“Puthja mes femrave, s’kemi pse puritanizojmë kabarenë”

May 30, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ndërsa e shihja Olta Dakun si këngëtare kabareje në shfaqjen me regji të Driada Dervishit “Sonte do të luajmë pa tekst”, në Teatrin Kombëtar, po mendoja se sa e pamundur ishte të parafytyroje një adoleshente, 17-vjeçare, në errësirën e mbushur me muzikë të ndonjë salle teatri, që befas i shpërthen dëshira për t’u bërë aktore.

1

Them e pamundur, sepse Olta nuk duket të ketë kaluar nëpër faza kohore për t’u bërë aktore e jashtëzakonshme; të ngjan se ka qenë gjithmonë e tillë, prandaj edhe fantazitë e saj të para duken ireale. E vetmja lidhje që mund t’i bësh me të shkuarën, sa i përket këtij roli, është zëri.

Olta Daku ka studiuar në Liceun Artistik për kanto dhe flaut, prandaj muzikën e njeh mirë. Vërtet që e braktisi rrugës për aktrimin, ama ato që i duheshin i kishte marrë. Afërmendsh, “La Chanteuse” e Pirandello-s në Teatrin Kombëtar ishte gati! Regjisorja Dervishi nuk kishte fare pse të mendohej se me kë do ta turbullonte sallën kur personazhet të gjendeshin në kabare.

Olta Daku në rolin e këngëtares së kabaresë
Olta Daku në rolin e këngëtares së kabaresë

Pas lindjes së “Kabaresë” brenda “Café- Chantant” në Francë, ku personazhet, siç tregojnë anekdotat e legjendat, humbnin nëpër natë, jo vetëm për të zhvilluar këngën si shprehje kulturore, por edhe për të shijuar pijen. Meqenëse kabareja e parë zyrtare, në 1806, u zhvendos pranë Pallatit Mbretëror në Paris, kuptohet frekuentimi i shfaqjeve nga ushtarë, të punësuar, bankierë, fisnikë etj.…

Qëllimi i vetëm i të gjithëve ishte argëtimi dhe shijimi i asaj buzëqeshjes së përhershme të kërcimtares këngëtare. Kështu u bë Parisi qendra e “Epokës së Bukur”, që shfrytëzonte muzikën e pijen për të kaluar në kënaqësi të tjera. Mirëpo, kur mbërriti në Itali, koncepti i kabaresë u tjetërsua disi. Nuk të provokonte aq mendime sensuale, sa komike, sepse aty “udhëheqësit” e Kabaresë u trajtuan më shumë si aktorë humori.

E bëmë këtë parantezë historike për t’iu thënë se Olta Daku i kishte të dyja. Mbase nuk di të këndojë po aq mirë sa ç’di të aktrojë, ama ka zërin dhe teknikat e mësuara (Meritë kjo edhe e gjenit. Të dy prindërit e saj, si pjesë e Akademisë së Arteve, mamaja si mexosoprano (Xhovana Daku) dhe i ati si pedagog klarinete (Kristo Daku), kanë shërbyer në formimin muzikor të së bijës).

Do të thoni ju që këngëtarja e kabaresë nuk ka pse të ketë tipare komike, përkundrazi! Po por, në momentin që “La Chanteuse” duhet të dalë nga roli për të qenë në një “rol” tjetër që duhet të duket real, Olta është natyrshëm gati jo vetëm prej aftësive interpretative kur vjen puna te komedia, por se është po aq hokatare edhe në të përditshmen.

Regjisorja Driada Dervishi driada dervishi

Pra, te loja brenda e lojës së Luigi Pirandello-s, Daku ishte aktorja e vetme që i përshtatej njësoj mirë qoftë rolit të skenës si këngëtare, qoftë atij jashtë pjesës. PUTHJA Vetëm se këngëtarja e Pirandello-s, nuk ishte ajo argëtuesja që do të zbukuronte netët e të jargosurve.

Brenda fustanit të gjatë e të zi që thyhej nga e kuqja, vetëm pak, sa për t’iu përshtatur errësirës së përndezur së kabaresë, shquhej qartë melankolikja që e ndien keqtrajtimin e botës në lëkurë. Ajo nuk ka shikim; sytë e saj nuk kanë ç’i duhen askujt, ndërsa ajo nuk do të shohë askënd. Komunikon me trup, me lëvizje, me zë…

Ky i fundit i bën të lexueshme gjithë të shkuarën. E ka të gdhendur në korda të gjithë alkoolin e të gjithë duhanin që ka tymosur. Të gjitha netët e vdekura gjatë së cilave ka qenë një njeri tjetër e që përmes pijes ka dashur të mbesë pak nga vetja, për të mos humbur e gjitha.

Me alkool i ka jetuar vdekurazi realitetit, ka bërë edhe gjëra që të nesërmen i ka harruar, që ka dashur t’i harrojë. Nuk dihet nëse këngëtarja e kabaresë e ka kujtuar të nesërmen puthjen me njërën prej balerinave ama, e ka kujtuar publiku i Teatrit Kombëtar, meqenëse një puthje midis dy femrash nuk e kishte parë deri sot.

“Që koncepti i kabaresë të përcillej realisht, skenat duheshin bërë të plota. Do të vendosësh, ose do ta bësh, ose jo. Nuk di çfarë t’u them për balerinën, por nga ana ime, sigurisht që nuk pati asnjë hezitim për t’i bërë skenat e plota; nuk ka arsye, ajo është puna jona. Në fund, nëse kemi arritur ta fusim spektatorin realisht brenda një kabareje, atëherë do të thotë që ia kemi dalë. Ne u përpoqëm që të mos linim gjë jashtë asaj atmosfere që joshte gjithë shoqërinë e asaj kohe”, thotë Daku për atë skenë që, njësoj siç të tjerat, diti ta hekurosë me profesionalizëm.

Aq sa, nuk e kishte të nevojshme ta përfshinte qysh në provat e ditëve të para. “Skena u vendos, por nuk e kemi bërë që në fillim, vetëm dy herë përpara provave gjenerale; meqenëse ishte vendosur gjithçka e të gjitha ishin të kopsitura, u la të bëhej vetëm në fund”.

Ndërsa shton se skena e puthjes është propozuar e pranuar që në fillim, pyetëm edhe regjisoren Dervishi. “Skena e kabaresë u konceptua që në fillim në qendër të një këngëtareje melankolike, e cila pi çdo natë për të shuar dëshpërimin. Në lot e në pije, veprimet nuk kanë më një logjikë. Pastaj, kabarenë nuk kemi pse ta puritanizojmë më shumë seç duhet, duke pasur parasysh që në epokën që jetojmë (luajmë), një puthje e tillë mund të tingëllojë thjesht një puthje e pafajshme ngushëllimi”.

Dhe në fakt, Olta Daku të fuste aq shumë në gjendjen e melankolisë së saj sa që u perceptua vërtetë si një puthje ngushëllimi. Edhe pse një puthje mes dy femrash nuk ishte parë në Teatrin Kombëtar, askush nuk doli me interpretime lidhur me këtë, pikërisht sepse kishte shijuar gjendjen “tjetër” të aktores; atë që ajo e bëri, të dukej aq reale, sa edhe batutat që e nxirrnin nga kabareja për ta kthyer në aktore teatri.

Në të dyja rastet, për të shijuar gjithë ç’thamë, do të duhet të shkoni sonte në mbrëmje në teatër, ose, të prisni shtator-tetorin, temperaturë në të cilën kabareja shijohet më tepër.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura