Provimi i shtetit, gjysma e mjekëve të rinj të paaftë

Jun 26, 2015 | 14:13
SHPËRNDAJE

Universiteti i Mjekësisë vijon të nxjerrë mjekë të paaftë në tregun e punës. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ku gjysma e mjekëve të rinj që u testuan në provimin e shtetit në muajin maj rezultojnë ngelës. Lista e mbetësve kryesohet nga farmacistët e infermierët, ndërsa më mirë rezultojnë logopedët e teknikët e laboratorit. Sipas rregullave, mjekët që nuk rezultuan kalues në provimin e shtetit, nuk marrin dot licencën e ushtrimit të profesionit, e rrjedhimisht nuk kanë të drejtë as të aplikojnë për një vend pune. Më keq rezultojnë të jenë farmacistët e rinj.

Nga 167 kandidatë të futur në provim, vetëm 45.5% kanë mundur të marrin gjysmën e pikëve për t’u quajtur kalues. Thuajse në të njëjtin nivel paraqiten edhe infermierët. Nga 1108 të testuar, 555 prej tyre kanë dështuar të kalojnë testin. Listën e mbetësve e ndjekin stomatologët e mjekët me një kalueshmëri rreth 70%. Po të bëjmë një krahasim me sezonin paraardhës, vihet re një rënie e ndjeshme e kalueshmërisë së mjekëve që aspirojnë të ushtrojnë profesionin e tyre. Shifrat aktuale pasqyrojnë mbetës 31.1% të atyre që u testuan, ndërsa në sezonin paraardhës, dhjetor 2014, kanë mbetur vetëm 8.4%. Rënie të kalueshmërisë kanë pasur edhe dy profesione të tjera: stomatologë dhe farmacistë, krahasuar me sezonin e dhjetorit. Nga nëntë profesione të testuara, vetëm tre prej tyre kanë mundur të shkëlqejnë në provim, duke shënuar edhe kalueshmërinë më të lartë: logopedët, teknikët e laboratorit dhe mamitë.

Besarda Basha 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura