Regjistrimi online dhe “Delta” prishin planet e ministrisë për zhvendosjet e mësuesve në shkolla. Procesi shtyhet deri më 5 shtator

Aug 17, 2021 | 13:59
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Dështimi i fazës së parë të regjistrimeve online për klasat e para dhe të dhjeta si  dhe agresiviteti i shtuar i COVID-19 në  javët e fundit ka detyruar Ministrinë e  Arsimit të shtyjë afatin për rekrutimin e  mësuesve të rinj në shkolla.

testimi i mesuesve

Duke qenë se të parët që rehabilitohen janë mësuesit në sistem, domethënë ata që janë të punësuar, por kanë bërë kërkesë për lëvizje paralele, MAS ka vendosur “të ngrijë” procesin deri një javë përpara datës së përcaktuar për nisjen e vitit të ri shkollor.

URDHRI 

Pa një numër të saktë klasash, informacioni që merret vetëm në përfundim të regjistrimit të të gjithë nxënësve, shkollat nuk mund të kalkulojnë numrin e mësuesve që do të japin mësim.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vlerëson punën përgatitore dhe të gjitha masat e marra deri më tani nga të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar lidhur  me kryerjen e procedurave për regjistrimin e nxënësve dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2021-2022, por duke qenë se procesi i regjistrimit të fëmijëve/nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar nuk ka përfunduar, për rrjedhim nuk mund të përcaktohet ende ngarkesa mësimore  e mësuesve”, thuhet në dokumentin nisur katër drejtorive rajonale arsimore.

Një tjetër faktor përcaktues për shtyrjen e rekrutimit të mësuesve të rinj në shkolla është edhe situata pandemike. Nëse përkeqësohet situata, skenari i dytë ose i tretë i kthen fëmijët drejt mësimit online, i cili nuk shtron nevojën e rekrutimit të shumë mësuesve (përveçse në rastet kur infektohen).

“Duke marrë në konsideratë situatën epidemiologjike në vend, në varësi të skenarëve që do të aplikohen për zhvillimin e procesit mësimor në institucionet arsimore parauniversitare, bazuar në vendimet e komitetit teknik të ekspertëve, në përputhje edhe me protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, në zbatim të legjislacionit në fuqi, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë kërkon nga të gjitha institucionet arsimore përgjegjëse për arsimin parauniversitar të marrin masa urgjente për shtyrjen e afatit të kryerjes së procesit të lëvizjeve paralele të mësuesve në institucionet e arsimit parauniversitar, për ta  përfunduar këtë proces deri në datë 5 shtator”, nënvizohet në dokumentin që është tashmë në çdo zyrë arsimore në datën 12 gusht.

Sipas informacioneve, vendimin për lëvizjet  paralele, Zyra Arsimore e Tiranës duhet ta merrte në datën  13, vetëm një ditë pas urdhrit. Madje, në faqen e saj zyrtare  ka një listë me emrat që u është miratuar leja si dhe vendet  vakante në të gjitha shkollat e saj. Kjo listë, sikundër edhe të tjera në zyrat arsimore të vendit, do të rrijë pezull për të paktën tri javë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura