Rihapet portali i Maturës, 4 ditë afat për të aplikuar

May 3, 2016 | 15:00
SHPËRNDAJE

Pas kërkesave të shumta nga maturantë të viteve të kaluara që kanë përfunduar me sukses provimet e Maturës, por që për arsye nga më të ndryshmet nuk janë pjesë e universitetit, Ministria e Arsimit rihap aplikimet në portalin e Maturës Shtetërore.

Maturante te shkolles Arben Broci, duke dale pas provimit te Letersise, per Maturen Shteterore1Regjistrimet nisin sot e përfundojnë në datën 6 maj. “Të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar Maturën Shtetërore përpara vitit 2016 dhe nuk kanë asnjë detyrim për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore dhe që dëshirojnë të aplikojnë më pas në programet e studimit në IAL-të publike apo private, duhet të plotësojnë Formularin A1Z online”, thuhet në njoftimin për shtyp të MAS.

Për ta, Ministria ka vënë në dispozicion katër ditë për të plotësuar formularin, në të cilin përzgjedhin lëndët me zgjedhje, duke i bërë pjesë e garës. Kështu, plotësimi nis me ish-maturantët kryeqytetas, Durrësin, Kavajën, Krujën, Mirditën, e Kamzën për të përfunduar me ata në rrethe, sipas kalendarit të poshtëshënuar.

PLOTËSIMI

Ndryshe nga maturantët e sivjetmë apo të viteve të kaluara që janë mbetës në një prej lëndëve me detyrim, maturantët që aplikojnë në këtë sezon kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe kanë marrë tashmë diplomën. Kështu, në Formularin A1Z, ata duhet të zgjedhin dy nga lista me 27 lëndë me zgjedhje ku ata mendojnë se mund të marrin rezultatin maksimal, çka i çon drejt universitetit që dëshirojnë të ndjekin.

formulariNjësoj si maturantët që plotësuan A1Z në fillim të muajit prill, edhe këta aplikantë duhet të drejtohen në shkollat ku kanë përfunduar arsimin e mesëm për të plotësuar dokumentin. Kushti i vetëm që ky hap t’u quhet është që ata të mos figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi.

Formulari, i cili mund të gjendet edhe në faqen zyrtare të MAS apo AKP, përmban tre sesione: të dhënat personale me gjeneralitetet e aplikantit, të dhënat shkollore, si dhe të dhënat lëndore ku shënohen në dy kuti lëndët e përzgjedhura nga maturanti për t’u testuar. Gjithsesi, gjatë këtij procesi në ndihmë të tyre do të asistojë një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet ‘mbikëqyrës’.

Ndërsa kandidati duhet të ketë parasysh mbajtjen e kontakteve me përfaqësuesit e shkollës për t’u njoftuar më vonë për pasqyrimin e të dhënave shkollore të gjimnazit në formularin e aplikimit.

Qëllimi i Formularit A1Z është hedhja e të dhënave të aplikantëve në një databazë për t’ua ofruar më pas universiteteve ku ata dëshirojnë të ndjekin studimet e larta. Mbi bazën e treguesve të kandidatëve, si dhe kritereve që ka përcaktuar secili institucion i arsimit të lartë, do të kryhet përzgjedhja e fituesve në fund të muajit gusht.

KALENDARI ME DATAT

03.05.2016 Tirana Qytet, Tirana Qark, Durrës, Kavajë, Krujë, Kamzë, Mirditë.

04.05.2016 Tirana Qytet, Tirana Qark, Dibër, Vlorë, Gjirokastër, Peqin, Gramsh, Librazhd, Sarandë, Skrapar, Përmet.

05.05.2016 Elbasan, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Berat, Kuçovë, Kurbin, Kukës, Mat, Delvinë.

06.05.2016 Fier, Mallakastër, Tepelenë, Lushnjë, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Lezhë, Bulqizë, Has, Tropojë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura