Vrasja për drogë në Mallakastër, dëshmia: Autorët u hoqën si policë. U shtira si i vdekur, Alfonsin e qëlluan afër

Jul 2, 2015 | 7:15
SHPËRNDAJE

Zbardhet ngjarja e ndodhur në Ninësh, ku për shkak të drogës u vra Alfons Dautaj, 23 vjeç dhe u plagosën dy shokët e tij. Tre persona të armatosur mësohet të kenë qëlluar natën e sulmit ndaj tre të rinjëve në pyllin e fshatit.

Policia, foto ilustruese

Sipas deklaratës së dy të mbijetuarve, dhënë për Policinë, tre autorët, rreth orës 1 të natës, kanë shkuar në vendin ku ata flinin pranë parcelës me hashash dhe u kanë thënë se ishin të policisë. “Na u prezantuan si policë. Fillimisht ne dëgjuam zëra si pëshpëritje, por ishim përgjumësh dhe nuk u përqendruam. Më pas, punë sekondash, ata na thënë: ‘Ndal policia! Kthehuni me fytyrë përtokë’. Më tej nuk dëgjuam gjë tjetër. Sapo u kthyem, ata qëlluan mbi trupat tanë”, ka treguar për gazetën Riza Fejzaj, i cili i mbijetoi sulmit të armatosur bashkë me shokun e tij, Mariglen Luari.

Viktima Alfons Dautaj

Ai ka treguar se autorët duhet të kenë qenë afër 10 metra. “Unë u shtira si i vdekur dhe nuk lëviza fare. Kjo i bëri të mendonin se më kishin vrarë dhe s’më qëlluan më, por dy shokëve të mi iu afruan edhe më afër dhe qëlluan mbi ta me breshëri automatiku”, tha Fejzaj. I plagosuri tha se, njërin prej autorëve ka arritur ta njohë nga zëri dhe se është banor i fshatit Fratar. 

Pas ngjarjes, Fejzaj u transportua në spitalin e Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i plagosuri tjetër, Mariglen Luari, ndodhet në Spitalin Ushtarak, për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur nga plagët. Pasi zhvilloi hetimet mbi ngjarjen, Policia e Fierit i shpalli zyrtarisht të arrestuar dy shtetasit, të cilët janë çuar në dhomat e izolimit pranë spitaleve ku marrin ndihmën mjekësore.

Blutë kanë thënë për mediat se janë arrestuar në flagrancë Riza Fejzo 22 vjeç dhe Mariglen Luari 24 vjeç, pasi mbi ta rëndon akuza “kultivim bimësh narkotike”. Nga veprimet hetimore paraprake, ka rezultuar se në afërsi të vendit ku ndodhi vrasja ndodhej një parcelë rreth 170 m katrorë, ku ishin kultivuar rreth 900 rrënjë hashash gati 50 cm të larta.

Sipas Policisë, droga ishte mbjellë dhe kultivohej nga viktima Alfons Dautaj dhe dy të plagosurit Luari dhe Fejzo. Po të njëjtat burime pohuan se tre të rinjtë ruanin parcelën me hashash dhe se dyshohet që konflikti që solli sulmin me armë zjarri ndaj tyre ka marrë shkas pikërisht nga droga.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë shoqëruar 20 persona dhe po punohet për identifikimin e vënien në pranga të autorëve të krimit. Krimi ndodhi pas mesnatës së të dielës, në pyllin mbi fshatin Ninësh të Mallakastrës.

Viktima dhe dy moshatarët e tij kishin kohë që merreshin me kultivimin e bimës narkotike, për të cilën policia nuk ka pasur dijeni. Pritet që zbulimi i autorëve të krimit të çojë në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të konfliktit të armatosur

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura