Praq Rado, një shqiptar në Hollywood: Ju rrëfej takimin me Angelina Jolie

Apr 2, 2015 | 11:36
SHPËRNDAJE

Aktori: Biseduam për ndonjë projekt të ardhshëm, i erdhi keq për historinë time dhe për vuajtjet

Në foto: Praq Rado dhe Angelina Jolie
Praq Rado, për ata që e dëgjojnë si emër për herë të parë, është një shqiptar nga Mali i Zi, që po bën karrierë si aktor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai luan në serialin “Dreaming american”, i cili ka në fokus jetën e emigrantëve në ShBA dhe përpjekjet që ata bëjnë për t’u integruar aty e për të prekur ëndrrën amerikane. Tashmë ai është i njohur dhe ka filluar të frekuentojë edhe ambiente ku mund të takojë emra të mëdhenj të botës kinematografike. Praq Rado vjen në një rrëfim për ‘’Panorama plus’’, ku flet mbi vështirësitë e karrierës atje, si dhe për takimin me divën e Hollywood-it, Angelina Jolie, e cila e kishte ftuar në premierën e filmit të saj.
Si po ecën karriera jote artistike?
Të them të drejtën, nuk po ecën aq mirë sa do doja unë. Kur kam bërë “Dreaming american”, i kisha dyert e hapura të marr pjesë në filma të tjerë, por atëherë nuk kisha dokumentet e duhura për të qëndruar gjatë. Tani i kam marrë dhe po mundohem të jem pjesë e disa projekteve. Sapo kam përfunduar dy skenarë me metrazh të shkurtër që do i xhiroj në pranverë dhe po pres prej “Dreaming american” të bëhet filmi i metrazhit të gjatë.
Sa e vështirë është të ndërtosh karrierë në një vend ku industria filmike është shumë e zhvilluar dhe konkurrenca shumë e madhe?
E vështirë shumë, tani jam në Kaliforni për një audicion dhe konkurrenca është e madhe. Për të njëjtën pjesë janë duke konkurruar mbi 60 aktorë. Nuk është e lehtë, por  është një punë që e kam kërkuar unë.
Si ndihet Praq Rado në mesin e yjeve të Hollywood-it?
Një gjë e madhe të jem pranë Lee Precy e Barbet Schroeder, që gjatë gjithë jetës sime i kam adhuruar. Të gjithë aktorët e njohin punën e tyre dhe kam shumë respekt për ta, por po u the se je duke punuar, sikur nuk ndihen mirë, sepse dhe ata e ndiejnë konkurrencën.
Ke qenë i ftuar në premierën e filmit të Angelina Jolie. Na thuaj si është nga afër ajo, për faktin se njihet si diva e kinematografisë botërore?
Po, Lee Percy ka qenë regjisor i filmit të Angelina Jolie ‘’Salt’’ dhe më ftoi atë natë në premierën e tij. Ajo është një yll dhe nuk ka aspak diva në të për sa i përket sjelljes. Ishin më shumë se 800 të ftuar për darkë në premierën e saj dhe me të gjithë bëri foto e bisedoi. Jolie është gjithmonë pozitive dhe ka dëshirë t’ua shprehë të tjerëve atë pozitivitet.
Ke pasur rastin të flasësh për planet e tua me të, për shqiptarët, në të ardhmen mund të luani bashkë në ndonjë projekt filmik?
Percy i tregoi asaj për “Dreaming American” dhe i pëlqeu ideja shumë. “Ka shumë emigrantë që vuajnë për t’ju dhënë një shans më tha e më vjen shumë keq për vuajtjet që ke pasur”. Do ishte ëndërr të luaja me Angelina Jolie, nuk dhamë më shumë detaje, vetëm sa biseduam.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura