“Pylli” që fsheh Skënderbeun e të tjera…

Aug 28, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

besnik dizdariBESNIK DIZDARI

Tiranë, 21 gusht 2018. Ora 11:45. Duke e filluar me emrin e qytetit, datën e orën, vetvetiu e kuptova që kjo më erdhi prej një tradite të vjetër të njoftimeve të dikurshme në gazeta, të cilat i fillonin lajmet duke vënë vendin dhe datën, pa pasur nevojë të shkruhej “dje” apo “pardje”. Traditë e zhdukur prej gazetarisë së sotme shqiptare. Nejse! Ajo që dua të fiksoj janë fotot që shoqërojnë këtë shkrim të rubrikës “sime” të vjetër e të paraardhësve të mi në gazetari.

Dy fotot e para janë bërë më 21 gusht 2018, në orën 11 e 45 apo 11 e 50. Sigurisht, pamjet, ndonëse janë “me ekran të gjerë” dhe ndonëse janë bërë mû në qendër të kryeqytetit Tiranë, e shihni që assesi nuk duken si të tilla. Njëra foto tregon hyrjen “fantastike” për te sheshi “Skënderbeu” kur vjen nga kryqëzimi i “Rrugës së Barrikadave” në të dalë të asaj që niset nga “Pazari i Ri”, ndërkohë që në shpinë ke lënë kafe “Europa”- n e “Partizanin e Panjohur”.

Dhe e shihni që është një pyll i tanë! Një pyll i pamëshirshëm që ka zhdukur krejtësisht pamjen “hyrëse” të sheshit të ri e të gjerë “Skënderbeu”. “Pylli” ka hequr pamjen e peizazhit, që po e quajmë arkitektonik a urbanistik, aq elegante të Bankës së Shtetit, ka mbyllur nga pamja vështrimin për të dyja rrugët e famshme të Tiranës, atë të Kavajës dhe atë të Durrësit.

Pra, terr pemësh, zhdukje qytetëse e hijeshisë urbanistike. Foto tjetër është marrë nga ana e kundërt, pra, e shihni që ka një fshehje injorante të pamjes së kryqëzimit tërheqës të “Rrugës së Barrikadave”, hyrjes për te rruga e gjerë që të çon në “Pazarin e Ri”, disi edhe “Partizanin e Panjohur” dhe parazonën e Kinemasë së dikurshme “Partizani”. Arroganca e këtij ndërtimi pyllor është e pamëshirshme. Ka heqë pamjen çlodhëse që e shijonim duke “e prekur” përmes hapit tonë të ngadalshëm, në shëtitjen tonë, teksa duke biseduar me një shok, mik a familjar, i afroheshim “Bar Sahatit” – epiqendër e paharrueshme bisedash e takimesh, madje dhe vetë Skënderbeun.

Dikur ndiheshim si në një relaks të një psikologjie çlodhëse për mendjen e sytë, çka na zgjeronte pamjen tonë tradicionale të qendrës së kryeqytetit ende pa mbërritur tek ajo. Kështu, “pylli” në fjalë ka burgosur sheshin “Skënderbeu” në mënyrën më të papranueshme. Pa shkuar tek ajo tjetra, që për këtë burgosje, punimet kanë zgjatur më shumë se një vit, në bllokim të plotë të lëvizjes së qytetarëve aty. E kuptoni që vendi është “pjaca” e shkurtër, por historike, më parë plot gjallëri, midis Sahatit të Tiranës dhe Bibliotekës Kombëtare.

foto tirana

Nuk është më rruga e gjerë e dikurshme, nuk ka më trotuar. Ka vetëm pemë, siç e shihni aspak tërheqëse edhe ato. Dhe për të mbërritur te pamja e Monumentit të Skënderbeut, ka vetëm një rrugëz të shkurtër që të lë përshtypjen se po futesh si në një tunel, e që në “pyllëzimin” e tij nuk të lë as të dallosh e të përshëndetesh me një të njohur tëndin që po kalon aty. Praktikisht, ky pyllëzim, ky ngushtim, ka shuar një nga pikat tradicionale më nevralgjike, më gjallëruese të lëvizjes së qytetarëve të Tiranës: Lulishten e Vollgës, “Bar Sahatin”, Xhaminë, me “Foto Sportin”, me “Bar Krimea”-n, Farmacinë, pallatin “Kaceli”.

Dihet, shumica e tyre qenë shuar me kohë, po tash po shuhet edhe ajo çka kishte mbetë, madje vetë rruga a “pjaca” e vogël historike, por me një dendësi të jashtëzakonshme njerëzie, tash e zëvendësuar me “pyll”. Dhe mundojuni të gjeni një kryeqytet në botë, që errëson kësisoj pamjen në hyrje të sheshit qendror të tij ku është vendosur monumenti i kryeheroit të popullit të tij.

Sigurisht, sheshi qendror i Tiranës, i zgjeruar deri në paarsye, të cilin tash e parë e mbulon rëra e fushat e volejbollit, karuselat apo tregtizat assesi jobindëse, papritmas po mbijeton edhe pyllëzimin e tij, duke ia hequr qytetarit pamjen, çlodhjen e syve, horizontin arkitektonik qytetar, Skënderbeun, bankën, xhaminë e shekujve të shkuar, rrugën e Durrësit e të Kavajës, kryqëzimin e Barrikadave e të “Pazarit të Ri”. Çka ka mbyllur keqas një kujtesë të hershme qytetare.

Madje, në thelb ka mveshur me pyll edhe fasadën e Bibliotekës Kombëtare. Shkoni e shihni. Ec e gjeje cili është autori i kësaj jokulture, jourbanistike, joarkitekture, jokujtese, johistorie. Natyrisht, Bashkia, në krye. Dhe ka një vit e më shumë që mbasi e mbajti të bllokuar këtë “pjacë” kaq të shkurtër, por tejet historike, sapo e ka mbyllur pa mëshirë me “pyllin” që në të vërtetë nuk të jep ajër, por që ta merr ajrin. Ajrin e qytetarisë, pra. Dhe guxo e kalo me biçikletë po deshe. Si ka mundësi që janë kaq të guximshëm që ia arrijnë të injorojnë kaq fort, pse jo, një histori qytetare madje, sikur ta kenë Tiranën pronë të tyre?

Pra, që ua ka lënë amanet baba? Dhe qytetarët që janë nënshtruar, teksa ndoshta nuk harrojnë të shohin lajmet e përnatshme të televizioneve servile dhe të kënaqen me ecejaket e kryetarit të Bashkisë rrugëve të Tiranës, i shoqëruar nga tevabija e tij majtas e djathtas, anëtarët e denjë të së cilës nuk bëzajnë, veç tundin kryet në shenjë pohimi për çka thotë kryepersonazhi. E, turqizma “tevabi” në shqipet nënkupton saktësisht njerëzit, “të cilët i shkojnë mbrapa një njeriu me rëndësi, oborrtarë, shpurë”.

Një natë, si pjesë të kësaj tevabie, pashë të ishte edhe një Kryeministër të mëparshëm të Shqipërisë, i cili, po ashtu, pohonte me krye!… Ndërkaq, për kujtesë historike, jo thjesht për nostalgji, po vendos këtu edhe një foto të kësaj Tirane të dikurshme të sheshit, po aty. Mos po iu duket më mirë se sot?… Dhe po e mbyll, duke i njoftuar Bashkisë së Tiranës, se shkrimit të saj germëmadh “Bërryli” te kthesa e mirënjohur, i ka rënë keqas suvaja dhe është coptuar jo pak, çka rrezikon të shkëlqejë më fort emri i vërtetë i rrugës: Arkitekt Kasemi i madh…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura