“Rama sot po konfrontohet hapur me Brukselin”- Pollo: Kryeministri sinjalizoi me karton të kuq se nuk i intereson Shqipëria në BE. Është detyrë e shqiptarëve që…

Oct 27, 2020 | 17:51
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo në një postim në facebook ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Kodi Zgjedhor do votohet një orë e më parë pa vonesë.

Pollo

Sipas Pollos, Rama refuzoi mendimin e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi sepse atij nuk i interesion Shqipëria në Be dhe sot ai po konfrontohet hapur me Brukselin.

Më tej ish-deputeti shtoi se nuk është faji i shqiptarëve që Maqedonia e Veriut do të hapë më parë negociatat me BE, por është detyrë e tyre që në 25 prill “me të gjitha mjetet demokratike të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën; gërmadhën që quhet Edi Rama.”

Postimi i plotë:

Edi Rama refuzoi sot sërish Komisionerin e Zgjerimit Várhelyi i cili i kishte kërkuar vetëm që ligji elektoral të mos devijonte nga normat europiane dhe të priste e të respektonte Komisionin e Venecias. Kështu është vepruar gjithmonë në Shqipëri në tridhjet vitet e fundit. Madje jo vetëm tek ne por në tërë Europën e më gjerë.

Edi Rama sinjalizoi jo vetëm me fjalë goje por edhe me kartonë të kuq se atij nuk i intereson Shqipëria në Bashkimin Europian dhe vlerat europiane në Shqipëri. Jo se nuk e ka bërë këtë më parë; por gjithësesi është orvatur të fshehë dorën mbasi ka hedhur gurin. Me kalimin e viteve në pushtet orvatjet e tij u bënë gjithnjë e më të pasuksesshme. Por sot Rama konfrontohet hapur me Brukselin. Sot edhe Brukseli ka folur açik për Ramën. Që t’a dëgjojnë edhe ata që nuk kanë patur sy për të shikuar e veshë për të dëgjuar.

Se nuk është faji i shqiptarëve që Maqedonia e Veriut do të hapë e para negociatat duke u shkëputur nga Shqipëria. Nuk është faji i tyre që  mund të ngecim vite të gjata mbas maqedonasve e të tjerëve në Ballkan.

Por është përgjegjësi e tyre që me të gjitha mjetet demokratike të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën; gërmadhën që quhet Edi Rama. Ta largojnë duke dalë në rrugë dhe në 25 prill duke votuar në masë.

Gjithësesi faleminderit Komisionerit, eurodeputetëve e të tjerëve që nuk u kursyen për të na ndihmuar; dhe folën qartë si kurrë më parë për të treguar edhe problemin edhe zgjidhjen. GP

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura