Regjistrimi i pasurive, Manjani: Si dallohem unë nga 9 të tjerët që kanë identitetin tim

Sep 20, 2016 | 16:53
SHPËRNDAJE

Nisi sot faza e parë e procesit që do të mundësojë kthimin e regjistrave të pasurive të paluajtshme nga stadi aktual manual, në atë dixhital. Sipas Ministrit Ylli Manjani ky është vetëm fillimi i një projekti shumë të madh që mundëson shmangien e mbivendosjes së emrave.

manjani dhe muho

Duke iu referuar një shembulli konkret që lidhet pikërisht me eksperiencën personale, Ministri Manjani sqaroi se janë 10 persona me emër dhe mbiemër të njëjtë me të dhe pikërisht sipas tij procesi i sapo nisur do të garatojë që me numrin e identitetit të tij personal, emrin, mbiemrin dhe datën e lindjes kushdo i interesuar mund të gjejë se çfarë pasurie ka ai dhe cfarë pasurie ka 9 personat e tjerë me emrin Ylli Manjani.

“Sot ne fillojmë të shmangim mbivendosjen për shkak të gjendjes juridike, emrit të ngjashëm apo dokumentave të ngjashme. Në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka më të paktën mbivendosje ose ngatërresa emrash dhe me kalimin e kohës bashkë me mbivendosjen e emrave, duke vijuar edhe bashkëpunimin me zyrën e ALUIZNIT, besoj se shumë shpejt, rreth një vit ose pak më shumë, do të shmangim edhe mbivendosjet e hartave. Kjo sepse ALUIZNI bën verifikimin në terren dhe në ZRPP harta që vjen nga ALUIZNI pas verifikimit në terren përputhet me dokumentacionin ligjor që ndodhet në ZRPP. Kjo do të kërkojë kohë dhe kur të mbarojë, historia e mbivendosjeve në Shqipëri do të marri fund. Me këtë projekt që fillojmë sot është e sigurtë që zgjidhim mbivendosjen për shkak të emrave ose për shkak të dokumentacionit ligjor dhe tashmë shërbehet shpejt, sepse dokumentacioni nuk do të jetë më i shkruar me dorë por gjithaçka do të jetë e kompjuterizuar dhe me një komandë printohet kartela e freskët ose çdo informacion që kërkohet masivisht nga qytetarët do të jepet në mënyrë elektronike”, u shpreh z. Manjani

Gjatë deklaratës së tij për median e pranishme në këtë aktivitet, Ministri Manjani bëri publik edhe shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, ndërsa u ndal edhe në disa problematika të trashëguara nga e kaluara dhe që kanë krijuar shumë shpesh shqetësime tek qytetarët shqiptar.

“Ne trashëgojmë nga e kaluara praktika të patrajtuara, një numër të konsiderueshëm ndaj dhe kemi vënë një afat për këtë. Kemi thënë se fundi i këtij viti do të jëtë fundi i të gjitha aplikimeve të patrajtuara dhe ky është një afat që do t’i qëndrojmë strikt. Kemi nisur sëbashku me kryeregjitruesin që të fusim në një filtër shumë të rreptë, të gjithë drejtuesit e zyrave vendore dhe në këtë filtër kanë nisur të bien edhe elementët e parë. Lidhur me këtë mund t’ju them se regjistruesi i Beratit sot është i shkarkuar edhe për shkak të konstatimeve të KLSH-së, por edhe për shkak të filtrave të ndërtuar nga ana jonë dhe ju siguroj që do të kemi njoftime edhe në ditët në vijim”, përfundoi z. Manjani.

Ndërkaq, Kryeregjistruesi, z. Ilirjan Muho ka bërë me dije disa detaje teknike mbi risitë që pritet të sjellë ky projekt. Ai sqaroi se projekti është financuar dhe po zhvillohet tërësisht nga ZQRPP dhe për zbatimin e tij janë përfshirë rreth 200 deri 250 specialistë.

“Sot është fillimi i një projekti shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me hedhjen e të dhënave dhe gjithë informacionit që zyrat tona disponojnë në regjistrat ndër vite, në një format të ri, dixhital që do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha institucionet që shkëmbejnë informacion me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëpërmjet këtij provesi ne fillojmë korrigjimin e të gjithë emrave, për shkak të gabimeve njerëzore të ndodhur ndër vite. Regjistri jonë është i lidhur me regjistrin e gjendjes civile dhe burimi i informacionit është ky regjistër. Korrigjimi bëhet duke u përputhur emri me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Momenti i dytë është hedhja e informacionit ndër vite, pra hedhja e të gjithë historikut të pasurive të krijuara në vite hidhet në format dixhital dhe neve në kohë reale kemi informacion se cilit person i takon pasuria. Momenti i tretë është edhe më i rëndësishmi sepse identifikon se çfarë pasurie ka një person dhe kjo do të ndihmojë shumë punën e organeve që kërkojnë informacion nga ne, pra prokuroria, gjykata ILDKP etj. Njëkohësisht ndodh edhe procesi i rregulimit të të gjithë informacionit që ka të bëjë me spostimet, zhvendosjet, mbivendosjet dhe ky është momenti më i rëndësishëm. Sot informacioni jonë po përshtatet me atë që vjen nga terreni dhe është pikërisht ai informacion që vjen nga drejtoritë e ALUIZNIT, të cilat duke qenë se janë në terren, informacionin që gjenerojnë e kanë më të saktë, ndaj dhe ne jemi të detyrurar të përputhim hartat”, sqaroi z. Muho

Z. Muho u shpreh se synimi është që në deri në fund të qershorit të vitit tjetër, të gjitha zonat urbane dhe periurbane të Republikës ta kenë në format dixhital të gjithë informacionin. Sipas tij kjo do të kulmojë me përmbylljen e fazës së parë të këtij projekti për të kaluar në fazën e dytë që do të vijojë me pjesën rurale që ka edhe numrin më të madh të pasurive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura