Raporti i televizionit amerikan “NBC” për dosjet e Sigurimit, Maks Velo: Nuk u pendova që lexova dosjen. Askush nuk thotë më fal!

Jul 29, 2018 | 16:11
SHPËRNDAJE

Jo shumë kohë pas arrestimit, shërbimet sekrete i ofruan arkitektit e piktorit Maks Velo një marrëveshje. “Bashkëpuno me ne,-i thanë,-dhe do të t’i lehtësojmë të gjitha gjërat për ty”.

Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës në Shqipëri. Velo, atëherë 43 vjeç, e dinte se një marrëveshje e tillë funksiononte, por … “Ishte një gjë që nuk mund ta bëja”, thotë ai.

Arkitekti Maks Velo
Arkitekti Maks Velo

Velos iu tha se arti i tij ishte kundër regjimit, apo, në terma të sakta, kishte tendenca moderniste.

Ai u mor në pyetje për gjashtë muaj dhe thuhet se u mbajt në izolim. Më vonë, doli në gjyq dhe u dënua me 10 vite heqje lirie dhe punë të rëndë për “agjitacion propagandë” të stilit sovjetik.

Ai i kaloi vitet e burgut duke punuar në minierë bashkë me të dënuar të tjerë politikë, në Spaç.

Përgjatë dekadave të fundit, Velo ka pyetur veten gjithnjë nëse përfundoi në Spaç sepse ndonjë i njohur i tij pranoi të bënte marrëveshje si ajo që ai vetë kishte refuzuar, duke u dhënë informacion autoriteteve. Madje, ai ka edhe emra konkretë në mendje se kush mund ta ketë bërë.

Gjatë vitit të fundit, qeveria shqiptare ka hapur arkivat e vjetra të shërbimeve sekrete të Sigurimit. Çdonjëri që ka spiunuar gjatë periudhës së komunizmit, mund të identifikohet (në të shumtën e rasteve) përmes dosjeve.

Velo e kërkoi dosjen e tij, por për një kohë të gjatë “ngeci” në të. Shpeshherë niste të lexonte dhe e linte faqen përgjysmë. Kishin qenë, sipas atyre që mësoi në dosje, rreth 20 njerëz që kishin dhënë informacione për të, ndër të tjerë edhe një mik i ngushtë i tij dhe ish-vjehrra e tij.

“Maks Velo është njeri me mendime borgjeze”, ka thënë ajo, sipas asaj që shkruhet në raportin e dosjes. “Ai është njeri pa karakter”.

“Çdo ditë, njerëzit vijnë këtu dhe kërkojnë të dinë kryesisht gjëra që nuk kanë pasur përgjigje për një kohë të gjatë”, thotë GentianaSula, drejtoresha e Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit. “Nëse ka gjëra që ata mendojnë se duhet t’i falin, për vete dhe familjarët e tyre, mendoj që është një rast i mirë. Shumë shpesh, bashkëpunëtorët dhe viktimat janë në të njëjtin rreth”.

Edhe gjyshi i Gentiana Sulës ishte në radhët e atyre shqiptarëve që u “zhdukën” nga agjentët e qeverisë përgjatë diktaturës. Pothuajse tri dekada më vonë, rreth 4000 njerëz janë ende të listuar si të zhdukur.

Shqipëria, me rreth 3 milionë banorë, ishte dikur shtëpia e njërit prej regjimeve më të egër të botës. Disa ekspertë e kanë krahasuar atë me Korenë e Veriut për shkak të torturave nga më të rëndat që kanë pësuar shqiptarët, në rast se kanë tentuar të arratisen.

Nga viti 1946 e deri në vitin 1991, 6000 njerëz u ekzekutuan, sipas burimeve zyrtare. Mijëra të tjerë u burgosën apo u dërguan në kampe e internime.

Agjentët e Sigurimit ndonjëherë quheshin “Mikrofona të gjallë” sepse ishin gjithnjë duke përgjuar. Mirëpo, ky reputacion u bë i mundur nga mijëra banorë të Shqipërisë që ndihmuan Sigurimin të merrnin informacionin që donte. Makineria e aparatit të komunizmit u mbështet dhe u fuqizua pikërisht falë njerëzve që u komprometuan.

Kur diktatura mori fund, në vitin 1990, shumë agjent të sigurimit u ‘zhdukën’ në anonimat.

Një ish-zyrtar, Nesti Vako, ka folur për “NBC”.

“Si operator teknik, shef i Sigurimit, unë prodhoja teknologjinë që u duhej aty re”, thotë ai që kaloi 25 vite si inxhinier. Vako pohon se agjentët e Sigurimit kishin të gjithë buxhetin e shtetit në dispozicion vetëm që puna të bëhej sa më mirë.

Nëse Sigurimi po ndiqte një grua, atëherë agjentët do ta përgjonin nga këpuca deri te flokët. Për shembull, agjentët duhet të gjenin këpucët e saj dhe të bënin një palë të tjera, identike, për ta “kapur”.

Vako ka shkuar një herë deri në Kinë për të mësuar teknikat e reja të survejimit.

“Më pëlqeu shumë”, thotë Vako për rolin e tij. “Ndihem krenar për punën që kam bërë. Isha me fat që kisha atë punë dhe kam zbatuar vetëm ligjin”.

I pyetur nga “NBC” se çfarë mendon për hapjen e dosjeve të Sigurimit, ai ka thënë: “Për mendimin tim, është me rrezik hapja e dosjeve. Nuk është gjë e mirë! Në ato dosje mund të gjesh edhe raste kur vëllai ka spiunuar vëllanë”.

PATRIOTË APO TRADHTARË? Dosja e Maks Velos ka 250 faqe dhe atij iu deshën disa muaj për ta kuptuar atë. Bashkëpunëtorët kishin emra të koduar, kështu që atij i duhej të kthehej pas në kohë për të menduar rreth pseudonimeve që i referoheshin.

Tradhtia e miqve ishte ajo që e lëndoi atë më shumë. Njëri prej tyre, gjithashtu piktor, shkonte në shtëpinë e tij e megjithatë e spiunoi. Kur Velo u arrestua, shumë nga punët e tij u dogjën. “Si mund ta imagjinoja që një vepër arti ishte fyerje, ishte një vepër kriminale?”, thotë ai. Pasi rifitoi lirinë, Velo mësoi se miku i tij i dikurshëm ishte ende gjallë dhe jetonte në Tiranë, por nuk u përpoq të vihej në kontakt me të. Gentiana Sula thotë se njerëzit sot nuk mund t’i kuptojnë rrethanat, në të cilat njerëzit dikur kanë bërë atë që kanë bërë.

“Ishte një shoqëri e marrë peng. Kishte shumë propagandë”, thotë ajo. Sa i përket atij, Velo thotë se nuk është penduar që ka lexuar dosjen e tij, por nuk ndjen as ndonjë kënaqësi të madhe.

“Amerikanët thonë më fal, më fal 100 herë në ditë. Këtu askush nuk të thotë të paktën më fal”, përfundon ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura