Rama është aq i plakur sa nuk mund të humbë kurrë me rezultat të ngushtë

Sep 10, 2020 | 9:50
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim zekthi

Kryeministri Rama tash më është shumë i vjetër i lodhur, i drobitur. Atij nuk i ka mbetur më asgjë e re për të bërë, në mënyrë që t’i bëjë njerëzit ta besojnë. Për shumë e shumë kohë, ai i ka bërë të gjitha. Propagandë e ethshme, përdorim i mediave, lidhje me grupe biznesi, intriga për të marrë kontrollin e Partisë Socialiste, përmbysje situatash dhe miqësish, nisje nga e para, intriga për ta mbajtur partinë, luftë e përditshme për të fituar dhe mbajtur detyrën e Kryeministrit, tërheqje dhe sulme, marrëveshje dhe shkelje marrëveshjesh, premtime dhe shkelje premtimesh, marrëdhënie me njerëz që vijnë nga krimi dhe trafiku etj.

Ai ka bërë kapërcime të thella programore apo ideore duke u hequr herë si misionar, herë si ultraliberal, herë si nacionalist, herë si globalist, herë si neomarksist, herë si socialdemokrat, herë si socialiberist (rruga e tretë e Blair-it gjasme) dhe herë si neoliberal, herë si komunist dhe herë-herë si neoliberal. Sigurisht, nuk duket se ka pasur ndonjëherë ndonjë gjë, ndonjë qasje apo ndonjë ide seriozisht. Pushteti ka qenë shtysa e vetme në gjithçka. Nuk ka pasur asnjë kufi, asnjë pengesë, asnjë normë apo kanun moral e politik që ta kushtëzojë Kryeministrin Rama në sjelljen dhe përdorimin e tij të çdo mjeti, njeriu apo qasjeje në këto vite.

Në fund të gjithë kësaj ka rezultuar një Shqipëri me korrupsion të lartë, e varfër, e mjerë dhe e pashpresë, e gënjyer rëndë, me krim dhe trafik droge të [përhapur kudo, me ndarje pushtetesh apo institucione të shkatërruara, pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, me zgjedhje të blera në mënyrë kirurgjikale qendër votimi pas qendre votimi, me një ministër të Brendshëm të akuzuar zyrtarisht për trafik droge, me papunësi te të rinjtë mbi 40%, me qindra mijëra të larguar etj.

Drama më e thellë e Ramës dhe pa dyshim e Shqipërisë është se në këto kushte, pas kësaj zezone, Rama flet për mandat të ri në qeverisje. Drama e kësaj është se pasi ka bërë gjithçka, pasi nuk ka lënë asgjë, ama asgjë pa bërë sa i takon përdorimit pa skrupull të gjithçkaje, ai flet për një mandat tjetër në pushtet. Drama është se edhe po të gërmojë në skutat më të errëta të çdo autokrati apo diktatori, të çdo politikani të keq që shkatërroi vendin e tij për pushtet, ai nuk do të gjejë më një gjë që nuk e ka bërë.

Edi Rama është politikani aktual që ka qenë më gjatë në pushtet, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në rajon, jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe në botë. Atij ia kalon Raul Castro (Presidenti i Kubës), që është bërë Sekretar i dytë i Partisë Komuniste të Kubës në 1965 (vëllai i Fidelit), Aleksandër Lukashenko, që është bërë President i Bjellorusisë në vitin 1994, Presidenti Nursultan Basajev i Kazakistanit, që hipi në pushtet në 1990 dhe u largua disa muaj më parë, Presidenti Karimov i Uzbekistanit, që erdhi në pushtet në 1990 dhe u largua në 2016, Presidenti i Algjerisë Buteflika, që kërkonte një mandate të pestë, por u largua pak muaj më parë etj. Pra, në një botë me rreth 300 kryetarë qeverish, Rama është ndër pesë-gjashtë politikanët më të konsumuar, që kanë kohën më të gjatë në pushtet. Dhe të mendosh që Rama kërkon mandat të ri; dhe të mendosh që Rama flet si kryetar qeverie i një vendi, që hiqet sikur nuk ka statusin e Algjerisë apo Kubës.

Edi Rama ka ardhur në pushtet në vitin 1998. Ai ka qenë dy vjet ministër Kulture, njëmbëdhjetë vjet kryetar bashkie dhe tani ka hyrë në vitin e tetë si Kryeministër. Në këto 22 vite, ai ka qenë 20 vjet në pushtet. Gjithë këto vite konsumim kanë shterur tek ai çdo mundësi për akrobaci apo spërdredhje, kanë zhdukur çdo milimetër katror hapësirë për t’ua hedhur njerëzve, qofshin këta politikanë, gazetarë apo njerëz të thjeshtë. Ai është në pikën ku ishte ish-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, kur po rrëzohej nga protestat në Kajro. Peggy Noonan, ish-këshilltare e Presidentit Reagan, shkroi për Presidentin Mubarak se pas gati 30 vitesh në pushtet, atij nuk i kishte mbetur më asgjë për t’i thënë popullit. Mubarak kishte konsumuar gjithçka dhe askush nuk e besonte për asgjë. Ai kishte mbërritur në pikën kur, jo vetëm që dështimet në ekonomi, korrupsioni, krim, zhdukja e shpresës etj., i faturoheshin me të drejtë atij, por ai fajësohej nga njerëzit edhe për thatësirën apo stuhitë e rërës. Pra, nuk mund të besohej më për asgjë. Bash në këtë pikë është Rama.

Kjo rraskapitje kaq e madhe duke përdorur gjithçka, ky dështim kaq i rëndë duke e çuar vendin në zgrip të mbijetesës dhe duke i çuar njerëzit në mjerim dhe humbje të plotë të shpresës, e shndërrojnë një kryetar qeverie në një zombi, në një krijesë të vdekur që ecën, që ecën si hije.

Nuk janë pak 22 vite, nuk janë pak 20 vite në pushtet. Të njëjtat gjëra 20 vite, të njëjtat gjëra 22 vite. Vitet e kanë plakur shumë, ato kanë lënë shenja të pakthyeshme.

Rama sot është njëlloj si banorët Strulbrugs të ishullit të Lugnag në librin “Udhëtimet e Guliverit”, të Xhonatan Suift. Strulbrugsat ishin njerëz të pavdekshëm. Deri në moshën 30-vjeçare, ata jetonin pa e ditur që ishin të pavdekshëm dhe silleshin si njerëz të zakonshëm. Pas kësaj moshe, ata e kuptonin që ishin të pavdekshëm dhe i kapte një dëshpërim i vazhdueshëm. Në moshën 80-vjeçare, ata ishin plakur dhe hynin në një fazë të re të jetës. Pas kësaj moshe, ata nuk kishin më të drejtën të kishin asnjë pronë. Ligji nuk u lejonte asgjë. Ata konsideroheshin të vdekur nga ligji, ndonëse ishin gjallë dhe të pavdekshëm. Ata nuk kishin më të drejtë as të bënin marrëveshje, as të bënin kontrata, as shisnin dhe blinin, as të kërkonin dhe as të punonin. Në moshën 90-vjeçare, ata humbnin dhëmbët dhe flokët. Atyre iu shfaqeshin të gjitha sëmundjet dhe dhimbjet që shfaqen me ardhjen e pleqërisë. Atyre iu jepej shumë pak ushqim. Pas një moshe të caktuar ata humbnin edhe ndjeshmëritë, edhe aftësinë për të komunikuar e me radhë e me radhë…

Kryeministri Rama ka thënë për “Courrier de Balkans” në vitin 2013, një ditë pas fitores së zgjedhjeve, se ai ka një problem për të zgjidhur me vdekjen dhe këtë synon ta bëjë përmes politikës. Çfarëdo zgjidhjeje t’i ketë dhënë Kryeministri Rama problemit të vdekjes, ai nuk mund të shmangë plakjen, konsumimin, drobitjen që shkaktojnë vitet. Ai, si Strulbrugsat, ka hyrë në periudhën kur ka konsumuar gjithçka dhe askush nuk i beson më, në një kuptim politik, të drejtën e pronës, të kontratës, të marrëveshjes, të punës etj. Politikisht, ai është sot një zombie.

Marifetet e vjetra, intrigat e ulëta me ndryshim Kushtetute, me heqje koalicionesh, me përdorim të deputetëve të quajtur (po nga vetë Rama) të opozitës parlamentare, përpjekja për të ruajtur marrëveshjet me krimin dhe biznesin, përpjekja për të mbajtur në këmbë strukturën që blen vota, rrenat me rindërtim apo me ndryshime qeverie nuk sjellin asgjë. Kur vjen një pikë e tillë, humbja nuk është milimetrike, humbja nuk është në kufijtë që të bëjnë të shpresosh se mund t’ia hedhësh. Kur vjen një optikë e tillë, humbjet janë të thella dhe të rënda, njerëzit e kanë marrë vendimin për të votuar shumë kohë para zgjedhjeve. Ata mezi presin të votojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura