Reforma, ish-ministri i PD përzgjidhet ekspert nga PS-ja

Aug 31, 2018 | 18:20
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Dy ish-ministrat e Partisë Demokratike, Ilir Rusmaili dhe Viktor Gumi, do të shkruajnë draftin e amendamenteve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të mbështetur financiarisht nga qeveria gjermane, kanë kontaktuar ekspertët ligjorë që do të shkruajnë amendamentet e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që do të shqyrtohen në Kuvend.

viktor-gumi

Partia Demokratike ka përzgjedhur si ekspert të saj, ish-ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmaili. Pas largimit nga politika, ky është angazhimi i dytë ish-kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili, në cilësinë e ekspertit, pas kontributit që dha në Reformën në Drejtësi.

Edhe Partia Socialiste ia ka besuar shkrimin e amendamenteve të saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor një tjetër ish-ministri demokrat, Viktor Gumit. Përzgjedhja e socialisteve ka qenë jo pak surprizuese po të kujtojmë se deri në vitin 2013, Gumi ka qenë ish-ministër dhe ish-deputet i Partisë Demokratike.

Por në një sqarim për “Panorama” ish-ministri i Punës dhe ish-zv/ministri i Drejtësisë në qeverinë “Berisha” thekson se angazhimi i tij në këtë proces është jo politik dhe mbetet në nivel eksperti. “Po është e vërtetë që unë do të angazhohem në këtë proces. Por angazhimi im është vetëm në nivel eksperti, pra, jopolitik. Në këtë proces jam me tjetër staturë dhe nuk ka lidhje me angazhimet e mia të mëparshme. Kam marrë një ftesë dhe e kam pranuar, kaq”, sqaron ish-ministri Gumi për “Panorama”.

Dy ekspertët e zgjedhur nga forcat kryesore politike në vend do të përgatisin të gjithë amendamentet ligjore, që do t’i paraqiten Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, Kuvendi pritet të zgjasë mandatin e komisionit dhe më pas do të kalohet në një vendimmarrje konkrete, që do të aplikohet në zgjedhoret vendore të vitit 2019.

REFORMA

Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi, ka deklaruar se PS do të pranojë çdo propozim të demokratëve për amendime në Kodin Zgjedhor, përfshirë dhe votimin elektronik.

“Vullneti i Partisë Socialiste është që të tolerojë çdo propozim që vjen nga Partia Demokratike dhe që nuk cenon standardet zgjedhore dhe nuk prek Kushtetutën. Premisa që krijohet nga përdorimi i teknologjisë do të na shërbejë që të pilotojmë dhe të mund të shohim se si mund të shkojmë drejt komisioneve të depolitizuara”, deklaron Çuçi. Sipas bashkëkryetarit socialist të Komisionit për Reformën Zgjedhore, që në zgjedhjet vendore të vitit 2019 në një prej bashkive do të pilotohet votimi elektronik, por ende nuk është përcaktuar se cila do të jetë ajo.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura