“Do kthehet ‘vera’ në marrëdhëniet me Greqinë, iku ‘acari”

Jun 30, 2013 | 14:56
SHPËRNDAJE

Kreu i PS flet për gazetën greke “Kathimerini”

Rama: U mbyll koha kur Kryeministri ishte President, kryetar i SHISH e kryeprokuror.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” me gazetarin Stavro Xhima, shprehet se shumë shpejt marrëdhëniet shqiptaro-greke do të kthehen në një klimë të ngrohtë, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen e kufirit detar.

Sipas Ramës, kjo marrëveshje duhet të bëhet sipas interesit të përbashkët në rajon. Duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, Rama shprehet se më 23 qershor u mbyll epoka kur Kryeministri luante edhe rolin e Presidentit, prokurorit të Përgjithshëm, kreut të SHISH etj.
Ndjenja e krijuar si brenda vendit tuaj, ashtu dhe në komunitetin ndërkombëtar, është se zgjedhja juaj shënon një  faqe të re për Shqipërinë. Si e kuptoni ju këtë ndryshim?
Si kthim të popullit në pushtet pas një kohe të gjatë, por shumë të gjatë, që ishte nën autoritetin e një njeriu të vetëm.
Marrëdhëniet greko-shqiptare kohët e fundit u vendosën nën “temperatura siberiane”. Ju kujtoj se në këtë klimë ka kontribuar edhe paraardhësi juaj, që është konsideruar, jo vetëm nga Athina, si përçues i irredentizmit. Çfarë mendoni të bëni ju nga ana juaj që të ringrohni sërish klimën? Dëshironi të dërgoni një mesazh në Athinë?
“Acari” përfundoi dhe “vera” do të kthehet së shpejti në marrëdhëniet greko-shqiptare.
Çështja e zgjidhjes së zonave detare, edhe pse e nënshkruar mes Athinës dhe Tiranës, mbetet një “e ngrirë”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Është në prioritetet tuaja zhbllokimi i kësaj çështjeje, për shkak dhe se loja energjetike është hapur në zonën tonë?
Do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën më të mirë për ta “shkrirë” (Marrëveshjen), me respekt të plotë për pikëpamjet e njëri-tjetrit, por në të njëjtën kohë, me gjithë vullnetin e mirë që e ardhmja e përbashkët kërkon nga të dyja palët. Ne jetojmë në një kohë të ndryshme nga më parë dhe nuk mund të përfitohet nga marrëveshjet e përbashkëta nëse nuk ndryshojmë. Ajo që tashmë po quhet si “loja energjetike që është hapur në rajonin tonë”, është një lojë që nuk mund të luhet mirë, nëse nuk tregojmë që kemi një frymë të përbashkët, një frymë të përbashkët rajonale.
Çfarë do të kërkoni më shumë nga pala greke në rrugën tuaj të integrimit në Bashkimin Europian?
Koha jonë është e vështirë dhe interesante dhe na nxit që të gjithëve në këtë rajon që të rishikojmë mënyrën se si ne e shohim Europën dhe mënyrën se si Europa na sheh ne. Në këtë kuptim, Greqia ka një rol për të luajtur, siç edhe ne kemi një rol për të luajtur.
Një epokë tjetër.
Si u përgjigjeni atyre që kanë shprehur frikë se ju keni ndërmend të hakmerreni dhe ndiqni penalisht kundërshtarët tuaj politikë, duke përfshirë dhe zotin Berisha që ju e keni cilësuar si të korruptuar?
Ne kishim një triumf të paparë zgjedhor, që na ngarkoi me përgjegjësinë që të kuptojmë, para së gjithash, se populli shqiptar kërkon një ndryshim shumë më të madh se sa një ndërrim qeverish. Dhe e shoh këtë kërkesë për një ndryshim të madh si një kërkesë për një frymë të re dhe një mënyrë të re të politikës në qeverisjen e vendit. Epoka dramatike e qeverisjes së vendit që ishte quajtur “one man show” me një Kryeministër i cili ishte njëkohësisht edhe President i Republikës, kryetar i Gjykatës, prokuror i Përgjithshëm, shefi i Shërbimeve Sekrete, madje edhe drejtori i televizionit publik etj., u mbyll një herë e mirë të dielën e shkuar nga populli i Shqipërisë. Qytetarët kanë hapur një epokë të re, me shprehjen e qartë e vullnetit të tyre dhe që nuk ka kthim prapa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura