Roland Tasho, rikthim në Budapest pas 22 vjetësh

Apr 6, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

“Ishte po ai qytet i bukur me ndërtesat mahnitëse, tashmë të pastruara dhe plot me turistë dhe… asnjë ndërtim”. Një vit më parë, Roland Tasho pati mundësi të fotografojë sërish Budapestin.

Diplomati Gyorgy Lukacs, me kostum popullor shqiptar
Diplomati Gyorgy Lukacs, me kostum popullor shqiptar

Plot 22 vjet më pas do të rikthehej në gjurmët e një prej eksperiencave më mbresëlënëse në karrierën e tij prej fotografi. Dje, në galerinë FAB, me rastin e vizitës në Tiranë të Presidentit të Hungarisë, Janos Ader, Tasho hapi ekspozitën fotografike “Unë dhe Budapesti”.

Një rikthim në Budapestin që kishte vizituar në vjeshtën e vitit 1994. Ashtu si atëherë, Budapesti vazhdon të jetë njëri prej kryeqyteteve më të bukura të Europës, i cili ruan vlerat e çmuara të një trashëgimie që për sytë e një shqiptari, e aq më tepër të një fotografi, paraqesin një fizionomi të veçantë e të spikatur të vlerave europiane.

Roland Tasho, i cili e nisi rrugëtimin fotografik në 1982, asokohe, vinte pas eksperiencave të papërsëritshme për një profesionist që dokumenton historinë me aparatin e tij.

Ndryshimi i sistemit, dyndja e shqiptarëve nëpër ambasada, ikjet me anije dhe vitet e vështira të tranzicionit që pasuan ishin njëra anë e medaljes për një fotograf që fikson në celuloid jetën, njerëzit dhe historinë.

Një rastësi fatlume dhe një bashkëpunim i frytshëm me Ambasadën Hungareze në Tiranë në 1994-n do t’i jepte mundësinë të njihej për herë të parë nga afër me Budapestin, parajsën e formave të artit barok, ku lëvizin turistë nga e gjithë bota.

Edhe në vizitën e një viti më parë, ai do të provonte sërish magjinë e dikurshme, urat mbi Danub, turistët që fotografohen nëpër qytet, veçse fotografi merr me vete edhe eksperiencën e gjithë këtyre viteve. Tanimë ai nuk është më shqiptari që përballej me botën. Ndërsa asokohe përpiqej të merrte sa më shumë nga Budapesti, sot përpiqet të çojë edhe diçka shqiptare atje.

“Tashmë në kryeqytetin e Europës marr me vete dhe kostume popullore shqiptare, ku vesh të huaj që kanë lidhje me vendin tonë. Një ndër ta është edhe shkrimtari dhe diplomati Gyorgy Lukacs”, tregon Tasho.

Nga viti 1992 e deri më sot, Roland Tasho ka çelur mbi 60 ekspozita fotografike në Shqipëri, Itali, Hungari, Francë, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Austri, Argjentinë, Portugali, Greqi etj. Ka botuar dhjetë libra me fotografi dhe është nderuar me pesë çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura