po të flasim ne, i influencojmë me mendimet tona, kurse ne  kemi nevojë për mendimet e tyre”, arsyetonte dhe shprehej vetëm pasi bindej se kishte dëgjuar gjithë ç’mund të dëgjonte. Njerëzit e punës, nismëtarët e së resë, i përkrahte, i inkurajonte, i përmendte në fjalime, në raportet dhe bisedat e tij sa herë që i binte rasti. Këtë e kërkonte edhe nga ne.

Të plotë e gjeni në: Gazeta Tema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura