Qerveria miraton paketën me lehtësira për rimbursim automatik të sipërmarrjeve

Jun 22, 2016 | 12:58
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar një paketë lehtësuese për bizneset, sa i takon vendimit për tatimin mbi vlerën e shtuar.

arbenahmetaj

 

“Vendimi në fjalë, “Për një ndryshim në Vendimin nr 9053/2014 ka të bëjë për tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, pra dispozitat zbatuese, ka ndryshuar në themel një nga procedurat që deri më sot mund të ketë qenë një procedurë  penguese.

Deri më sot, rimbursim automatik brenda 30 ditëve do të merrte vetëm një biznes, i cili ishte 100% sipërmarrje eksporti. Me ndryshimin që kemi bërë, përfitojnë 50% e bizneseve, e sipërmarrjeve, në eksport duke hequr atë pengesë që ka ekzistuar deri më sot për rimbursimin e tvsh në eksport.  Dhe më konkretisht, nëse deri më dje vetëm sipërmarrjet 100% eksportuese përfitonin rimbursim automatik dhe kur ishin nën kontroll tatimor, sot të gjitha sipërmarrjet që kanë një qarkullim në eksport 50% e sipër të qarkullimit të tyre total, përfitojnë rimbursim automatik të TVSh të rimbursueshme, pa asnjë pengesë edhe kur janë nën kontroll tatimor.

Pra për ta shpjeguar më thjesht për eksportuesit, brenda 30 ditëve do të marrin rimbursimin e tvsh edhe në rastet kur Tatimet janë në sipërmarrje për kontroll, qoftë për rimbursimin apo për kontrolle të tjera.

Deri më sot nga rimbursimi automatik në eksport, me këtë kusht, përfitonin vetëm 12.3% e bizneseve dhe dua të ndaj me publikun që sot, pra në fund të 2015, rezultojnë 515 subjekte eksportues dhe deri më dje përfitonin nga rimbursimi automatik pa kushte brenda 30 ditëve i TVSh, vetëm 300 sipërmarrje. Sot me këtë ndryshim që ka bërë Qeveria përfitojnë 1050 ndërmarrje ose 40% e totalit të eksportuesve. Pra ka një kërcim shumë serioz në lehtësimin e  procedurave dhe të kësaj procedure, e cila është kërkuar në vazhdimësi nga eksportuesit”, tha Beqaj.

Sipas ministrit, kjo është një shenjë që ekonomia shqiptare ka hyrë në rrugën e një rritje të qëndrueshme.

“Kemi lënë krizën mbrapra, jemi futur në një trend shumë të konsoliduar të rritjes ekonomike. Kemi mbyllur të gjitha ato gropa që gjetëm nga qeveria tjetër dhe e gjithë kjo paketë tregon se ekonomia ka hyrë në një cikël shpresojmë të gjatë rritje të qëndrueshme ekonomike”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura