Portreti i paautorizuar, kush është Sekretari amerikan i Shtetit

SHPËRNDAJE

Kur e caktoi në krye të diplomacisë, Presidenti Barack Obama tha: E gjithë jeta e tij e përgatiti John Kerryn për këtë rol.

John KerryVet veterani i Vietnamit, me zërin e ngrohtë e të folurën e qetë, kthimin në Sekretarin e 68 të Shtetit e shoqëroi me këto fjalë: E dimë mirë të gjithë, se pas një dekade konfliktesh, populli amerikan është i lodhur nga lufta. Besomeni kur ju them se, po kaq i lodhur jam edhe unë. Por lodhja nuk na çliron nga detyrimet tona dhe, në fund, historia do të na gjykojë të gjithëve me shumë ashpërsi.

Tre janë kapitujt kyç të jetës së ish-ushtarit të kthyer në kryediplomat, momente që kanë formëzuar mendimin e tij dhe qëndrimin pa kompromis mbi Sirinë. Heroi i luftës së Vietnamit, i rekrutuar pikërisht gjatë periudhës së konfliktit, në vitet e universitetit kishte ndarë dhomën me Harvey Bundy, xhaxhai i të cilit, William, rastisi të ishte zëvendëssekretar Shteti dhe një nga arkitektët e ndërhyrjes ushtarake në atë vend.

Përpjekjet e tij për të bindur shokët e nipit, sesa nevojë kishte Atdheu për ta, patën efekt mbi të gjithë, por Kerry mbeti në mënyrë të veçantë i impresionuar nga dallga e patriotizmit që vërshoi në atë dhomë studentësh idealistë të “Yale”-t.

Kaq mjaftoi për marrjen e vendimit, që do t’i jepte një kthesë krejt tjetër jetës së tij: Hyrjes në Marinën amerikane e shërbimit në Vietnam. Ky i fundit pati ndikim të thellë mbi të riun Kerry. Atje nuk kaloi veçse disa muaj, si komandant i një anijeje patrulluese, e u kthye me disa medalje nderi, por eksperienca e përjetuar dhe ndjesia e zhgënjimit nga politikat, që i detyruan atë dhe ekuipazhin të vrisnin civilë të pafajshëm, e shënjoi përgjithmonë. Kur në aksion filluan të vdisnin, pastaj, edhe shokët e tij të shkollës, aty diçka u kris. Letra që u dërgoi prindërve përshkohej nga tone dëshpëruese. “Nuk jam ndierë kurrë kaq bosh, përmenda, – thoshte aty. – Jam si i mpirë. Nëse ka ndonjë gjë që mund të bëjmë vërtet, është të përpiqemi disi ta bëjmë më të mirë botën ku jetojmë”.

Dhe këtë bëri. Me një biletë boshe lufte në dorë dhe vendosmërinë për të hyrë në Kongres, arkitektoi kthimin e parakohshëm në shtëpi, ku u shndërrua në zëdhënësin e grupit të veteranëve kundërshtarë tanimë të luftës, në fytyrën publike të tij. Shfaqej kudo në lajme, doli në krah të John Lennonit; dhe ky ishte momenti i lindjes së “politikanit John Kerry”. E kur dëshmoi përpara Senatit në 1971-shin, mbi mizoritë e ushtarëve amerikanë, ishte elektrizues. Ishte mbase fjalimi më i rëndësishëm i jetës së tij dhe momenti që i dha jetë karrierës së vet politike.

“Vendi mbase ende nuk e di, por krijoi një përbindësh. Një përbindësh në formën e miliona njerëzve të mësuar të përballen e të stërviten në dhunë, të cilëve iu dha mundësia të vdesin për kotësinë më të madhe në histori”, tha atëherë Kerry.

Eksperienca e Vietnamit ishte ajo që do të ngjyroste thuajse të gjithë qasjen e tij të mëpasshme në politikë. Te Kerry mishërohet dëshira për të shmangur luftën e për të mos i vendosur njerëzit në rrugë lëndimi. Megjithatë, jo të gjithë veteranët e atij konflikti i bindi Kerry, me kostumin e tij të politikanit.

Disa nisën ta akuzonin për oportunizëm; një djalë i ri idealist që kërkon një kauzë, e cila mbase e ndihmon të katapultohet në jetën publike e të ngjisë shkallët e pushtetit. Akuza këto, që në një formë apo një tjetër, e kanë përndjekur përgjatë gjithë karrierës së tij. Por sot, John Kerry shihet më shumë si njeriu që po përpiqet fort për paqe e demokraci në Lindjen e Mesme. Një negociator i zellshëm e i duruar. Një njeri që lëshon. Në 2004-n, kur humbi garën presidenciale me George W. Bushin, i konsideruar gjerësisht si njëri prej presidentëve më të këqinj amerikanë të erës moderne, refuzoi ta sfidonte rezultatin, edhe pse asokohe pati dyshime të forta për manipulime në disa shtete, veçanërisht në Ohio. Ai nuk reagoi, por edhe nuk humbi krejtësisht.

“Zgjedhjet e vjedhura”, siç i quajnë disa, u kthyen në mjet për të shtënë më vonë në dorë diplomacinë. Kerry, – shkruan “The New Yorker”, udhëton në një kabinë në pjesën e përparme të avionit, ku ka një divan që hapet e bëhet shtrat dhe e lejon të zgjatet për të kapur gazetat, apo për t’iu telefonuar nga linja e tij e sigurtë udhëheqësve të huaj dhe Shtëpisë së Bardhë. Nuk flet shumë, por ndonjëherë merr me vete një kitarë me tela najloni, e relaksohet duke dëgjuar këngët e “Beatles”-ave, apo ndonjë melodi spanjolle.

Detyra e tij është të japë këshilla strategjike, të ndihmojë në zbatimin e politikave të administratës, të fashisë krizat, të farkëtojë marrëveshje; të lidhë aleanca, t’iu dërgojë sinjale të qarta fuqive të konsideruara si më problematiket, përfshi këtu Rusinë, Turqinë, Arabinë Saudite apo edhe Kinën; e në fund edhe të rindërtojë nga hiri marrëdhëniet e zhuritura me armiq të vjetër, si Irani.

Duke punuar në parajsën e sigurtë politike të mandatit të dytë, administrata “Obama” arriti dy fitore të mëdha: Marrëveshjen me Republikën Islamike dhe shkrirjen e akujve me Kubën. Vetëm pak ditë më parë u hodh një hap kyç drejt përmbushjes së njërës prej pikave më të rëndësishme të listës së dëshirave (Bucket list): arritja e armëpushimit në Siri, e më pas edhe stabilizimi politik i vendit të gjunjëzuar nga konflikti i përgjakshëm 5-vjeçar.

Përpos perspektivës së rrëzimit të sanksioneve torturuese ekonomike, këmbëngulja e Kerryt dhe vetëbesimi i tij kanë meritën kryesore të suksesit me iranianët, kulmimi i muaj të tërë negociatash kaotike, të vështira, të lodhshme, korruzive e që, dikë tjetër mbase do ta kishin bërë të dorëzohej.

Edhe pse kanë temperamente e këndvështrime të ndryshme mbi ato që duhet të arrijnë Shtetet e Bashkuara, sidomos në Lindjen e Mesme, energjinë e Kerryt dhe sensin e tij të angazhimit, Obama e admiron. “Është befasues optimizmi i këtij njeriu, – thotë Philip Gordon, – një prej këshilltareve të Presidentit për Lindjen e Mesme. Kerry është ai që gjithmonë thotë: Do të përballemi me këtë gjë, do ta menaxhojmë. Duhet të ketë një zgjidhje, ne thjesht duhet ta gjejmë dhe t’i drejtojmë njerëzit tek ajo.

/ Top Channel

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.