“Piano-Bar Berluskoni”, si lindi ideja për t’i vënë emrin lokalit në Tiranë! Zbardhet letërkëmbimi i Tim Xhilagës me politikanin italian: Ja çfarë më tha sekretari i Silvios

Apr 9, 2024 | 23:30
SHPËRNDAJE

tim xhilaga piano bar berluksoniUVIL ZAJMI

Mars 1994, 30 vjet më parë, në Tiranë, mbrapa Pallatit të Madh të Kulturës, në një mbrëmje pranverore, kryeqytetasit do jenë dëshmitarë, kur në këndin verilindor të Pallatit të Madh të të Kulturës, do të hapet një lokal, një bar luksoz, me një emër tejet intrigues, shumë befasues: “Piano-Bar Berluskoni”. Ideatori, pronari, realizuesi i tij do të jetë një person, tejet i njohur në Tiranën e viteve ’70, Shpëtim Xhilaga. Me profesion mësues i edukimit fizik, djalë modern për kohën, elegant, shumë pak ka ndryshuar, nga ai Tim Xhilaga i paparashikueshëm, tejet energjik, pa lënë pas dore pasionet e rinisë të atij brezi, si një ndër djemtë “play boy” më të spikatur të Brodueit të famshëm të Tiranë, ndjekës i modës, për preferencat pro-perëndimore, një personazh tejet karizmatik. Si dhe në çfarë rrethanash e iniciative Xhilaga për të hapur, një lokal si i pari dhe i vetmi në Shqipëri, me emrin e një figure shumë të njohur të politikës italiane: Një ish-kryeministri të shquar të vendit fqinj, president i një rrjeti televiziv “Mediaset”, por edhe presidenti i një klubi të madh, legjendar futbolli, si Milani i mrekullive të Gullit-Vana Basten Rijkard: “Ishte një simpati personale imja për atë njeri, që më nxiti idenë për t’ia vënë lokalit emrin e tij, ‘Berlusconi’. Para se të nisja punimet, ta inauguroja, fillimisht komunikova me ambasadën italiane”, rrëfen Xhilaga për gazetën “Panorama“.

tim xhilaga

Tim Xhilaga: “Ishte letërkëmbimi me Berluskonin që mora aprovimin”

Duke iu kthyer atij përurimi, edhe pse kanë kaluar katër dhjetëvjeçarë, i ka të freskëta, të gjitha detajet, si dhe nga i erdhi ideja, kush e provokoi për të hapur një lokal në qendër të Tiranës, një lokal krejt ndryshe nga të tjetër, dhe me një emër të bujshëm: “Nuk iu referova emrave të zakonshëm që përdoreshin, si ato shqiptarë, apo të huaj, por nisur nga fantazia, intuita, shijet, pasionin tim, preferencat, vendsoa që lokali të kishte emrin e Silvio Berluskonit”, tregon për “Panorama”, Tim Xhilaga.

Z. Xhilaga, nga erdhi ideja për të hapur një lokal të tillë?

Në atë kohë, pra pas viteve ’90, si shumë shqiptarë, edhe unë merresha me tregti, por që nuk ishte një profesion praktikuar më parë, jo i njohur dhe as në stilin, formimin tim. Unë kisha mbaruar Teknikumin e Fizkulturës, dhe isha mësues i edukimit fizik. Duke biseduar me një mik, ishte ai që më thotë: “Tim pse nuk hap një lokal?”

Një nxitje, që vjen edhe si një fenomen, tashmë aktiv në Tiranë?

Ideja ishte e mirë, më pëlqeu, u anagzhova. Një tjetër nxitje e mora, edhe nga fakti se në Tiranë ishin hapur disa lokale, kishte filluar të kthehej në mani, pasi edhe mungonin. Vijohej ende me lokale, restorante të trashëguara nga socializmi. Një shtytje ma dha edhe një mik, Skënder Hanxhaku, që kishte hapur një të tillë. Ka qenë fundi i vitit 1993, fillimi i 1994-ës, kur nisa procedurat, punën.

Thatë kryesore vendi, pastaj emri?

Kryesore ishte që të gjeja një vend, mundësisht në qendër të Tiranës, pasi edhe kjo kishte shumë rëndësi. Zgjodha atë pas Pallatit të Kulturës, sapo kalon hyrjen anësore të Bibliotekës Kombëtare. Ka qenë edhe ndihma e Kryetarit të Bashkisë, Sali Kelmendi një qytetar tiranas, burrë shumë human, njerëzor, i jashtëzakonshëm, modern, dhe që më njihte mjaft mirë nga afër, i cili aprovoi kërkesën time. E veçanta ishte se për emër kisha zgjedhur ta quaja, “PianoBar Berluskoni”. Ndërkohë, për të qenë korrekt bëra edhe dy lëvizje: Bisedova me personelin e ambasadës italiane, dhe njëkohësisht, pasi i gjeta adresën, i nisa një faks zyrës së Silvio Berluskonit në Milano, duke e informuar për idenë time.

Çfarë i shkruaje, cili ishte teksti që i nisët, patët hezitim?

Zgjodha që t’i vija emrin e tij për disa motive: Së pari, isha adhurues i tij. Pastaj, respekti që kisha për të, por edhe si njeri i suksesit, për mënyrën si erdhi në jetën politike italiane, në sport, një person me vizion, iniciativë, duke sjellë një frymë të re. Ka qenë muaji janar, kur ja dërgova, duke qëndruar në pritjë të përgjigjes. Këtu, isha i sigurt se nuk do të kisha probleme.

piano bar berluksoni11

Jeni njeri edhe i sportit, shumë i njohur për brezin e viteve ’70?

Vetë kam luajtur volejboll me “17 Nëntorin” e viteve ’65, njëkohësisht kam qenë edhe tifoz i skuadrës së fmashme të Lym Allës, Skënder Hykës, Perikli Dhalesit, Xux Kazanxhiut, Bahri Ishkës, Niko Xhackës, Fatmir Frashërit, Ben Bukovikut, më pas të Tit Dibrës, Mond Gëzdarit. Ndërsa në Itali jam me Juventusin. Pra, pa lidhje, emri i Berluskonit në këtë drejtim. E cilësova, që atë person e adimiroja, kisha simpati si njeri, si drejtues, si krijues. Dhe një burrë shumë zotni.

Fillimisht Ambasada, cili ishte qëndrimi i saj?

Nga ambasada italiane nuk pati asnjë reagim negativ, përkundrazi. Kujtoj që atasheu kulturor, ishte një peson tejet i sjellshëm, i dashur, komunikues, dhe admirues. Ndërsa e rëndësishme ishte përgjigja që do të merrja nga stafi i Beluskonit, që sisgurisht në çdo rast do të më kushtëzonte, pasi mund të ishte edhe negativ. Por, kisha shpresë, duke iu referuar entuziasmit që përcillte, trasmetonte si person. Nuk gjeja motiv pse ta refuzonte.

Cili ishte ishte reagimi, si erdhi përgjigja?

Nuk vonoi. Vetëm pas dy javëve, kujoj ka qeën 5 shkurt, erdhi përgjigja nga sekretari i tij personal, Sandro Biondi. Ishte një faks, ku ata shprehnin kënaqësinë që në Tiranë do të hapej një bar me emrin e Berluskonit. Tejet korrekt, një tekst i qartë, jo i gjatë, një mesazh dashamirës, ku më jepnin edhe aprovimin.

Çfarë përmbante ajo?

E shkruante sekretari i tij, Sandro Biondi: “I nderuar z. Xhilaga, Presidenti Berluskoni ju falënderon për vlerësimin, fjalët dashamirëse për të, bashkë me fotografitë që informojnë për aktivitetin tuaj. Për momentin nuk parashkohet një vizitë e Silvio Berluskonit në Shqipëri, por në rastin më të parë, nuk do të hezitojë të respektojë ftesën tuaj”.

Nis puna, ka vrull dhe entuziazëm?

E ndërtova për dy javë. Një lokal me rreth 50 tavolina, nuk mora asnjë aredues, por gjithcka e bëra vetë, nisur edhe nga shijet, preferencat e mia artistike. Tendën dhe të shkruajturën e realizoi Mimo Xhianfreda, një italian që kishte pak kohë që jetonte në Tiranë, i njohur për lidhjet, kontributin dhe anagzhimin e tij në sektorin artistik, sportiv, deri edhe në mbështetjen që dha për hapjen e lokalit me emrin e Silvio Berluskonit.

letra me berluksonin

Vjen përurimi, të pranishëm shumë të ftuar?

Në përurim ftova personelin e ambasadës, mikun italian Mimo Xhianfreda, tejet aktiv dhe i interesuar për aktivitete të tilla. Si dhe miq, shokë, artist, aktorë, njeërz të artit, sportit, politikës. Ditën e përurimit nuk e harroj, ka qenë mesditë, e mërkurë 30 mars 1994, që i takon saktësisht 40 vite më parë.

Më folët veçanërisht për një person, të cilin e konsideroni të veçantë edhe sot?

Reklamën, publicitetin dhe kafenë e parë aty e ka sjellë, Artan Hoxha, ose Tani i Topit siç edhe njihej. Një njeri i mrekullueshëm, me të cilin krijuam marrëdhënie shumë njerëzore. E kuptonte biznesin, ishte admirues i lokaleve, mjediseve të reja argëtuese, me një kulturë, prirje intuitive të lindur, dhe një djalë shumë modern. Krijoi “Top Albania Radio”, “Top Channel”. Edhe pse ai fatkeqësisht nuk jeton, i jam shumë mirënjohës.

Çfarë impakti pati nga njerëzit, miqtë, të afërm?

Si diçka e veçantë, ishte një befasi, nuk prisnin, dhe nga të gjithë vinte një pyetje kurreshtare: Ku e gjete ketë emër? Si ta lejuan? Po, Beluskoni e di? Në pafundësi, shoqëruar me urimin, komplimentin për hapjen e lokali, si i parë, dhe më këtë emër. Deri sa u mësuan, dhe në pak kohë u bë tejet i frekuentuar, si një bar i admiruar për kryeqytetasit. Nga të rinj, artistë, deri politikanë të njohur i gjeje aty në çdo orë, kohë të ditës. Sigurisht edhe djemtë, që kujdeseshin, qëndronin aty, për çdo gjë.

Duket sikur ju përfaqësoni një personalitet të njohur në Tiranë?

U krijua një atmosferë, një lidhje e bukur, aq sa nese nuk gaboj, ato ditë, atë muaj ndoshta, Berluskoni, si presidenti i “Forza Italia,” fitoi për herë të parë zgjedhjet në Itali dhe shumë njerëz më uronin edhe mua. Njëkohësisht, ai ishte president edhe i kanalit mediatik “Fininvest”, që u bë i famshëm, madje i tillë vazhdon të jetë edhe sot.

Flasim pak për lokalin, si funksiononte?

Nuk mora kamarierë profesionistë, njohës të vjetër të zanatit, por djem e vajza të reja, bukuroshe, deri edhe top modele. Të veshur me kostume, me inicialet, emrin e lokalit. Në atë bar kanë ardhur janë ulur është frekuentuar në makismum nisur edhe nga fakti si në qendër të Tiranës, emri provokues, miqësia e shumë njerëzve me mua, pra u krijuan disa rrethana që ai të merret emër, famë dhe në pak kohë të bëhej i njohur.

piano bar berluskoni111

Për cfarë frekuentohej më shumë?

Piceria e parë me furrë druri në Tiranë, ka qenë, është hapur aty. Jemi në vitet 1994, nëse rikthehemi në atë kohë, ende nuk ka filluar që pica, të jetë e pranishme, e frekuentuara si sot. Ai ka qenë lokali i parë që ka shërbyer, klientëve i është ofrura, një picë klasike, ashtu tipike sic duhet të jetë. Shoqëruar me të gjitha llojet e pijeve.

Por, jo vetëm, ka edhe muzikë, argëtim pa kufi?

Krahas ushqimit cilësor, në atë lokal, sigurisht që nuk mund të mungote muzika, një element tejet i rëndësishëm, shoqërues. Muzikë moderne, argëtim pa fund dhe aty kanë kënduar, interpertuar këngëtarë të njohur për kohën. Personeli i ambasadës italiane ishin frekuentusit kryesorë të saj. Vinin gazetarët e TVA-së, që e kishin përballë, shumë , afër. Bashkë me to edhe të ftuari në emisionet e tyre, duke e kthyer në traditë, e qëndrurar vonë, pas mesnate. Në Tiranë, kur pyesnin ku do ta pimë kafen, ku do të takohemi? Te Berluskoni ishte përgjigja, I shumë prej tyre.

Ngjitur me lokalin ka qenë edhe Teatri i Operas dhe Baletit?

Bashkë me ansamblin e këngëve e valleve. Të gjithë artisttë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, koristë i gjeje aty, për kafen e mënjesdit, në drekë pas provave dhe në mbrëmje pas shfaqjeve. Me drejtoreshën Zana Cela në krye. Po kështu edhe aktorët e Teatrit Popullor, si dhe shumë sportistë të njohur. Nga miq, shokë të brezit tim, deri edhe të rinj. Ishin kurreshtarë, i provokonte emri. Pastaj në mjedisin e tij gjenin kushte të këndshme. Shërbenim edhe jashtë, sidomos në periudhë vere.

Mund të na thoni, ndonjë emër të njohur, intrumentisë, apo këngëtër që kanë performuar, interpertuar aty?

Aty kanë kënduar këngëtarë të njohur si Redon Makashi, Elton Deda. Për shumë kohë, aty ka punuar, duke kënduar, Ardit Xho Fejzo. Një artist i vërtetë, kantautor, instsumentist, krijonte një atmoferë të këndëshme, dhe kishte mjaft fansa. Muzika e tij ndiqej. Nushit, kështu njihej, një këngëtar i ëmbël, gjithashtu, Kristi, një tjetër këngëtar, edhe ai ka kënduar aty.

Po kliente, frekuesntus të huaj, vinin, e preferonin lokalin tuaj?

Të huaj jo shumë, pasi jemi në vitet që pak turistë vinin, por edhe ata që kalonin aty, sigurisht ndalonin, për të pirë dicka, o provuar picat. Italianët ishin të parët, i tërhiqte, duke i befasuar emri i Berluskonit. Pyetja e parë që më bënin ishte: “Pse ky emër, cfarë të lidh, sepse nuk e mundonin, që në Tiranë do të gjenin një lokal me emrin e  tij. Berluskoni në ato vite ishte në hapat e para, kishte krijuar një figurë sa politik aq edhe simpatike, me të cilin italianët u dashuruan shumë shpejt.

Pak më sipër më përmendet, më folët edhe për një italian?

Për Mimo Xhianfredën e keni fjalën. Kishte pak kohë që kishte ardhur në Tiranë, madje edhe sot, e takoj, pasi vazhon të banojë këtu. Njeri i mirë dhe i gatshëm për cdo gjë. E frekuentonte lokalin dhe shumë italianë që vinin, miq të Mimos, artistë, këngëtarë të njohur në ato vite, të cilët ai i sillte, duke i rekomanduar Piano Bar-in tonë. Kënaqeshin, pasi gjenin një bar tipik italian, si nga ushqimi, por edhe atmosfera, muzika. Një Piano Bar që nuk ndalonte së funksionuari, nga orët e para të mëngjesit deri pas mesnate, pa krijuar probleme me rendin publik. Edhe forcat e rendit ato të turneve të natës, kishte raste që vinin aty, për një kafe o dicka tjetër.

Një lokal jo vetëm për një picë, argëtim, por edhe për diçka më shumë?

Dashuritë e kohës, shumë prej tyre e kanë starin, njohjet, qëndrimet edhe në “Piano-Bar Berluskoni”. Studentë, univeritarë, nxënës të shkollave të mesme, vinin aty. Kam patur rast, që vite më vonë një cift më ka ndaluar në rrugë duke më thënë: “Në ‘Piano Bar Berluskoni’, jemi takuar, jemi njohur, dashuruar dhe martuar”. Aty janë festuar datëlindje, përvjetore, vecanërisht kur lokali mbushej me artistë, u krijonte një situatë shumë argëtuese.

Një Piano Bar, si ka funksionuar në kulmin e trazirave të ’97-s?

Sigursht jo me intensitetin e mëparshëm, nga koha kur u hap, kishin kaluar vetëm 3 vite. Si gjithë lokalet e tjera, një situatë e tensionuar, njerëzit hezitonin, vecanërisht kur errësohej. Sidomos gjatë muajve të parë të rrëmujave, trazirave. E mbyllnim, në shumë raste. Nuk dua ta kujtoj atë periudhë.

Vjen një moment që duhet të ndaheni me të?

Sidoqoftë ato kanë qenë 9 vite me një frekuentim, me një klientelë konstante. Do ta kisha vazhduar, por më 2001, më dhanë urdhër ta mbyllja aktivitetin dhe pak më vonë e prishën. Ishin disa arsye. Situata politike që ndryshoi, u shfaqën pronarët e tokës, etj,

Por ju nuk ndaleni, të tejra lokale janë pjesë e aktivitetin tuaj?

Po e vërtetë, por në kohë të ndryshme. I pari, mbetet ai te Pallati i Kulturës. Pasi e mbylla, u detyrova që ta hap një tjetër pranë Librit Universitar. Po me emrin Berluskoni. Nuk kishte fluksin si i pari, pasi ishte me një hapsirë më të vogël, dhe jo piceri. Sidoqoftë i frekuentuar edhe nga politikanë. Kujtoj Ilir Metën, gruan Monika, e të tjerë që vinin, pasi e kishin pranë me zyrat e kuvendit, presidencës, K/Ministrisë. Afër bllokut gjithashtu zyrtarë, banorë të zonës, ishin të përhershëm aty. Dhe i treti në Don Bosko.

Ka një moment, detaj historik, që lidhet me atë bar?

Pikërisht në atë kohë, kur kryeministër ishte Fatos Nano, i ftuar prej tij, për një vizitë zyrtare në Tiranë, do të vijë Silvio Berluskoni. Ka qenë viti 2002, fillimisht, erdhën disa punonjës të Ministrisë së Jashtëme, u interesuan, panë mjedisin dhe vendosën ta sillnin aty për një kafe. Qëndroi pak dhe u largua. Ende nuk e di saktësisht, e sollën se kishte kërkuar ai, nga që e dinte që në Tiranë funksiononte një lokal me emrin e tij, apo ia kishte propozuar Fatos Nano. Nuk u informova kurrë edhe më vonë.

Z. Timi, sot pas 30-vjetësh, si do ta kujtonit atë Piano Bar?

Sa herë që kaloj sot aty, shoh atë hapsirë, atë zonë pas Pallatit të Madh të Kulturës e cila ashtu ka mbetur, më rikthehet nostalgjia. Një lokal, edhe si një pjesë të historisë së Tiranës, të pas viteve ’90. Si e krijova, pastaj punën për ta mbajtur, pasi nuk ishte e lehtë. Tentoj ta rikthej në bisedat me miq, shokë, klientë, djemtë e mi, kohën, mbrëmjet që kaluam, punuam aty. Por edhe për emrin, pasi mjaft të njohur edhe më kanë kritikuar, duke më sygeruar që t’i vija emrin, mbiemrin tim, si një person i njohur në Tiranë. Por, jo, ka qenë një gjetje e goditur, e bukur dhe që e bëri të vecantë lokalin. Edhe sot ashtu kujtohet “Piano-Bar Berluskoni”. Një kujtim të rrallë që kam, për të cilin ju fola më sipër është faksi-përgjigje nga zyra e Berluskonit, të cilin e ruaj edhe se sot, si të vetmin kujtim, dëshmi që më ka mbetur nga ai bar, bashkë me fotot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura