Polici i Beratit u vetëvra prej borxheve, kishte 4 fëmijë

Sep 5, 2015 | 8:20
SHPËRNDAJE

Pas 15 vitesh në Policinë e Shtetit, efektivi i dha fund jetës i mbytur në borxhe. Ilir Nano, 41 vjeç, dyshohet se nuk arrinte dot të menaxhonte jetesën e tij dhe as t’i përgjigjej vendimit gjyqësor që i kishte vendosur detyrimin për pensionin ushqimor ndaj dy fëmijëve, pas divorcit me gruan.

Vendi ku ndodhi ngjarja/ Viktima Ilir Nano
Vendi ku ndodhi ngjarja/ Viktima Ilir Nano
Ai kishte nisur bashkëjetesën me një 37- vjeçare, me të cilën kishte edhe dy fëmijë të tjerë. Por konfliktet që vinin si rrjedhojë e pamundësisë ekonomike kanë bërë që gjendja psikologjike e 41-vjeçarit të rëndohej e në kushte të tilla, ai vendosi t’i jepte fund jetës.

NGJARJA
Ilir Nano, efektivi i patrullës “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë së Beratit, u vetëvra me armën e shërbimit rreth orës 20:30 të së enjtes. Ngjarja ndodhi rreth 200 metra larg banesës së tij në lagjen “Çlirim”.

Sipas dëshmisë së familjarëve, ai kishte shkuar në banesë i ngarkuar emocionalisht dhe pasi kishte marrë armën e shërbimit, kishte dalë me nxitim. Pasi është larguar rreth 200 metra nga banesa, ai ka kryer shkrepjen e armës në gojë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Krisma e armës ka alarmuar familjarët e fqinjët e tij, të cilët kanë dalë menjëherë jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur. Ata kanë mbetur të tronditur kur janë ndeshur me trupin e pajetë të 41-vjeçarit në rrugë. Policia, e sinjalizuar për ngjarjen, mbërriti menjëherë në vend dhe nisi hetimet.

MOTIVI
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se 41-vjeçari Ilir Nano ishte divorcuar disa vite më parë nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte dy fëmijë. Më pas ai kishte nisur të bashkëjetonte me shtetasen V.M., 37 vjeçe, me të cilën sipas të dhënave kishte edhe dy fëmijë të tjerë.

Dyshohet se në këto kushte, ku ai do të duhej të kujdesej financiarisht për të dyja familjet, gjendja e tij psikologjike është rënduar. Rroga e tij ishte e pamjaftueshme për të paguar detyrimin ushqimor për dy fëmijët e tij me gruan e parë, si dhe për familjen e re. Nga hetimet paraprake rezulton se efektivi ishte zhytur në borxhe dhe nuk po arrinte t’i shlyente ato.

Ky dyshohet të jetë edhe shkaku që e çoi në vetëvrasje 41- vjeçarin, i cili ishte pjesë e patrullës “Shqiponja” në Berat. Fillimisht, grupi hetimor ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe më pas ka marrë në pyetje familjarë e persona të afërt të tij. Ata kanë deponuar se në ditët e fundit, efektivi Nano ishte mbyllur në vetvete dhe ngarkesat psikologjike ishin të dukshme.

DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura