Porositi vrasjen e Artan Cukut, OFL i çon letër për pasurinë. Kush është Bledar Jambelli, nga dënimi në Tiranë te lirimi në Greqi

Aug 8, 2020 | 14:35
SHPËRNDAJE

Bledar Jambelli, personi që akuzohet dhe është dënuar në Shqipëri si porositës i vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, është personi i radhës që OFL-ja ka përzgjedhur për të deklaruar pasurinë.

artan cuku bledar jambelli

Ndonëse nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij, që pasi autoritetet greke e liruan në tetor të vitit të kaluar, në një kohë që autoritetet shqiptare prisnin ekstradimin e tij, Jambelli duhet të deklarojë pasurinë brenda 48 orëve.

Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL-ja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë shtetasve: Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho), banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim; Adriatik Gaba, me banim në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; Klaudion Karagjozi, me banim në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Xhevair Derxhia, me banim në Lazarat, Gjirokastër, i dënuar për “Kultivimi i bimëve narkotike”; Rimel Shehu, me banim në Tepelenë, i dënuar për shkelje te ligjit penal grek për narkotikët.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim brenda 48 orësh të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAKut për veprime të mëtejshme”, tha Policia.

BLEDAR JAMBELLI

Personi që porositi vrasjen e Artan Cukut mbrëmjen e 8 prillit 2017 dyshohet të jetë 40- vjeçari nga Fieri, Bledar Jambelli, i njohur ndryshe edhe me emrin Rikardo Muho.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me një vendim të datës 18 prill 2018, që është rifreskuar së fundmi nga Policia e Shtetit, ndonëse kërkimet për të kishin nisur prej qershorit të vitit të kaluar.

Me një vendim të dhënë në mungesë, të mbajtur sekret për mediat dhe në fshehtësi të plotë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë për Bledar Jambellin. Masa e sigurisë është caktuar më datë 12 qershor të vitit 2017 dhe menjëherë vendimi i është përcjellë Policisë së Shtetit për ekzekutim.

“Shtetasi Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho) shpallet në kërkim me kartelë të ‘kuqe’, pasi me shkresën nr.3303, datë 17 prill 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, ka dërguar urdhrin e datës 12 qershor 2017 për ekzekutimin e vendimit nr.292, të datës 12 qershor 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/b të Kodit Penal. E ndjek Seksioni për Krimet ndaj Jetës. Të ndalohet”, ky është urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bledar Jambellit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura