Rënia ekonomike gjatë pandemisë, INSTAT: Më e ulët se pritshmëritë. Kush e dha peshën më të madhe në ringritje

Apr 1, 2021 | 10:43
SHPËRNDAJE

Denaj-arsimi-profesional

BESARTA BASHA/ Raporti i fundit i Institutit të Statistikave ka hedhur poshtë gjithë parashikimet e zymta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Ministrisë së Financave e institucioneve të tjera financiare mbi shkallën e goditjes që do të merrte vendi ynë si pasojë e pandemisë.

Recensioni i ardhur si pasojë e krizës që mbërtheu gjithë globin rezulton në vlera më të përmbajtura në raport me pritshmëritë dhe shqetësimet fillestare.

Këtë thonë statistikat zyrtare të INSTAT, në vlerësimin paraprak për prodhimin e brendshëm bruto për vitin pandemik 2020, i cili pësoi një rënie prej 3.31% në një kohë që Ministria e Financave e priste 4.4%.

Raporti ka nxitur shqetësim në radhët e ekspertëve ekonomikë, të cilët mendojnë se ai nuk reflekton gjendjen reale të ekonomisë, ku shumë sektorë janë në pikë kritike, ndërsa qytetarët janë varfëruar nga shpenzimet për trajtimin e Covid-19.

RAPORTI

Paratë që shqiptarët kanë shpenzuar për ilaçe apo ato të investuara nga qeveria për rindërtimin, të dyja këto të lindura si nevojë pas goditjeve të pandemisë e tërmetit, kanë bërë që rënia ekonomike të mos u përgjigjej skenarëve më të zymtë të autoriteteve ekonomike në vend apo në botë.

Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2.99% dhe duke ekuilibruar, sipas INSTAT, rënien e fortë në tremujorët e mëparshëm, kur ndodhi edhe karantina.

“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2020 vlerësohet me rritje prej 2.99 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: ndërtimi me administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, aktivitete të pasurive të paluajtshme, industri, energji dhe uji e të tjera”, citohet në raportin zyrtar. Lëshimet që bënë bashkitë në mbledhjen e disa taksave dhe aktivitetet që nuk punuan gjatë karantinës kanë ndikuar më keq në ekonomi, sipas INSTAT.

“Negativisht kontribuuan aktivitetet: tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor, bujqësi, pyje dhe peshkim. Taksat neto mbi produktet kontribuuan negativisht”.

MINISTRJA

Për ministren e Financave, Anila Denaj, këto të dhëna janë pozitive, pasi parashikimet ishin më të zymta.

“Është dukshëm më i ulët se parashikimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, FMN, Banka Botërore dhe BERZH, të cilat parashikuan një ulje të ekonomisë shqiptare nga -7,5 deri në 9% për vitin 2020. Kjo ulje e ekonomisë me vetëm – 3,31% tregon një amortizim të goditjes së ekonomisë shqiptare jo vetëm nga pandemia, por edhe nga tërmeti, një menaxhim efektiv me masa konkrete”, tha Denaj.

Ky impakt më i përmbajtur i goditjes në ekonominë e vendit sipas nr. 1 të Financave është bërë edhe falë mbështetjes ndaj biznesit gjatë kohës së pandemisë dhe është dukshëm më i kontrolluar se sa recensioni mesatar i vendeve të rajonit prej -5.14%. Por cilët janë sektorët që kanë dhënë një kontribut më pozitiv në ekonomi gjatë vitit të pandemisë.

“Aktivitetet kryesore që kanë ndikuar në rritjen ekonomike më të ulët negative se sa parashikimet janë sektori i ndërtimit, i aktiviteteve financiare dhe sigurimeve dhe informacion-komunikacioni”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura