“Qytetarët të armatosen”, Basha: Do merrte fund politika, ja si zgjidhet (E PLOTË)

Sep 6, 2018 | 10:14
SHPËRNDAJE

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se asnjë proces politik nuk do të ketë normalitet për aq kohë sa qeveria do të jetë e lidhur me krimin dhe në Parlament ulen njerëz si Fatmir Xhafaj, Taulant Balla dhe Jurgis Çyrbja.

Në një intervistë për emisionin “FAKT” të gazetarit Çim Peka, Basha ka deklaruar se opozita do të përgatitet për zgjedhje vendore duke nxjerrë kandidatë për çdo zonë muaj më parë, por më herët do të kërkojë t’i japë një zgjidhje politike situatës së krijuar nga lidhjet e forta të qeverisë me krimin.

Basha tek Peka

Pjesë nga intervista

Ka një pjesë analistësh të cilët prej kohësh ju thërrasin të dilni jashtë sistemit, për aq kohë sa Edi Rama qeveris me bandat, çfarë e pengon këtë opozitë t’i prishë sistemin Edi Ramës?

E para e punës, të dalësh jashtë sistemit, të prishësh sistemin janë shprehje të gazetarëve që nuk bredhin në terren, nuk shohin gjendjen nga afër, unë i ftoj të shohin gjendjen nga afër dhe pastaj i ftoj ata dhe çdo faktor tjetër shoqëror të bëhen pjesë e hartimit të zgjidhjes dhe zbatimit të zgjidhjes. Po të ishte zgjidhja me një të rënë të lapsit, apo me një shkrim, apo me një editorial, të jesh i sigurt që nuk ka faktor më të interesuar sesa opozita, sesa kryetari i opozitës. Asnjë gazetar nuk mund të jetë më i interesuar se unë, për t’i dhënë fund në rrugën më të shkurtër kësaj gjendjeje. Por, për fat të keq, e vërteta është e hidhur dhe pak ndryshe. Nuk ka një përgjigje të thjeshtë dhe të prerë. Sfidat nëpër të cilat duhet të kalojë shoqëria, betejat që na presin përpara janë të shumta dhe të vështira. Beteja që nisën për dekriminalizimin ishte një betejë e vështirë. Për gjashtë muaj opozita u angazhua në një bojkot parlamentar derisa më në fund pati në vëmendjen e duhur ndërkombëtare, e cila çoi drejt marrëveshjes dhe prapë u desh një vit tjetër që marrëveshja të përkthehej në ligj dhe gjashtë muaj të tjerë që ligji të zbatohej. Falë këtij ligji shumë persona me rekorde penale që ishin në legjislaturën e kaluar, nuk janë në këtë legjislaturë në Kuvendin e Shqipërisë, por fitorja nuk është në anën e shoqërisë, nuk është në anën e së mirës. Përse? Sepse njeriu që bashkëqeveris me krimin, ka zëvendësuar personat me rekorde penale në Kuvend me dy marrëdhënie të reja me krimin. Me të dërguarit e krimit siç është Jurges Çyrbja, që është i emëruari i bandës së Lul Berishës në Kuvendin e Shqipërisë, siç kemi atë numrin 6 që as emri nuk i dihet, që është i emëruari i bandës së Avdylëve të Shijakut, në listën e Durrësit.

Jeni akuzuar se keni dekonspiruar operacionin e kapjes së “Toyota Yaris”?

Mashtrim!

Nga e morët informacionin? 

S’kam ndërmend ta ndaj me ju nga e mora informacionin, por mund t’ju them që Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi partnerë më të besueshëm se qeveria për një numër të madh faktorësh, duke përfshirë këtu edhe faktorë ndërkombëtarë.

Pra, nuk keni këtë shqetësimin se keni qenë dekonspirues me partnerët? Sepse kjo është akuza që bëhet ndaj jush z.Basha.

Mos u merrni me akuzat e Taulant Ballës. Si mund të merreni me akuzat e një njeriu, i cili pranon publikisht miqësinë me një të dënuar të bandës së Lushnjës. Ky njeri nuk do të jetë më subjekt, as referencë, vendi i tij nuk është as në Parlamentin e Shqipërisë, as në politikë, por është para drejtësisë. Gunther Krichbaum dha një intervistë ditën e hënë në gazetën “Panorama” dhe një çështje shumë e rëndësishme është ajo e relativizimit të qëndrimit ndaj Fatmir Xhafajt. Mediat shqiptare, shumica dërrmuese e mediave shqiptare kanë fshehur apo kanë relativizuar qëndrimet gjermane në raport me Fatmir Xhafaj. Para dy muajsh e gjysmë nënkryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU, faktikisht numri katër i hierarkisë kristiandemokrate pas Kancelares Merkel e tha qartë se Fatmir Xhafaj nuk mund të qëndrojë në detyrë. U përsërit kjo nga Thorsten Frei dhe u pyet kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum nëse këto ishin qëndrime personale, këtë të hënë deklaroi qartë se qëndrimi për Fatmir Xhafaj është i Grupit Parlamentar CDU/CSU.

Cili do të jetë raporti i opozitës me Parlamentin?

Raporti i opozitës me Parlamentin do të jetë raporti që pamundëson fasadizimin e një Parlamenti, e një qeverie të marrë peng nga krimi. Që do të thotë, se as ligje nuk mund të bëjmë, as normalitet nuk mund të kemi sa kohë që në Parlament dhe në qeveri ulen njerëz tashmë të faktuar si njerëz të lidhur me krimin, nga Fatmir Xhafaj te Taulant Balla, te Jurgis Çyrbja me shokë.

Në takimin e pardjeshëm në Shkodër a ka pasur zëra nga përfaqësues të ndryshëm të opozitës se në rast mosveprimi nga qeveria, t’u bëhet thirrje qytetarëve për vetarmatosje?

Jo!

A e shikoni si opsion?

Sigurisht që jo! Sepse kjo në vetvete do t’i jepte fund politikës. Duhet të kuptojë diçka, ne ekzistojmë si parti politike, Partia Demokratike ekziston për t’u dhënë qytetarëve një zgjidhje politike, për të dhënë një alternativë, një shpresë, për t’i dhënë mundësinë që të kalojmë një bashkëqeverisje me krimin te një qeveri e cila në vend që të bëjë pakt me krimin, e shtyp.

Po afrojnë edhe zgjedhjet lokale me Edi Ramën Kryeministër. Këtu dua përgjigje po ose jo. Do të futeni në zgjedhjet lokale apo jo?

Shiko, pjesë e problemit është se disa prej marrëdhënieve të tyre të ngushta financiare me qeverinë, ku ju përjashtoj ju dhe disa të tjerë për arsye që nuk dua t’ju paragjykoj, i bëni gjyqin opozitës në vend që t’i bëni gjyqin qeverisë. Opozita është në detyrën e saj. Opozita ka bërë protesta dhe do të bëjë protesta. Do të ofrojë alternativë, do të përgatitet për të konkurruar dhe për të fituar zgjedhjet. Opozita ka përcaktuar prioritetin e saj më madhor që është: T’i japë fund bashkëqeverisjes me krimin dhe kjo nënkupton gjëra të qarta dhe konkrete. Për momentin nënkupton largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt, Taulant Ballës, Jurges Çyrbjes, të cilët me minimumin e standardeve të vetingut sot nuk do të jenë më as deputetë, por duhet të jenë nën hetim.

Xhafaj, Balla, Çyrbja…

Dhe vetë koka e Meduzës, që është vetë Edi Rama, arkitekti i këtij sistemi dhe sot peng i këtij sistemi. Kryeministri në letër, i cili kohën e tij tashmë nuk e kalon me qeverisjen e shqiptarëve, por duke iu dedikuar luksit të tij personal, stilit të jetës së tij prej sheiku, udhëtimeve me charter dhe ekspozitave të pikturës. Sepse qeverisjen ia ka deleguar bandave dhe krimit të organizuar dhe një grushti oligarkësh.

Do futeni në zgjedhjet lokale me këtë hartë dhe me Edi Ramën Kryeministër?

Zgjedhjet lokale janë pas 10 muajsh. Ne nisim sot përgatitjet për t’u futur dhe për të fituar zgjedhjet lokale, me zgjedhje të lira dhe të ndershme…

Pra, nuk ka bojkot…?

… dhe me një qeveri të çliruar nga krimi. Këta janë objektivat tona politikë.

A është bojkoti i zgjedhjeve lokale alternativë, zoti Basha?

Në tryezën tonë të opsioneve, gjithçka politike është alternativë. Por, në momentin që po më pyesni, Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi.

LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët, ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës. A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?

Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra, ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD-së, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet, të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë, në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët se ç’ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura