Prandeli në kërkim të fitores pas 70 vitesh

Jun 14, 2012 | 15:39
SHPËRNDAJE

Pas debutimit të vështirë me Spanjën, Italia do të ndeshet ditën e sotme me Kroacinë. Skuadra e Slaven Biliç është një mace e zezë për të kaltrit: në 6 precedentët e luajtur, e vetmja fitore e Italisë daton më 1942-shin, kur është zhvilluar edhe përballja e parë mes dy ekipeve. Pastaj, krijimi i bllokut jugosllav ka bërë të pamundur konfrontime të tjera për gati gjysmë shekulli. Pas kësaj kohe Italia nuk ka fituar më me ballkanasit prej 70 vitesh. Në fakt, ekipi i të kaltërve ka humbur ndaj Kroacisë në Botërorin e 2002-shit dhe po ashtu edhe në precedentin e fundit, një miqësore e zhvilluar në Livorno. Dhjetë konfirmime dhe një dyshim: Baloteli, apo Di Natale? Kombëtarja italiane ka udhëtuar ditën e djeshme në Poznan për sfidën vendimtare ndaj Kroacisë dhe Çezare Prandeli ka vendosur që të limitojë ndryshimet. Pasiguria e trajnerit italian është në sulm. “Nuk dua të avantazhoj askënd, por po mendoj mundësinë e ndryshimit të formacionit. Gjithsesi, kam vetëm një dyshim… Nga skuadra kam marrë disponibilitet të plotë, kam parë dëshirë dhe bindje se mund të bëjmë mirë. Gjithsesi, për të vendosur po pres momentin e duhur”. Çezare Prandeli ka pranuar se do të ketë ndryshime në formacionin që do të luajë sot ndaj Kroacisë, por nuk ka dashur të tregojë nëse bëhet fjalë për Balotelin: “Do mbetet jashtë Mario? Pyetja tjetër…”. Më pas vëmendja e trajnerit të të kaltërve është postuar te rivalja e radhës: “Kroacia është një kockë e fortë që kërkon të gjejë hapësirën për të depërtuar në thellësi të zonës rivale. Ata u japin gjithnjë rëndësi manovrave dhe gjatë ndeshjes mund të ndryshojnë modulin taktik pa probleme. Kjo gjë tregon shumë përsa i përket cilësisë së tyre”, thekson Prandeli.

Metroseksualët
Ka mjaftuar një deklaratë kundër mundësisë së ekzistencës të ndonjë futbollisti gay në Kombëtaren italiane për të shpërthyer një furtunë të vërtetë mediatike. Në qendër të saj është pa dyshim Antonio Kasano, i cili është shprehur kundër homoseksualëve. Një ditë më pas, një nga prezantuesit televizivë, Çeki Paone, ka shpjeguar më së miri situatën, duke përfshirë në këtë histori tre futbollistë të njohur të Italisë: Injacio Abaten, Rikardo Montolivon dhe Sebastian Xhovinkon. Këta të tre, sipas moderatorit italian, janë thjesht metroseksualë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura