Reflektimi në ekonomi i Reformës në Drejtesi

Sep 11, 2020 | 9:50
SHPËRNDAJE

ANASTAS ANGJELI  anastas angjeli

Duket se Reforma në Drejtësi është jo vetëm një nga reformat më të rëndësishme të këtyre viteve, por edhe nga më të vështirat. Ajo tashmë është një realitet, një proces që po shkon drejt finalizimit të saj, pavarësisht vështirësive të hasura në këto rreth 5 vite që punohet për të..E gjithë kjo, falë përpjekjeve të gjithanshme të të gjithë faktorëve dhe aktorëve të interesuar (Qeverisë, Parlamentit, forcave politike, organeve të drejtësisë, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe çka është më e rëndësishmja, vetë qytetarëve) dhe pjesëmarrës për të dhe mbështetjes së pareshtur të faktorit ndërkombëtar, në veçanti SHBA dhe BE. Ndikimi i kësaj reforme që sjell një transformim tërësor të drejtësisë, në aspektin ligjor, të krijimit dhe funksionimit të organeve dhe institucioneve të reja të drejtësisë, së përgatitjes dhe angazhimit të burimeve të reja njerëzore me integritete dhe aftësi profesionale(vetingu), është shumëdimensional për funksionimin e shtetit ligjor. Njëherësh, Reforma në Drejtësi garanton ndarjen e pushteteve dhe shmang abuzimin me ushtrimin e secilit prej pushteteve edhe kundrejt zhvillimit të biznesit në veçanti. Në këtë kontekst, Reforma në Drejtësi ndikon dhe reflekton pozitivisht në zgjidhjen e shumë problemeve që shqetësojnë sipërmarrjen dhe aktivitetin ekonomik dhe mbështet zhvillimin e saj. Po si, konkretisht?

DREJTËSI E MUNGUAR APO E VONUAR – EKONOMI E DËMTUAR

Drejtësia e vonuar dhe mungesa e barazisë para ligjit për qytetarët, njerëzit e thjeshtë dhe operatorët ekonomikë të tregut, sipërmarrjes, ka qene një shqetësim që ka “munduar” vazhdimisht ata në këto 30 vite të stërzgjatura të tranzicionit tonë. Është kjo arsyeja që Reforma në Drejtësi duhet parë jo si një reformë në vetvete, si reformë vetëm e sistemit të drejtësisë, pasi ajo është më e gjerë dhe e lidhur me funksionimin e shtetit dhe mirëqeverisjen, ajo është një reformë sa kushtetuese dhe juridike e ligjore, aq edhe një reformë institucionale e politike (pasi një “drejtësi më e drejtë” kthen besimin te sistemi i drejtësisë, te kjo shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe njëherazi i jep një mbështetje të plotë dhe vetë procesit të dekriminalizimit). Prandaj, reforma e sistemit të drejtësisë mbetet “Thembra e Akilit” për funksionimin demokratik të vendit, për vetë shtetin dhe funksionet e tij dhe rolin e pushteteve në këtë demokraci. Më në fund, me shumë rëndësi është fakti se një reformë e arrirë në sistemin e drejtësisë është baza, themeli dhe garancia e “Një drejtësie më të drejtë ekonomike dhe sociale”. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme në situatën aktuale ekonomike e sociale të krijuar nga recensioni ekonomik, rrjedhojë e pandemisë Covid19, që ka nxjerrë në pah, veç problematikave bashkudhëtare të tranzicionit ekonomik, edhe shqetësime e probleme të reja, të cilat veç vëmendjes së gjithanshme kërkojnë dhe mbështetjen ligjore në kohë edhe të drejtësisë. Shumë prej tyre u është dhënë zgjidhje ligjore përmes akteve ligjore dhe normative të miratuara që nga fillimi i pandemisë “të përfshira në paketat mbështetëse të qeverisë”. Të tilla janë: Situata e krijuar në shumë biznese që shkuan drejt mbylljes së tyre. Marrëdhëniet me sistemin dhe administratën tatimore, me sigurimet shoqërore, me zyrat e pagesës së papunësisë dhe ndihmës sociale, marrëdhëniet e punësimit (kontratat), apo me bankat e nivelit të dytë etj., etj. Gjatë kësaj periudhe, ato janë vënë në fokus në një këndvështrim të ri.

Të marra së bashku, janë të shumta drejtimet mbi të cilat reflekton dhe ndikon pozitivisht në mënyrë bazike Reforma në Drejtësi ndaj ekonomisë. Ato lidhen e ndërthuren me interesat e individit, qytetarit të thjeshtë, punonjës apo sipërmarrës, me aktivitetet e bizneseve në të gjitha nivelet dhe pa dyshim, edhe me ato të vet shtetit.

Kjo, sepse sistemi i drejtësisë është i lidhur në mënyrë organike me sistemin ekonomik e social. Dhe vet ekzistenca dhe mirëfunksionimi i shtetit ligjor dhe sundimi i së drejtës në ekonomi janë thelbësore për një ekonomi tregu funksionale, të cilën ne po zhvillojmë. Prandaj, Reforma në Drejtësi është mbështetje për një zhvillim të suksesshëm ekonomik dhe një funksionim efikas të institucioneve të tregut. Një “drejtësi e re”, bazuar në logjikën e ligjit dhe jo në arbitraritetin e ligjit dhe të zbatimit të tij, është faktori i zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Kjo, edhe sepse kështu krijohen kushte dhe hapësirë për zbatim të reformave ekonomike (zhvillim të biznesit), lirive ekonomike bazuar në ligj dhe jokorruptive, abuzive, informale e kriminale. Kështu garantohen më shumë liritë ekonomike dhe një klimë biznesi e përshtatshme, përmes mbështetjes së realizimit të reformave rregullatore cilësore, në dobi të zhvillimit, për të cilin sot më shumë se kurrë kemi nevojë. Gjithashtu, përmes realizimit të Reformës në Drejtësi, vënien në funksionim të organeve dhe institucioneve të reja të drejtësisë garantohen më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe më shumë garanci për biznesin për mosabuzivitetin e shtetit ndaj tij. Kjo, sepse barazia përpara ligjit merr dimensione të reja në zbatim, lufta kundër evazionit fiskal zhvillohet më drejt dhe siç thuhet, “shkon haka tek i zoti”.

Me një frymë dhe vizion të ri, një sjellje e veprim ndryshe të organeve të drejtësisë mundësohet zgjidhja e problemeve të bizneseve dhe qytetarëve në raport mes tyre dhe shtetit, organeve të ndryshme ligjzbatuese për çështje nga më të ndryshmet, konflikte nga më të ndryshmet, që nga ato të marrëdhënieve kontraktore deri në ato të krijimit të kushteve më të mira për funksionimin e zbatimit të të drejtave themelore, përfshi të drejtën e pronës, kaq e cenuar në vite të tëra, që nga çështjet e detyrimeve fiskale, deri në raportet e marrëdhënieve të punësimit etj. Lidhur me këto çështje, ngaqë gjithë janë mirëpritur procese gjyqësore të drejta dhe vendimmarrje të paanshme, të ndershme, të mbështetura në Kushtetutë dhe në parimin e barazisë para ligjit për këdo, individ apo të gjithë operatorët e tregut. Në këtë mënyrë, ajo (Reforma në Drejtësi do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për zbatimin e barazisë para ligjit, një qasje të re ndaj biznesit dhe jo me praktika selektive e preferenciale, represive apo diskriminuese, për aktorët ekonomikë, duke krijuar një hapësirë të plotë për konkurrencë të ndershme. Këto do të garantojnë institucione tregu të qëndrueshme, konsolidimin e tyre dhe zbatim të rregullave ligjore të tregut, duke ndihmuar dhe në përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve administrative dhe njëherazi do t’i hapi rrugë përdorimit më efektiv të alternativave të tjera, zgjidhjen jashtëgjyqësore, arbitrazhit etj.

Njëherësh, një ndryshim pritet të sjellë Reforma në Drejtësi edhe ndaj rritjes së mëtejshme të kredibilitetit (shpesh të cenuar) për partnerët ndërkombëtarë, donatorët, duke krijuar edhe një bazë të fuqishme dhe më shumë garanci për zhvillimin e një klime investimesh më miqësore për investitorët e huaj, duke rritur më tej sigurinë (kaq shumë të kërkuar) për praninë e tyre në ekonominë e vendit tonë.

Nuk mund të mos konsiderohet dhe të veçohet edhe një fakt tjetër. Kjo reformë do të ndihmojë dhe mbështesë më shumë luftën kundër korrupsionit në ekonomi, informalitetit, pastrimit “të parave të pista”, deri te lufta kundër terrorizmit..

Prandaj, çuarja me sukses deri në fund e Reformës në Drejtësi (përfundimi i procesit për krijimin dhe vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe vënies në funksionim të plotë edhe të gjykatave të niveleve të tjera, Gjykatë e Lartë dhe e Apelit) mbeten çështje parësore në këtë moment. Çdo vonesë në këtë drejtim është me pasoja jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për ekonominë. Prandaj, “një drejtësi e vonuar shkakton një ekonomi të dëmtuar”.

REFORMA NË DREJTËSI DIKTON VAZHDIM TË REFORMAVE NË EKONOMI

Tridhjetë vite tranzicion kanë shënuar transformimin tërësor të ekonomisë sonë në ekonomi tregu. Rrethanat aktuale të zhvillimit të ekonomisë, Reforma në Drejtësi me ndryshimet që solli në ligjin themeltar të shtetit- Kushtetutën e RSHdhe paketën ligjore të kësaj reforme, faza finale ku vendi ynë ndodhet për hapjen e negociatave me BE, diktojnë nevojën e vazhdimit të reformave ekonomike për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit. Shtuar kësaj edhe situatën në recension ekonomik, rrjedhojë e pandemisë- COVID-19,ndryshimet dhe reformat janë më të domosdoshme.

Së pari, kemi nevojë për një reformë të thellë ligjore dhe jo vetëm, në fushën ekonomike dhe të financave publike, jo thjesht nga pikëpamja e vazhdimësisë së tyre (kjo është e domosdoshme), por më së tepërmi, për të harmonizuar më tej Reformën në Drejtësi (kuadrin ligjor të saj dhe atë ekonomik e financiar) me standardet dhe kuadrin ligjor europian. Për më tepër, Reforma në sistemin e Drejtësisë kërkon edhe një përgatitje më të madhe, serioze dhe intensive, për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat e në veçanti në ekonomi (njëherazi kërkohet përgatitja e stafeve administrative për të qenë të gatshëm për hapjen e negociatave dhe të kapitujve me BE-në).

Njëherësh, rrjedhojë e krizës aktuale, përballja me të na ka imponuar ndryshime ligjore ekonomike, financiare dhe sociale (të domosdoshme për këtë periudhë emergjente dhe situatë recensioni), të cilat duhet të bëhen pjesë solide e këtij legjislacioni.

Në këtë këndvështrim, një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore të rrjedhura prej tyre do të duhet të rishikohen për të qenë më koherente me Reformën në Drejtësi, me legjislacionin europian dhe kushtet dhe stadin aktual të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së klimës së biznesit në vend (edhe pse për një pjesë të tyre disa ndryshime janë bërë). I tillë është legjislacioni që lidhet me kodin tregtar, ligjet e pronave, Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Procedurës Civile, ligji për shërbimin përmbarimor privat, Kodi Fiskal (ligji i procedurave tatimore), Ligji i falimentimit, Ligji i prokurimeve, çështjet ligjore që kanë të bëjnë me gjykimin administrativ; zhvillimi i legjislacionit të arbitrazhit në kuptim të konventave ndërkombëtare etj.

Së dyti, kriza aktuale, duke u parë dhe si një oportunitet për një zhvillim të ri, kërkon zhvillimin e reformave të thella strukturore në ekonomi, drejt sektorëve të rinj ekonomik dhe të shërbimeve e profesioneve të reja. Një situatë e tillë do të kërkojë një bazë të re ligjore, për të cilën duhet të përgatitemi.

Së treti, Reforma në sistemin e Drejtësisë është dhe një garanci – një instrument i fuqishëm në dobi të zhvillimit të “një ekonomie që punon për të gjithë”. Kjo kërkon “…vendosjen e një drejtësie më të madhe ekonomike përmes zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe politikave më të drejta fiskale…”, që kërkojnë një bazë ligjore më bashkëkohore dhe të konsoliduar.

Së fundi, por jo nga rëndësia. Qytetarët presin më shumë drejtësi në përfitimin nga këto reforma, në shërbime të ndryshme publike, në arsim, në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore etj. Kjo kërkon një përdorim më cilësor të shpenzimeve publike, një transparencë më të madhe të prokurimeve dhe përdorimit të dobishëm të tyre, një shpërndarje dhe rishpërndarje optimale në territor dhe popullsi. Kjo do të ndihmonte për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale dhe do të zbuste papunësinë dhe varfërinë. Kësisoj do duhet të kemi një “Kthim të një vështrimi të ri ligjor për më shumë drejtësi ekonomike e sociale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura