Po çlirimin ta festojmë në Muriqan?!

Nov 1, 2012 | 13:08
SHPËRNDAJE

REDI GJUZI

Në kronika, pas shumë vitesh, do të shkruhet se pati festime për 100-vjetorin e pavarësisë. Do të zbulohet edhe se opozita dhe qeveria, ashtu si shpeshherë në historinë tonë, e festuan veçmas, patriotikisht veçmas, festën e kombit. Edhe pas disa vitesh do të ketë dy palë që mbrojnë secilin nga vendimet për cilësinë dhe vendndodhjen e festimeve. Kësi lloj kronikash botohen edhe sot në faqet e shumë gazetave për vitet e kaluara të historisë së Shqipërisë, për Zogun a Nolin, edhe për Skënderbeun. Por, ndryshe nga ndarjet politike, për mënyrën e patriotizmit, këtë vit ndarja është pak e habitshme. Përplasja këtë 100-vjetor vjen për qytetin e festës, naivitet foshnjarak që u ngjan debateve krahinore se gjirokastritët janë më të mençur se tiranasit, se vlonjatët janë më të fortë se shkodranët, se korçarët janë më të emancipuar se kuksianët, se përmetarët janë më nikoqirë se durrsakët, apo lloje të tjera debatesh në nivel gjimnazi. Përpjekja e Ramës për të vulosur Festën e Pavarësisë vetëm në Vlorë, duke përjashtuar dëshirën e tij të përhershme opozitare ndaj qeverisë, i ngjan pikërisht këtij debati gjimnazor. Kuptohet që vlonjatët ndjehen të nderuar dhe me gjasë do të krenohen më këtë vendim të opozitës. Por, vlonjatë sot mund të ketë më shumë në Tiranë se sa në Vlorë. Dhe kjo jo sepse tiranasit janë më të mençur dhe të emancipuar se vlonjatët, por sepse Tirana është kryeqytet. Është përfaqësuese e të gjithë kombit. Kjo është arsyeja pse festimet kryesore për 100-vjetorin e shtetit shqiptar bëhen në Tiranë. Kjo është arsyeja pse parada më e madhe në SHBA bëhet në Uashington, dhe jo në Filadelfia, ku u firmos pavarësia. Kjo është arsyeja pse të gjitha vendet i përqendrojnë festimet e ditës së tyre kombëtare në kryeqytet. Logjika se flamuri u ngrit në Vlorë, nuk e bën Vlorën më patriotike se Prishtinën, Shkupin apo Shkodrën e Korçën e asaj kohe. Arsyet pse Ismail Qemali e ngriti flamurin në Vlorë u përcaktuan nga rrethana që sot janë publikuar. Nuk u zgjodh Vlora se ishte më patriotike se qytetet e tjera të Shqiptarëve të asaj kohe. Ka disa qytete të mëdha, që nga Kosova e deri në Çamëri, që gjatë asaj periudhe jo vetëm që nuk ishin më pak patriotike se Vlora, por ishin në luftë për të ruajtur lirinë. Përqendrimi i Festës së Pavarësisë vetëm në Vlorë dhe shmangia e kryeqytetit, e bën pavarësinë provinciale. I zhvesh nga përfaqësimi të gjithë ata burra që u bashkuan me Ismail Qemalin, delegatë nga një Shqipëri dyfish sa kjo e sotmja. “Pavarësia është shpallur në Vlorë më 28 Nëntor dhe pikë! Më 28 Nëntor ne do të jemi në Vlorë dhe do të festojmë me këdo që do të jetë atje. Të tjerat janë dokrra, hini, siç i quante At Gjergj Fishta”, tha dje Rama në një reagim në Twiter. Ndoshta do të ishte më mirë që kreu i opozitës të bënte thirrje për të gjithë krerët e bashkive, që PS i ka fituar me shumicë, që të organizonin festa në çdo qytet. Se me logjikën e Ramës, meqë pavarësia është shpallur në Vlorë dhe duhet festuar atje, atëherë Festën e Çlirimit duhet ta bëjë në Muriqan apo Han të Hotit, ku u largua ushtari i fundit nazist. Por kjo do të ishte vërtet dokërr.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura