“Rojat e Taxhit”, Altin Basha: Shqipëria vuan nga autoritarizmi

Dec 15, 2017 | 13:59
SHPËRNDAJE

ALMA MILE / A do të ndërrojë mendimi i të gjithë atyre që e konsiderojnë Taxh Mahalin si një nga simbolet e bukurisë dhe dashurisë. Altin Basha thotë po. Sepse pas asaj bukurie të bardhë, nuk fshihet thjesht një ngjarje tronditëse, por sepse ajo është shprehje e autoritarizmit, bindjes ndaj pushtetit, ndërsa hedh dritë dhe zbulon raportin që njeriu ka me këto përmasa.

rojet-e-taxhmahalit-298x186

Pas komedisë së zezë “Made in Albania”, regjisori Altin Basha rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, por jo më me një vepër shqiptare. Ai ka zgjedhur veprën “Rojat e Taxhit” të autorit amerikan Rajiv Joseph.

Një komedi e zezë që i vendos ngjarjet në shekullin XVII, mbrëmjen përpara përurimit të ndërtesës Taxh Mahal, por që nga India e largët, mund të hiqen paralele me Shqipërinë sot.

rojat e taxhit

Sipas regjisorit, “Taxh Mahal është memoria më e bukur e dashurisë së humbur, por pas së cilës fshihet një legjendë dramatike, e cila sot jep ca mesazhe paralele”. I rrethuar nga koreografi Gjergj Prevazi, kompozitori Endri Sina, aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, Basha paralajmëron se “Rojat e Taxhit” nuk është një vepër komerciale, por vjen “si një tentativë për një standard të ri teatror”, që është e sigurt se nuk do të tërheqë shumë publik, por do të afrojë publikun e kultivuar.

Basha, i cili në shumicën e kohës është duke punuar për një spektakël humori si “Portokalli”, me një popullaritet shumë të madh, në këtë fazë të karrierës së tij duket se nuk ka më nevojë për popullaritet, por për të rritur nivelin e kërkimeve, për të sjellë në skenë forma të reja shprehëse, të eksperimentojë, dhe t’i largohet gjuhës së teatrit të dalë mode. Sipas tij, teatri është një vend ku provokohet, ku publiku bëhet pjesë dhe nxitet të reflektojë. Dhe këtë synon ai me këtë vepër.

Basha zbulon se teksti është provokues dhe me shumë gjasë do të hapë debat, pasi eksploron disa tema, që sipas tij evitohen nga komunitetet artistike. Duke kujtuar tranzicionit e pafundmë shqiptar, me aq shumë probleme, që përsëriten vazhdimisht dhe që duhet të shihen në sy, Basha thotë se “teatri duhet të ndihet i lirë për mesazhet që jep. Në Shqipëri edhe sot kemi elementë shumë të fortë të autoritarizmit dhe teatri është një mjet për të thënë gjërat. Kemi si detyrim të përdorim mjetet që na jep teatri”.

NJË SPROVË PSIKOFIZIKE

“Rojat e Taxhit” interpretohet nga vetëm dy aktorë, nga Gazmend Gjoka, që rikthehet në skenë pas një periudhe të gjatë mungese, ndërsa i është kushtuar më së shumti mësimdhënies në Universitetin e Arteve, dhe Lulzim Zeqja, një ndër aktorët më të angazhuar në Teatrin Kombëtar. Regjisori Basha u ka besuar atyre rolet e dy rojave, Humaxhunit dhe Baburit, të cilët janë caktuar të ruajnë ndërtesën ende të pazbuluar të Taxh Mahalit.

Një shërbim që do të kthehet në një sprovë të vërtetë për dy personazhet, të cilët janë dy miq, miqësia e të cilëve do të vihet në provë kur vihet përballë presionit të pushtetit. Një sprovë do të jetë edhe për dy aktorët, të cilët nuk do të interpretojnë dy role të zakonshme. Roli e tejkalon interpretimin e teatrit tradicional. Ata përballen me sfida të vërteta psikofizike.

“Janë role të thella, dramatike, një sfidë e jashtëzakonshme fizike dhe në drejtim të aktrimit, që kalon përtej skemave të tejkaluara të teatrit statik”, thotë Basha, duke shuar se kjo kërkon kapacitete, të cilat ai i ka gjetur tek aktorë si Gazmend Gjoka, me të cilin ka bashkëthemeluar dikur kompaninë teatrore “Oaz” dhe ka realizuar të tjera projekte; si dhe Lulzim Zeqen, me të cilin e lidhin të tjera bashkëpunime.

Për aktorin Gazmend Gjoka, e rëndësishme është që publiku të sensibilizohet në lidhje me teatrin, që është një ushqim shpirtëror, e bashkë me ta edhe ata që financojnë teatrin, pasi sipas tij, janë kohëra të vështira financiarisht. Sa i takon veprës, ai thotë se u është dashur të bëjnë një punë rigoroze psikofizike, për t’iu përgjigjur dinamikës dhe kërkesës së pjesës.

Siç tregon ai, dy personazhet e pjesës e nisin këtë rrugëtim si roje, por kalojnë një kalvar të vërtetë mundimesh fizike dhe mendore. Aktori Lulzim Zeqja e konsideron një rol sfidues për nga energjia që kërkon dhe përcjell, një vepër të angazhuar, që shpreson të shkojë te publiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura