Quo Vadis Ekonomia?!

Dec 7, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

nevila mullajNEVILA MULLAJ

Ekonomia reagon fuqishëm nëse kanalizohet drejt efiçencës. Përgjatë metastazave të vitit 2015, pika kardinale mbetet fisku, në sinergjizim koherent me politikat protregut dhe pro-jetës së biznesit. Progresi nuk vjen nga projeksionet e arkëtimit në buxhet, por edhe nga fryma e emetuar në ekonomi.

Në librin e tij “Virtyti i Tregut të Lirë” Alan Greenspan shprehet për optimizmin konstruktiv të tregut, si dhe për dy kahje për sa i takon ekonomisë: fryma dhe performanca. Në një skaner të ekonomisë shqiptare nën efektin e buxhetit dhe paketës fiskale 2016 do të shfaqeshin:

1. ULJA E KONKURRENCËS

Përkeqësimi i performancës së klimës së biznesit sipas Doing Business 2016 ngre binomin impaktues: së pari, zbritja në 35 shkallë e konkurrueshmërisë në raport me rajonin, së dyti, në amplifikim të kostove ristabilizuese të brendshme. Në logjikën e ftohtë të shifrave, ofrojmë më tepër barriera për penetrimin e investimeve të huaja. Asimetria perceptive mes asaj si na lexohet performanca financiare, dhe asaj si duam të vetëlexohemi, na bën të harrojmë se emocionaliteti ynë në këtë lexim ka një kosto korresponduese.

Vlera e së cilës do të mbirëndojë ecurinë e vitit 2016. Si antidot: baticat e zbaticat e tregut të lirë do të sillnin në breg një ekonomi efiçente, më strategjike dhe performuese. Ekonomia shqiptare nuk mund të zvarritet më, të kafshohet nga frika e pasigurisë, por pikërisht të tentojë drejt zbutjes së kësaj kostoje. Produkti i vizionit të sipërmarrjes kërkon incentivim motivues, përmes taksave të ulëta për të gjeneruar më shumë punësim dhe shëruar lëngimin e kapilarëve ekonomikë.

2. BUXHETI NË MINUS

Borxhi publik 73% ndaj GDP-së është një barrë rënduese për aktorët ekonomikë. Në kontradiksion ndaj rregullit të artë buxhetor, emetimi i eurobondit prej 450 milionë Euro, si borxh duhet t’i përmbahet ruajtjes së stabilitetit fiskal, si dhe të shërbejë si stimul zhvillimor. A do të alokohet kjo vlerë në sektorë efiçentë gjeneratorë të të ardhurave? Nëse po, ku, a do të mbulohen kostot? Sinergjizimi i politikave suportuese ndaj promovimit të konkurrencës së lirë, liberalizimit të tregut dhe sipërmarrjes si promotor, kërkojnë një rivënie në fokus për back up-in financiar.

Në të kundërt, gap-i i rentabilitetit thellohet në degradim të kapaciteteve thithëse të IHD-ve, çka do të thotë më pak para të injektuara në venat financiare të ekonomisë. Si do të mbështeten politikat shtrënguese buxhetore, kur kemi një rënie të importeve me 7.4% direkt influencues në konsumin e brendshëm (kalkuluar në rënie 3.2% sipas INSTAT)? Rënia e volumit të tregtisë e prodhimit ndikuar nga dobësimi i kërkesës së brendshme agregate, vijon si tendencë e pasigurisë së krijuar në treg.

Konsumatorët kanë frenuar inputin e tyre, duke ulur shpejtësinë e qarkullimin e parasë në treg (sipas Bankës së Shqipërisë në vlerën 4.5 miliardë lekë). Si do të përkthehet kjo në strategji rivitalizuese?

3. KOSTO E INEFIÇENCËS

Ulja e normës 1.75% nga Banka e Shqipërisë, e vetme pa ndërhyje në politikën fiskale, do të ishte si një far i shuar në mjegullën ekonomike. Impakti i lehtësimit monetar mbetet i paplotë, ngushtimi në kërkesën agregate, si dhe rënia e konsumit për kredi nuk mund të përmbushë pritshmëritë e bankës. Çka do të thotë më pak para e injektuar brenda në ekonomi.

Nga ana tjetër, eksportimi i kapitalit financiar nga bankat e nivelit të dytë, është një sinjal i fortë që politikat monetare nuk po koordinohen me realitetin ekonomik kësisoj efekti i tyre është i njëanshëm (Eksportet ekonomike pësuan rënie prej 4%). Liria ekonomike, liria fiskale dhe liria investuese sipas Index 2015 të vlerësuar nga Heritage Foundation ishin në rënie me 1.2 pikë.

Fryma e mbirregullimit ligjor në vend të çlirojë konkurrencën, e asfikson atë duke derivuar rritjen e çmimeve (Indeksi i Çmimeve Konsumator u rrit në 3.2% sipas INSTAT). Mos kemi të bëjmë me një ekonomi të narkozuar, në të cilën kontinuiteti i modelit zhvillimor po zventitet, duke u kthyer më shumë se kurrë në një ekonomi në nivel mbijetese? Milton Friedman cilësonte se çdo konsumator është një votues i produktit/shërbimit. Ne votojmë sistemin ekonomik çdo ditë.

Së fundmi, BERZH zbriti parashikimet për rritjen ekonomike në nivelin e 2.2% për vitin 2016. Natyrshëm lind pyetja: A po voton ekonomia kundër konsumatorit? 2% rritje ekonomike është rënia e shtresës së mesme. U-turn. Në ekonomitë në zhvillim taksimi i sheshtë krijon opsione për akumulim të kapitalit. Ndërsa taksat e larta mbështesin ridistribuimin e këtyre të ardhurave, ndërsa than likuiditetin e ekonomisë.

Por nëse ne shohim me kujdes, a mund të quhet ky ridistribuim efiçent nëse janë gjeneruar më tepër shpenzime sesa të ardhura në buxhet? (Të ardhurat buxhetore sërish të projektuara në nivele negative dhe për vitin 2016). Referuar Ministrisë së Financave, aksionet ekonomike të ndërmarra janë reflektuar negativisht në analizën financiare për vitin 2015. Pa një U-turn pikiata vazhdon thellimin. Kostot e gjeneruara shtresë- zohen duke krijuar një substrakt destruktiv në nivel zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë.

Laureati i Çmimit Nobel, Angus Deaton, shkruan se: “Arsyet e Makros janë në Mikro”. Në këtë suazë: A duhet ekonomia të shkë- putet nga realiteti mikro i individit? Raporte të World Bank paraqesin se 32% e popullsisë shqiptare jeton në nivelin e 5$/ditë. Nëse politikat makroekonomike nuk kanë arritur të gjenerojnë mirëqenien e individit, buxheti nuk është më një çështje e hipotekueshme.

Zhbllokimi psikologjik i konsumatorit dhe sipërmarrësit pompon qarkullimin e parasë në ekonomi. Mbytja e aspiratës së sektorit privat mund të rezultojë në thellimin e humnerës financiare. Penalizimi denatyralizon frymën optimiste, ushqen substancën e irracionalitetit, duke katalizuar projeksione surreale financiare. Mbi supet e kujt rëndojnë kostot e inefiçencës?

*Pedagoge e Ekonomisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura