Rama në Kiev me Abazoviç, sot takohet me Presidentin Zelensky. Pritet të vizitojë disa nga zonat më të goditura nga lufta

Jun 15, 2022 | 8:12
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun e tij malazez, Dritan Abazoviç, udhëtuan dje drejt Kievit.

edi rama

Ditën e sotme, ata do të takohen me Presidentin e Ukrainës, Zelensky, dhe Kryeministrin ukrainas si dhe do të vizitojnë disa nga zonat më të goditura nga luftimet. Krerët e të dyja shteteve do të vizitojnë Ukrainën me ftesën e Presidentit Zelensky. Lajmin e ka bërë të ditur Rama, i cili postoi foto nga aeroporti përkrah homologut malazez, Dritan Abazoviç, teksa ngjisin shkallët e avionit. “Për Kiev me ftesë të Presidentit Zelensky”, shkruan Kryeministri Rama krahas fotove. Gjatë këtyre afro 4 muajve, Ukraina, edhe pse në gjendje lufte, është vizituar nga shumë liderë të ndryshëm botërorë për të shprehur mbështetjen në luftën kundër Rusisë. Ukraina ndodhet nën sulmet e egra ruse që prej 24 shkurtit të vitit 2022.

Disa liderë botërore kanë vizituar Kievin në javët pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, për të shprehur mbështetjen e tyre për sovranitetin territorial të këtij vendi dhe për të dënuar ashpër sulmet e Vladimir Putinit. Një vizitë të tillë do të zhvillojë sot edhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i shoqëruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kërkon më shumë ndihmë nga Perëndimi mes luftës ruse në Ukrainë.

“Ne duhet të bëjmë shumë më shumë, së bashku për të fituar këtë luftë”, deklaroi dje Zelensky për të përditshmen gjermane “Zeit”. Ai shtoi se: “Në veçanti, vendi ka nevojë për më shumë artileri moderne, si raketa të shumta me rreze më të gjatë. Furnizimet nga Gjermania, një temë e ndjeshme mes dy vendeve që nga fillimi i luftës në shkurt, ishin më pak sesa duhet të ishin”.

Zyrtarët ukrainas kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Berlinit që nga fillimi i luftës, duke i kërkuar atij të heqë dorë nga të qenit i kujdesshëm kur bëhet fjalë për dërgimin e armëve në Kiev. Ukraina ndodhet nën sulmet e egra ruse që prej 24 shkurtit të vitit 2022. Shqipëria, anëtare e NATO-s, është pozicionuar në krah të aleatëve perëndimorë dhe ka dënuar agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainë. Po ashtu, u është bashkuar sanksioneve ndaj Moskës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më datë 5 maj mori pjesë në konferencën e donatorëve për Ukrainën, në Varshavë të Polonisë, duke deklaruar se Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milion euro, transmeton Anadolu Agency (AA). Gjatë fjalës së tij në sesionin e posaçëm, Rama ka theksuar se po japin kontributin për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës. Kujtojmë që Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për konfliktin e shkaktuar nga Rusia në Ukrainë. Disa javë më parë, Edi Rama u pyet në lidhje me një vizitë të mundshme në Kiev.

“Ka të tjerë para meje që meritojnë ta kenë këtë protagonizëm, mendoj se nuk është momenti që t’ju zë radhën të tjerëve. Nëse do të vinte radha, padyshim që do e pranoja këtë vizitë me respektin më të madh”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. Kurse Kryeministri Dritan Abazoviç, në një bisedë telefonike me Zelenskin, theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura