PSG-ja përmbys Lilën, Nejmar shfryn: Nuk jam vetëm një djalë festash…!

Oct 30, 2021 | 11:28
SHPËRNDAJE

PSG-ja është e papërmbajtshme në kampionat. Sikur të mos mjaftonte mungesa e Mbapesë dhe zëvendësimi i bujshëm dhe i zhurmshëm i radhës në fund të pjesës së parë i Lionel Mesit nga Poçetino, parisienët përmbysin Lilën dhe blindojnë edhe më shumë kreun e renditjes.

NEJMAR MESI

Pas avantazhit të papritur të Davidit në minutën e 31-të, në pjesën e dytë vjen përmbysja e madhe. Në fillim, Markuinjos barazon shifrat në të 74-ën, ndërsa goditja që ngre peshë stadiumin i përket Di Marias dy minuta nga fundi, ndonëse as ky sukses nuk duket se do t’i shuajë shkëndijat që po e rrethojnë nga kjo verë PSG-në.

NEJMAR NUK MBAN MË – Sulmuesi i Brazilit dhe Paris SG-së, Nejmar, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Sa herë që zbret në fushë ose shfaqet në media, gjithnjë do të ketë diçka të re. Braziliani nuk ka zhgënjyer as këtë herë. Sulmuesi ka shfryrë kundër të gjithëve duke deklaruar se dëshiron të kujtohet si një lojtar i vërtetë në fushë dhe jo si një djalosh festash.

“Njerëzit ndoshta nuk kanë punë dhe merren me çdo gjë që bëj. Kur kam kohë, natyrisht që dal, por ditën tjetër jam sërish në stërvitje.

Çfarë ka të keqe në këtë mes? Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se respekt. Dëgjoj shpesh njerëzit që thonë se Nejmar nuk kujdeset për veten, Nejmar e ka mendjen te festat, Nejmar kështu e Nejmar ashtu.

Por si ka mundësi që një njeri që nuk kujdeset për veten ka 12 vjet që qëndron në majat e futbollit? Nuk e kuptoj këtë gjë. Njerëzit më shumë merren me atë çfarë bëj jashtë fushe se me atë çfarë bëj në fushë”, ka thënë Nejmar.

Por braziliani nuk është ndalur me kaq, duke vijuar me kritikat në adresë të “botës”. “Mund t’i garantoj të gjithë se di të kujdesem jo pak për veten. Kam një fizioterapist dhe një përgatitës atletik që më qëndron pranë 24 orë në ditë.

E për çfarë? Për asgjë. E theksoj se dua të gjykohem për atë çfarë bëj apo nuk bëj në fushë, jo për jetën time private.

Jeta ime është imja dhe mund të bëj çfarë të dua”, ka nënvizuar braziliani. Gjithsesi, Nejmar ka pranuar se me kalimin e viteve ai është maturuar më shumë. “Natyrisht si i ri gaboja më shumë.

Jo sepse tani që jam 30 vjeç nuk gaboj, por jam shumë më i pjekur. Pjekuria vjen me kohë”, ka thënë braziliani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura