Qeveria merr 35 milionë USD të tjera për rrugën Tiranë-Elbasan

Mar 17, 2017 | 14:35
SHPËRNDAJE

Punimet në aksin e rrugës Tiranë-Elbasan do të përfundojnë në muajin shtator, ndërsa pas 1 muaji pritet të hapet lëvizja e aksit nga rrethrrotullimi i TEG-ut deri në Ibë. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, tha për gazetën “Panorama” se punimet e kontratës mbyllen në muajin shtator.

Tuneli-Tirane-Elbasan-1-300x188

Qeveria, nga ana tjetër, pritet t’i dërgojë për miratim Parlamentit marrëveshjen e huas me vlerë 35 milionë dollarë për marrjen e masave ndaj rrëshqitjeve. Kreu i Autoritetit Rrugor sqaron se kjo shumë do të përdoret vetëm për punimet e shkaktuara nga rrëshqitjet, dhe nuk ndikon në grafikun e punimeve.

“Huaja do të përdoret për punimet e 4 rrëshqitjeve të mëdha që kanë ndodhur dhe pas të gjitha procedurave teknike e ligjore është vlerësuar që shuma totale të jetë 35 milionë dollarë. Kryerja e këtyre punimeve është e domosdoshme. Pas afatit të kontratës, lihet një afat garancie për të kryer disbursimin e huas, por kjo nuk ka lidhje me grafikën e punimeve. Kontrata është deri në muajin shtator të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe të kontratës do të përfundojnë punimet e aksit.

Rruga përfundon në muajin shtator dhe pas 1 muaji do të hapim aksin nga rrethrrotullimi i TEG deri në fshatin Ibë. Aktualisht nga punimet që janë kryer në këtë aks janë kryer goxha përparime”, u shpreh Xhika. Marrëveshja e qeverisë konsiston në akordimin e financimit shtesë për projektin e rrugës Tiranë–Elbasan, me një vlerë prej 35,174 256.80 dollarësh.

“Afati për përdorimin e këtij financimi shtesë, që do të akordohet nëpërmjet marrëveshjeve në fjalë, është deri në 3 vjet nga fillimi i disbursimit të financimit shtesë. Nevoja për financim shtesë ka ardhur si rezultat i problematikave të shumta që janë hasur gjatë zbatimit të këtij projekti. Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mosfinalizimin e projektit lidhen me problemet gjeologjike, e konkretisht, në Ibë dhe në zonën e Mulletit. Bazuar në analizat financiare të gjendjes aktuale të fondeve të akorduara nga Banka Islamike për Zhvillim, për përfundimin e plotë të veprës do të duhet të akordohen fonde shtesë në vlerën prej 35 174 256.80 dollarësh”, thuhet në relacionin e marrëveshjes së qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura