Rikthimi pas 27 vjetësh, kryeneçja nuk zbutet dot

Mar 8, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Kryeneç = kokëfortë”. “Kokëfortë = që mendon e vepron sipas kokës së vet, pa pyetur asnjeri; që qëndron me këmbëngulje në mendimin e vet, megjithëse s’ka të drejtë; që nuk bindet; që është karakteristik për një njeri me tipare të tilla”.

Ky është përkufizimi i fjalës “kryeneç/e” në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, por në konceptin e regjisores Elma Doresi, nuk kemi të bëjmë thjesht me një kokëfortë, por me një mace të egër, që nxjerr kthetrat, madje bën edhe “kthhhhh”, si bishë e tërbuar.

Këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar nisi të shfaqet komedia e Shekspirit “Zbutja e

Gjate shfaqjes
Gjate shfaqjes

kryeneçes”, një sfidë e marrë përsipër nga regjisorja Elma Doresi. Që në momentin që kjo vepër vihej pas “Tri motrave të Çehovit”, e cila pati një sukses të dukshëm, regjisorja ishte në disfavor. Do të duhej të ruante nivelin, çka ishte e vështirë.

Në disfavor, edhe për shkak se ajo do të rivendoste një vepër të ngjitur në skenë 27 vjet më parë nga regjisori Fatos Haxhiraj, me një kast aktorësh të shkëlqyer, interpretimi i të cilëve ka lënë mbresë jo vetëm në kohën kur u luajt, por ndiqet me kënaqësi edhe sot. Disfavori thellohet menjëherë pasi prezantohesh me skenografinë. Skenës së bukur, era panjë të Çehovit, ia kishte lënë vendin dyshemeja e vjetër e rrjepur e TK.

SHFAQJA

Regjisorja ka vendosur që qysh në fillim të na prezantojë me personazhet, që nga Baptista Minola, një plak gungaç, me rrobë të kuqe kardinali, baba i dy vajzave për martesë, te kandidatë për dhëndurë e shërbëtorë.

teatriPrezantimin e bën njëri prej protagonistëve, Luçencio (Devis Muka), që nëse nuk do të ta thotë vetë ai se cili është, mund të mendosh se është loloja i fshatit, i krehur dhe i veshur më shumë si një arlekin sesa si një dashnor i flaktë, që do të duhet të shfaqet më vonë. Paskëtaj, historia merr udhë.

Formula është e thjeshtë. Një baba nuk mund të martojë vajzën e vogël, edhe pse ka shumë mëtues, madje që ofrojnë para të madhe, nëse nuk marton të madhen, me një karakter të vështirë. Por ajo nuk ka një karakter të vështirë se… Kryeneçja, që jo pa qëllim quhet Katerina – Kat (Cat-mace), interpretuar nga Gladiola Harizaj, del në skenë si një “catwoman”, si një Halle Berry, e veshur e gjitha në meshin të zi dhe me një kamxhik në dorë.

Ajo bërtet me sa ka në kokë, është harbute dhe qëllon majtas e djathtas. Sigurisht që nuk ka burrë që t’i qaset asaj, duke i zënë radhën Biankës së mbarë, interpretuar nga Klea Huta, rrotull së cilës vijnë kandidatë të shumtë. Dy më këmbëngulësit janë plaku i kërrusur Gremio, interpretuar nga Neritan Liçaj, i cili rri mirë në karakter dhe Ortensio, në lojën e Klodian Hoxhës, me një bark të madh të panatyrshëm. Kësaj dysheje i shtohet edhe i riu Luçencio i ardhur nga Piza dhe shërbëtori i tij Tranio (Lulëzim Zeqja), që zënë vendet e njëri-tjetrit për t’i fituar zemrën të ëmblës Bianka.

Por Baptista (Sokol Angjeli) nuk tutet nga e tij, ai duhet të martojë më parë Katerinën. Këtu futet në lojë “zbutësi”, Petruçio, një djalë nopran që do të martohej edhe me djallin vetë po të kishte para me bollëk. Helidon Fino, një nga aktorët kryesorë të TK, nuk e ka të vështirë të ndërtojë një figurë të tillë, i vjen natyrshëm, por duke qenë se Katerina ishte një kryeneçe e tërbuar, do të duhej të ishte edhe zbutësi i tillë. Ai shoqërohet nga shërbëtori i tij besnik Grumio, Mehdi Malkaj, që duket sikur ka ardhur direkt nga shtëpia e Prozorovëve.

KONCEPTI

Shfaqja, më shumë se 2 orë e gjysmë e gjatë, ishte mbështetur më së shumti te veprimi. Dialogu mbetet i zbehtë. Teksti i bukur i Shekspirit me hedhje-pritjet e dy të rinjve, që edhe pse me karaktere të vështira, duket se e pëlqejnë njëri-tjetrin menjëherë, humbet në një përleshje trup me trup, me shuplaka në prapanicë dhe puthje. Regjisorja u ka mëshuar momenteve, për të cilat është e sigurt që do të krijojnë humor.

Ditën e dasmës, Petruçio, nga një fisnik, shndërrohet në një bari, që sjell me vete një si karrocë ngjyra-ngjyra, që duhet të ishte një kalë i zgjebosur, gjen të tmerrojë dasmorët, duke u mbllaçitur e duke bërtitur e pështyrë gjithandej copëra karotash, që i ka varur në qafë. Dhe kjo skenë nuk zgjat pak. Ai vjen vërdallë dhe pështyn dynjanë, duke krijuar një gjendje neverie. E ndërsa strategjia e tij për të zbutur kryeneçen me armën e saj vazhdon, kjo e fundit nuk shfaq në asnjë moment thyerjeje, por edhe pse e uritur dhe e pagjumë vazhdon të bërtasë si më parë.

Ajo që duhet të ishte një dashuri-urrejtje, nuk duket asgjëkund. Dhe kur kthehet në shtëpinë atërore ditën e dasmës së të motrës, e shndërruar në një vajzë e urtë dhe mban një referat mbi sjelljen e gruas, Katerina nuk është fare bindëse. Nga ana tjetër, Luçencio, që vetëm dashnor nuk mund të jetë, nuk di as t’i vardiset të dashurës së zemrës, e s’merret vesh se si e kandisi Biankën të dashurohet me të.

Dhe në fund, këtë, se ç’e gjen e shndërrohet nga një kotele në një bishë. Duke u përpjekur të ndërtojë një shfaqje gazmore, regjisorja i ka ikur thelbit të saj, u ka humbur karakterin personazheve. Shndërrimi i tyre është pambështetur dhe i gjithë konceptimi i shfaqjes sipërfaqësor. Nëse mund të të bëjë për të qeshur? Pati shumë nga ata që qeshën. Po për të menduar e reflektuar, siç i takon një Shekspiri, jo!

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura