Duhej të ishte një nga ndeshjet më të mëdha të këtyre muajve, por suspe4rsfida mes britanikëve Konor Ben dhe Kris Eubank Xhunior, është anuluar pasi autoritetet e boksit britanik kanë zbuluar se i pari ka rezultuar pozitiv ndaj një substance të ndaluar. Një vendim që mund të kthejë në ring Florian Markun për duelin më të rëndësishëm të karrierës.
Në testet e kryera pak ditë më parë, Konor Ben, i cili është rivali të cilin sfidon prej kohësh Florian Marku, ka rezultuar pozitiv ndaj substancës së ndaluar klomifen dhe nuk lejohet të marrë pjesë në këtë duel që ishte suspersfida e kësaj fundjave në Londër.
“Konor dështoi një test dopingu? Nuk më bën përshtypje. Nëse Kris Eubank Xhunior e do, unë jam gati”, ishte postimi i tij duke treguar se i mjafton një sinjal për të përgatitur me shpejtësi duelin e të shtunës.
Ndeshja e fundit e Markut ishte më 25 gusht ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez, në duelin që fitoi në “Air Albania” duke çuar në 12 fitore, 1 barazim e 0 humbje rekordin e tij në ringun profesionist. Ndërsa Eubank Xhunior ka një rekord prej 32 fitoresh e 2 humbjesh në ringun profesionist. Mendohet se si Konor Ben, ashtu edhe Kris Eubank Xhunior, do të përfitonin mbi 2 milion paund secili nga superdueli i kësaj fundjave ndaj pjesëmarrja e Markut qoftë edhe si zëvendësues i njërit në këtë sfidë do të sillte përfitime kolosale për boksierin shqiptar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al