PSA vdiq, rroftë PSA!

Sep 28, 2022 | 7:28
SHPËRNDAJE

MYFTAR BARBULLUSHI

download

Pra, po, kancer është….. çudi..”, zëri i mjekut erdhi duke u zvargur derisa u shua si në ato filmat apo shfaqjet televizive ku një djali të ri i thuhet se ka kancer… një moment klasik i Walter White, përveç se ai isha unë dhe askush nuk po filmonte asgjë, ndërsa unë me imagjinatën time po fotografoja funeralin tim.

Diagnoza ishte shokuese. Buronte nga asgjëja. Gjate një nate krejtësisht të bardhë, ku e tërë jeta ime, para dhe pas diagnozës, do të më shfaqej para sysh si një film triller, mësova se Robert De Niro, me të cilin kemi luajtur së bashku në filmat, “Njihuni me Prindërit”, “Njihuni me Pockers”, dhe “Little Fockers”, kishte kaluar kancer të prostatës. E telefonova menjëherë, edhe pse kishte kaluar mesi i natës, dhe ai përveç se u përpoq të me qetësonte, më referoi emrin e mjekut të tij urolog, Edward Schaeffer – do të zbulonte në “The Howard Stern Show” – Ben Stiller, aktori komik, legjenda e ekranit të argjendtë, që ju ka bërë të qeshni në filmat e tij të mrekullueshëm.

Një test i PSA-së i kërkuar nga mjeku i familjes, një test që ai nuk duhej ta kërkonte, pasi unë isha vetëm 46 vjeç dhe nuk kisha asnjë shqetësim apo histori familjare për kancer të prostatës, pasi të gjitha rekomandimet e shoqatave të rëndësishme profesionale insistojnë që burrat të testohen vetëm pas moshës 50-vjeçare, do të përmbyste në një çast të vetëm të gjithë botën time.

Tre muaj, të barabarte me tre shekuj, në një udhëtim të çmendur nga ferri në parajse; nga mjeku i familjes te një urolog për një ekzaminim fizik, më pas për një rezonancë magnetike dhe së fundi një biopsi e prostatës që konfirmoi një kancer agresiv. Ndërhyrja kirurgjikale e ndihmuar dhe nga roboti automatik, me mundësoi të jem i shëndetshëm dhe këtu me ju, duke iu përulur Testit të PSA, i cili më shpëtoi jetën, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

ÇFARË ËSHTË TESTI I PSA-SË DHE PSE KA NXITUR KAQ SHUME POLEMIKA?

Testi i antigjenit specifik të prostatës (PSA) – një test i thjeshtë gjaku – është një nga testet më të lavdëruara, por edhe më të diskutueshëm për zbulimin e hershem të kancerit të prostatës. Mishëron një enzimë të sekretuar nga prostata për ta bërë spermën të notojë më lirshëm. Nivelet e rritura në gjak janë një tregues i rëndësishëm i pranisë se kancerit të prostatës, i cili prek rreth 14 % të meshkujve në US, duke vrarë çdo orë nga një burrë e duke u identifikuar kështu me spektrin e kancerit dhe të vdekjes. Ky test supozohet të shpëtojë jetë duke identifikuar kancerin e prostatës në fazat e tij të hershme pasi simptomat e kancerit të prostatës shfaqen vetëm kur sëmundja është në një fazë të avancuar. Por, fakti që ky test nuk arrin të dallojë kanceret agresive nga ata jo agresivë që nuk influencojnë aspak në jetën e njeriut – të dallojë midis qenit që qëndron i shtrirë në këmbët tona dhe ujkut që na copëton – ka nxitur diskutime mbi aplikimin e këtij testi si depistues kombëtar të kancerit të prostatës duke e futur testin në një kalvar ngjyrash nga më të ndryshmet, nga e zeza në të bardhë.

PSA VDIQ

Ka disa momente të rëndësishme në jetë, në dukje banale, por që askush nuk i pret me padurim – të shkulësh dhëmballët e bezdisshme të pjekurisë, mamografia e parë te femrat dhe natyrisht në krye të listës për meshkujt ka të ngjarë që të jetë depistimi për kancerin e prostatës, nëpërmjet testit të PSA. Zbulimi i hershëm i kancerit të prostatës nëpërmjet depistimit rutinë të PSA gjate tri dekadave ka çuar në një reduktim spektakolar të vdekshmërisë nga kanceri i prostatës.

Por, testimet rutinë të PSA rritën rrezikun e mbidiagnozës dhe për më tepër të mbitrajtimit të kancerit të prostatës me rrezik të ulët që nuk do të kishte asnjë influencë gjatë jetës së një burri dhe natyrisht nuk do të mjekohej nëse nuk do të identifikohej nga testimi.

Kjo bëri që Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së të shprehej në vitin 2008 kundër ekzaminimit rutinë të PSA duke shkaktuar një furtunë reagimesh negative nga urologët, sidomos ata europiane, të ngjashme me reagimin për ndalimin e mamografisë në depistimin e kancerit të gjirit, në gratë në të 40-at. Pas këtij vendimi drastik testi i PSA do të anatemohej me etiketime të paprecedente të tilla si; “test i diskredituar”, “pa vlere” dhe deri autor i një “krimi të pandërgjegjshëm kundër njerëzimit”. PSA vdiq. Në mortjen e tij fjalimin e lamtumirës e mbajti vetë zbuluesi i tij.

LOJA KA NDRYSHUAR

Fatkeqësisht, që kur testet rutinë të depistimit të PSA u ngrinë, kanceri i prostatës do të lulëzonte si asnjëherë tjetër. Situata aktuale ku pacientet diagnostikohen vetëm kur ju fillojnë shqetësimet i ngjan perëndimit të egër ku vetëm Clint Eastëood mungon. Studimet e fundit dokumentojnë një rritje të vazhdueshme deri në 50% të kancerit metastatik [të avancuar] të prostatës, të shoqëruara me rritje galopante të numrit të vdekjeve. Për më tepër, diagnostikimi i pacienteve në fazën metastatike, përveçse pak efektiv, është i shtrenjtë dhe shoqërohet me efekte anësore që prekin cilësinë e jetesës, duke na detyruar t’i kapërdijmë të gjitha etiketimet e pakëndshme ndaj testit të PSA. Sa keq që me kryqëzimin e testit të PSA bashkë me ujin e banjës paskemi flakur edhe foshnjën.

RROFTË PSA!

Kohet dhe paradigmat detyrohen të ndryshojnë kur faktet imponojnë përgjigje rrënjësore. Eksperimentet e dhimbshme me kufizimet e testit të PSA na mësuan se në mungesë të një testi më të mirë se PSA, për zbulimin e hershem të kancerit të prostatës, na duhet të rikthehemi te testi i PSA, por, duke e interpretuar ndryshe testin dhe jo duke e hequr atë siç kemi bërë kohët e fundit.

Ky test nuk është perfekt, por është më mirë se çdo gjë tjetër, sepse është një test gjaku i thjeshtë dhe shumë objektiv. Në të ardhmen do të ketë biomarkera të tjerë që do t’i shtohen testit të PSA, por, të paktën deri në një të ardhme të parashikueshme, PSA do të jetë shtylla kryesore, kontrolli i linjës së parë për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës.

Ne ceremoninë e rikurorëzimit të PSA rolin e priftit e ka marrë Shoqata Europiane e Urologjisë, e cila insiston se interpretimi i zgjuar i vlerave dinamike të PSA, shtimi në ekuacionin diagnostik të një sistemi pyetësor të shtresëzimit të rrezikut, rezonanca magnetike dhe prekja e prostatës me gisht, jo vetëm do të diagnostikojnë herët të sëmurët me kancer, por, do të diferencojnë kanceret e parëndësishme, që nuk kanë nevojë për mjekim, nga ata agresive që sa me shpejt të diagnostikohen e të mjekohen, aq më të mirë e kanë prognozën e tyre.

Për më tepër, kjo qasje e kombinuar ul numrin e meshkujve që do t’i nënshtrohen biopsisë, mbidiagnozat dhe mbitrajtimet, e për pasojë efekte anësore të tilla si mosmbajtja e urinës dhe impotenca seksuale. Në materializim të kësaj qasjeje të re, Shoqata është hedhur e tëra në luftë frontale për të bindur politikanët evropianë se programet kombëtare të zbulimit të hershëm të kancerit të prostatës, të bazuara në testin e PSA, duhet të rikthehen urgjent në të gjithë Evropën.

Në 2 mars 2022, këshilltarët shkencorë të Komisionit Evropian u shprehen në favor të këtij depistimi. Pas këtij publikimi, Komisioni Evropian njofton se do të shqyrtojë sa më parë mundësinë e zgjerimit të depistimit në nivel kombëtar për kancerin i prostatës, të mushkërive dhe të stomakut. Dera është gjysmë e hapur, por ne mjeket duhet të punojmë shumë këtë vit për të siguruar që ajo të mos mbyllet më. Siç duket, Ajnshtajni gaboi. Vetëm Zoti hedh zare.

NË VEND TË MBYLLJES….

Çfarë përfaqëson prostata? A duhet të bëj një test PSA….? A mund të kem kancer….? – Përvijohen natyrshëm drejt meje këto pyetje, të cilat, edhe kur nuk artikulohen drejtpërdrejt, i ndjej pezull në ajër, amalguar nga një mjegull shqetësimi dhe ankthi, perceptuar jo si antigjeni specifik i prostatës, por si antigjeni specifik i ankthit, ankth qe përveç vlerës dhe cilësisë së jetës kushtëzohet edhe nga mënyra se si ne e kuptojmë maskulinitetin, plakjen dhe seksualitetin, duke mos dashur ta pranojmë se në ekuilibrin e saj perfekt, ajo që natyra i rezervon femrës në agim të jetës së saj seksuale, menstruacionet e bezdisshme, është në harmoni (hakmarrje?) me atë që në nadir të jetës seksuale i ka rezervuar burrit; sëmundje me gjithfarë emrash latinë dhe grekë – nocturia, strangury – dhe, më e keqja nga të gjitha, ajo me origjinë anglo-saksone, kanceri. Ose thjesht si reagim dashakeq i organit të vogël në formë arre, prostatës, ndaj rënies së fluksit hormonal që e detyron mashkullin të largohet nga partnerja e tij femër.

Një kolegu im, gjatë kafes se mëngjesit në spital, e pranoi me dinakëri se nuk e bënte testin e PSA për veten e tij sepse donte të shmangte, “Rrënjën në atë shpat të rrëshqitshëm ankthi” siç e quajti ai, duke artikuluar se testimi mund të çojë në një sërë testesh të mëtejshme aspak të këndshëm. Sigurisht, por testi mund të çojë gjithashtu në zbulimin e kancerit agresiv, potencialisht vdekjeprurës, dhe mundësia e vetme për të mbijetuar është ta zbulosh atë sa më herët. Bëje testin koleg që nesër në mëngjes!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura