‘Qeveria po dëmton bizneset, i shemb me tritol’/ Kreu i Shoqatës së Biznesit për Panorama TV: Taksat dhe tarifat janë dyfishuar në kundërshtim me ligjin, punëdhënësit janë në krizë

Mar 29, 2023 | 11:43
SHPËRNDAJE

Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël e të Mesëm, Albert Nasto në një intervistë për Panorama TV tha se qeveria po dëmton bizneset, duke i shembur dhe me tritol, ku iu referua rastit të “Prestige Resort”.

Nasto ngriti ‘alarmin’ se duhen marrë masa të menjëhershme për të ulur taksat dhe tarifat, ndërsa theksoi se këto të fundit janë rritur 1 deri në 2 herë më shumë, madje dhe në kundërshtim me ligjin.

Ndër të tjera ai ka vlerësuar programin e kandidatit Belind Këlliçi për Bashkinë e Tiranës, ku tha se do ishte fitore e madhe për qytetarët nëse ky i fundit do mundte të ulte tarifat e gjelbërimit dhe taksat e tjera të cilat kanë rënduar në buxhetin e familjeve shqiptare.

Në fund tha se qeveritarët duhet të marrin shembull politikat europiane në lidhje me bizneset, nëse duan që të mbrojnë të punësuarit pasi mos të ketë krizë për punonjës.

Pjesë nga intervista:

Çfarë duhet bërë ndryshe për bizneset?

Të shtohen bizneset dhe numri i punëtorëve, duhet të ketë programe nga politika. Të ulen taksat dhe tarifat, biznesi po falimenton nga këto të fundit. Taksat nga bashkitë janë rritur 1 deri në 2 herë, është vënë një taksë ekstra për pagesën e infrastrukturën e cila është në kundërshtim me ligjin, mblidhen me miliona euro dhe nuk shohim një shkollë të re.

Qeveria duhet të marrë modele europiane, të bëjë diçka nga shembulli i këtyre të fundit. Të mbrohet çdo biznes dhe i punësuar.

A jep një frymë të re biznesit plani i propozuar nga zoti Këlliçi?

Është herë e parë që vihet një tavolinë me ekspertë të ndryshëm, pasi qeveria po dëmton bizneset i shemb me tritol. Kishte në atë tryezë një paketë shumë të detajuar, ku do t’i japë një frymë të re.

Në planin e tij ai ka parashikuar ulje taksash, a janë të realizueshme?

Këto janë të diskutuara me ekspertë, janë plotësisht të realizueshme, duhet të ulen Akoma më shumë. Kanë shkuar në kufirin e ligjit, por zero taksë për infrastrukturën ai e ul komplet, është një lehtësirë e madhe për biznesin, mund t’i japë një frymë të re mbijetesës së biznesit. N qoftë se Shqipëria, Bashkia, do të mbajë biznesin gjallë duhet të ulë në mënyrë drastike, tarifat dhe taksat. Do ishte fitore e madhe nëse Këlliçi do ulë tarifat e pastrimit e gjelbërimit, janë rritur ndjeshëm por cilësia nuk ka ndryshuar.

Ju keni kërkuar të firmosni një marrëveshje me Këlliçin?

Ndoshta janë modele të para por ne po i përshtatemi frymës europiane, për të mbajtur garanci në lidhje me biznesin. Jap vlerësime në lidhje me programin e tij, është një model i mirë për taksat në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura