Prokurorët në Port për patentat e Tahirit, flet zyrtari që i firmosi: Kur u lëshuan lejet e skafit

Nov 8, 2017 | 10:20
SHPËRNDAJE

Prokurorë të Krimeve të Rënda zbarkuan dje në Kapitanerinë e Durrësit, ku kanë kërkuar informacion në lidhje me dy patentat e lëshuara për mjete lundrimi ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, shkruan “Panorama”.

saimir-tahiri-patentat

Burime nga Kapitaneria bënë të ditur se kanë qenë dy prokurorë, të cilët kërkuan praktikën përkatëse për të verifikuar procedurën e pajisjes së dy lejeve lundruese, të cilat u zbuluan së bashku me 863 mijë euro në makinën e biznesmenit Orest Sota.

Tashmë edhe çështja e dy patentave duket se u ka kaluar Krimeve të Rënda, pasi kësaj të fundit i kaloi për kompetencë edhe hetimi pasuror i shumës prej 863 mijë eurosh kesh të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat nga ana e biznesmenit 25- vjeçar.

Siç mësohet, dy prokurorët e Krimeve të Rënda janë paraqitur paraditen e djeshme dhe zhvilluan një takim me kapitenin e Porteve, Paulin Ndreu, dhe me përgjegjësin e sektorit të mjeteve lundruese dhe detare që ka firmosur lejet e lundrimit të ish-ministrit Tahiri, Hamdi Domi.

Ky i fundit, në cilësinë e Përgjegjësit të sektorit të mjeteve lundruese e detare, që ka firmosur lejet e ish-ministrit, shpjegoi dje se si është pajisur me dy patentat Saimir Tahiri. Sipas Hamdi Domit, patentat që mbajnë firmën e tij, janë lëshuar para vitit 2011, shkruan “Panorama”. Në këtë vit Tahiri ka qenë deputet dhe jo ministër i Brendshëm.

Ndonëse i rezervuar për shkak të specifikës së kësaj çështjeje, Hamdi Domi theksoi se patentat e ish- ministrit thjesht janë rinovuar, njëra këtë verë dhe tjetra në vitin 2015. Sipas tij, kjo është procedurë që kryhet automatikisht.

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura