Pse duhet mbajtur “zi” për pluralizmin më 8 Dhjetor?!

Dec 8, 2017 | 10:31
SHPËRNDAJE

Bislim-AhmetajBISLIM AHMETAJ

e shpreh pak a shumë kështu: Doktrinë politike kundër totalitarizmit, ku në jetën politike të një vendi marrin pjesë më shumë se një parti”. Pa e tëholluar hiç, po përpiqem t’i rendis disa arsye se pse duhet mbajtur “zi” për pluralizmin në përvjetorin e 27-të të Lëvizjes Studentore që shembi sistemin monopartiak dhe legalizoi pluripartitizmin. A ka kuptim pluralizmi politik kur “timonieri” drejton dhe kontrollon si maxhorancën, ashtu edhe opozitën?! Përgjigjen e kësaj dileme e gjejmë të sintetizuar te realiteti politik në të cilin na gjen ky përvjetor.

A nuk ishte kryetari i sotshëm i maxhorancës që nuk la gur pa lëvizur që “timonin” ta merrte i vetëm, njëlloj si paraardhësit e tij ideologjik. Por jo vetëm kaq, në nisje të fushatës ai u kujdes dhe ia doli ta vinte në kontroll të plotë edhe partinë më të madhe të opozitës, përmes një marrëveshjeje groteske me kryetarin e Partisë Demokratike, e cila prodhoi dhe po vazhdon të prodhojë totalitarizëm gati në kufijtë e një diktature të pastër. A ka kuptim pluralizmi kur vota e humb kuptimin e saj fundamental?! Vota si mekanizmi që e prodhon dhe e promovon pluralizmin, në vendin tonë e ka humbur krejtësisht vlerën e vet politike, ajo është shndërruar në një send që këmbehet me një thes miell, një shishe raki, një presion për largim nga puna, një mbyllje syri nga njerëzit e ligjit kur e ke shkelur atë, një gjithçka, veçse jo për të ofruar alternativë dhe për të garantuar pluralizmin e qeverisjes që del prej saj.

Kontrolli i ekonomisë kombëtare nga një grup oligarkësh e ka vënë në pikëpyetje sistemin?! Vitet e ‘90-a ishin vitet e besimit dhe shpresës, vitet e një entuziazmi gati në ekstazë të njerëzve të etur për liri dhe demokraci, të njerëzve të uritur dhe të shfrytëzuar më keq se në kohën e skllavërisë legale. Këtë entuziazëm, besim e shpresë e vranë dalëngadalë “pronarët” të lirisë. Ata që nga shkallët e pushtetit nuk panë nga njerëzit që i mbarsën me pushtet, por nga xhepat e tyre dhe të shpurës që i rrethonte.

Për fat të keq, asnjëra prej forcave politike që qeverisën në këto 27 vite nuk tregoi vullnetin e mjaftueshëm për të lindur, zhvilluar dhe rritur një shtresë të mesme të qëndrueshme, shtresë që është baza e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të një vendi. Ekonomia kombëtare është përqendruar në 5 deri në 10 % të popullsisë, 15 deri në 20% ia dalin të kenë një jetë normale, ndërsa 70 % ose i kanë ikur Atdheut me çdo lloj forme, ose janë në varfëri ekstreme.

Një vend që ka mbi 60 % të popullsisë të varfër ose shumë të varfër, është çdo ditë i mbërthyer nga ganxhat e destabilitetit dhe pasigurisë. Këtë realitet të zymtë ekonomik dhe social e kemi dhuratë nga establishmenti politik, i cili është pjesë e oligarkisë se krimit dhe ekonomisë së vendit. A është e rrezikuar liria e besimit në vendin tonë?! Ne si komb jemi shtet multifetar, nuk e marr përsipër ta analizoj në është mirë apo keq, pasi disa e shesin si asetin më të çmuar që kemi – në kuptimin e tolerancën mes feve, disa te tjerë kanë mendim krejt tjetër për këtë “aset” dhuratë e pushtimeve të gjata.

Më shumë se 90% e objekteve të kultit në vendin tonë (përjashto teqetë e bektashinjve) janë të ndërtuara me fonde, origjina e të cilave është krejtësisht jashtë kontrollit të institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Tradita e hershme, që besimtarët ta ndërtojnë shtëpinë e Zotit me forcat e tyre, është varrosur. Koha kur dikush falte tokën, të tjerë mblidhnin paratë, të tjerë dhuronin materiale dhe ata që nuk kishin asgjë për të dhënë, ofronin krahun e punës pa shpërblim, ka vdekur.

Tani gjithçka vjen nga origjina e feve që ushtrohen në vendin tonë. Ai që të ndërton kishën, ta çon edhe priftin, ai që ta bën xhaminë, ta “emëron” edhe hoxhën. Kështu që edhe aseti ynë më i vyer është i rrezikuar dhe një fushë e minuar. Rrjetet sociale “Facebook”, “Twiter”, “Instagram” etj., kanë mbetur mburoja e vetme e lirisë së fjalës. Shumica e mediave në Shqipëri dihet prej dreqit dhe të birit se janë pronë e sipërmarrjeve të mëdha të ndërtimit, të industrive të nxjerrjes apo përpunimit të pasurive kombëtare dhe të atyre që kanë përfituar tendera dhe koncesione publike. Për pasojë, në ma të shumtën e kohës janë shndërruar në “bunkerë” për bizneset e poseduesve dhe jo dritare prej kah duhet të informohet dhe të shprehen interesat e publikut të gjerë.

Në shumicën e rasteve, të njëjtën skemë kanë ndjekur edhe portalet apo blogjet e shumta që kanë mbirë si bari i keq. Shembullin më të keq në çoroditjen dhe asimilimin e medias së lirë dhe të informimit korrekt të publikut e japin përditë Kryeministri i vendit dhe kryetari i Bashkisë më të madhe të vendit, të cilët kanë ndërtuar perandorinë e tyre të propagandës dhe shesin kasetat e montuara te mediat “e lira” në këmbim të tenderave publikë apo të presioneve për mbyllje.

Deri sot s’kam parë asnjë televizion të ketë refuzuar transmetimin e kasetave të përgatitura nga ndërmarrjet propagandistike të Kryeministrit apo kreut të Bashkisë së Tiranës, dhe ky është treguesi më i qartë që media e lirë ka cof, është kapur dhe nuk i shërben më publikut, por bosëve të saj. Drejtësia ka kohë që i ngjet një të vdekuri që nuk gjen varr për t’u varrosur!!! Në një republikë parlamentare, siç është kjo e jona, ku çdo pushtet prodhohet nga vota e deputetëve të Parlamentit, është e pamoralshme dhe qesharake t’i bihet në qafë në mënyrë të njëanshme sistemit të drejtësisë, edhe pse situata në këtë shtyllë të shtetit të së drejtës është jetike, si shprehja popullore “bjeri samarit kur s’ke ç’i banë gomarit”.

Situata në këtë segment të shtetit është krejtësisht e ngjashme me Parlamentin, ku hyjnë e dalin kriminelë, sikur të ishte një institucion riedukimi që, pasi kryejnë dënimin, fitojnë lirinë e përkohshme, pasi prapë atavizmi dhe recidiviteti i thërret në të njëjtën strehë. S’është aspak më e ndryshme situata në administratën e lartë apo atë lokale të shtetit, ku rokadat e zgjedhjeve politike shoqërohen me ndërrime drastike. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që administrata shtetërore më shumë mendon për portofolin e vet, se për shërbimet ndaj qytetarëve. Kur vjedh, abuzon, mashtron i zoti i shtëpisë shtëpinë e tij, çfarë mund të presësh prej hyzmeqarëve, rojeve dhe badiguardëve.

Këto janë vetëm një pjesë e arsyeve pse duhet mbajtur zi në këtë 8 Dhjetor për pluralizmin në Shqipëri. Kësaj liste mund t’i shtoheshin edhe 1001 arsye të tjera, por themeli i një shoqërie pluraliste, demokratike dhe të lirë është besimi te Zoti, te vota, te prona, te drejtësia dhe liria e shprehjes. Këto shtylla janë rrënuar, janë kalbur akoma pa u rritur mirë, si palmat e autostradës. Në mbyllje dua të sjell në vëmendjen e lexuesit një shprehje kuptimplotë që populli ynë e përdor në mort: “I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin”.

Ndaj edhe pse panorama është e zymtë dhe gati e pashpresë në këtë vend nuk janë të ndotur, të kalbur, të zhytur në llumin e patologjive që i përmenda më lart më shumë se 10 deri në 20% të popullsisë aktive, 80% s’kanë asnjë arsye pragmatiste të lidhen ideologjikisht me partitë e traditës që sollën këtë realitet, nuk kanë pse pranojnë skllavërinë e kësaj pakice të pashpirt. Kjo shumicë duhet që në emër të fëmijëve të tyre, në emër të së ardhmes së Shqipërisë t’i refuzojë dhe injorojë, t’i neverisë dhe leçitë këtë pakicë që po sundon duke shkelur çdo kod moral, të gjitha ligjësitë e etikës dhe parimësisë.

Për këtë, kjo shumicë s’ka nevojë të vihet në kërkim të liderëve legjendarë dhe të padiskutueshëm. Provojeni bëhuni vetëm për një ditë liderë të interesave tuaja dhe do të çuditeni që shumë shpejt do t’ia dilni të çliroheni nga tirania e zullumqarëve që po sundojnë në mënyrën më të paskrupullt. Provojeni për një ditë, për një javë ta përdorni refuzimin estetik e qytetar ndaj qeverisjes abuzive që establishmenti politik e ka legjitimuar si qeverisje që e meriton shumica dhe jam i sigurt që një Dhjetor i ri, i vërtetë do t’i japë fund abuzimit me lirinë në emër të lirisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura